Unioni i Bashkive, Aldrin Dalipi: Një projekt europian
Pak ditë më parë Tirana mikpriti Unionin e Bashkive shqiptare, e cila mblodhi në një tryezë kryetarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Ideja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në lidhje me këtë nismë ka të bëjë me mundësitë e bashkëpunimit, por edhe shkëmbimit të përvojave më të mira për zhvillimin dhe mirëqenien e faktorit shqiptar në qytetet ku ata drejtojnë.
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi e cilëson Unionin e Bashkive një moment të rëndësishëm, ndërsa thekson se ky nuk është një bashkim folklorik, por një projekt i përbashkët, qëllim i të cilit është shumë emancipues, modern, dhe europian, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe të qyteteve që administrohen nga shqiptarët.
Zoti Dalipi, Tirana mikpriti Unionin e Bashkive ku morën pjesë kryebashkiakë nga të gjitha trevat shqiptare. Përse u ndërmor një nismë e tillë?
Mendoj se ky është momenti i përshtatshëm. Është një ide që mori udhën konkrete, atë që, qytetet shqiptare dhe territoret që administrohen nga shqiptarë duhet të kenë cilësi jete më të mirë. Ky union do të jetë një mundësi më shumë që ata të njihen dhe të diskutohet për një përqasje elementësh që vërtet bashkojnë shqiptarët në dëshirën për të progresuar në jetën e përditshme. Gjykoj se, të gjithë ne kemi nevojë të përfitojmë nga njëri-tjetri. Ky projekt i përbashkët, është shumë emancipues, modern, dhe europian.
Të kalojmë te Këshilli Bashkiak që është edhe arena e rrahjes së mendimeve mes mazhorancës dhe opozitës. Sa ndihet konflikti politik?
Këshilli Bashkiak i Tiranës që prej gushtit 2015 ka miratuar projekte të rëndësishme të propozuara nga kryebashkiaku Veliaj që i kanë hapur rrugë punëve konkrete në Tiranë. Sot kemi një këshill bashkiak të fokusuar në debate për çështje themelore qytetare sikurse janë buxheti, pastrimi i qytetit, urbanizimi, infrastruktura, parkimet, shërbimi i transportit publik, arsimi, rinia, barazia gjinore, aspekti social etj. Pjesëmarrja e grave dhe e vajzave tashmë me 50% në Këshill, i ka dhënë tone pozitive e profesionale debatit duke minimizuar ose izoluar retorikën ekstreme pa ide.
Për vendime të ndryshme, kryesisht ato me karakter social kanë mbështetjen e të gjithë këshillit, mazhorancë dhe opozitë si një element pozitiv, ndërkohë që dialogu inkurajohet në drejtimin qytetar. Vërtet ka gjëra që nuk biem dakord, padyshim, por demokracia vendore na jep mesazhin që të shohim nga interesi i komunitetit, i fëmijëve, të rriturve, i të moshuarve. Pra në fund, në një qytet ka shumë më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa ato që na ndajnë. Mendoj se çka është bërë në Tiranë, ka anuar nga vendosmëria për të çuar deri në fund projektet për të ndryshuar kryeqytetin me një ritëm të paimagjinueshëm vetëm pak kohë më parë.
Jeni optimist se projekti i Unionit të Bashkive do të mbajë qëndrimet që u deklaruan në Tiranë?
Jam optimist që Unioni do të jetë një projekt konkret i të sotmes dhe i të ardhmes për të ecur me të njëjtën shpejtësi, për të ndryshuar me të njëjtin ritëm.