Europa

Vala e imigrantëve në Evropë

Roja bregdetare italiane po vazhdon të koordinojë operacionet e shpëtimit në Mesdhe ndërsa punonjësit e emergjencave ishin të gatshëm në portin Augusta në Siçili për t’u kujdesur për 420 emigrantë që ishin në bordin e një anije luftarake kroate të shpëtuar pranë brigjeve egjiptiane.

Njerëz me fytyra të vrerosura presin të zbarkojnë nga anija kroate. Shumë prej punonjësve të emergjencës në Siçili i kanë kaluar ditët e pushimeve verore duke ndihmuar rradhët e pafundme të emigrantëve që hynë në Itali. Marco Bertoni është punonjës i emergjencave me organizatën për mbrojtjen e civilëve.

“Ata u larguan nga Aleksandria në Egjipt 10 ditë më parë. Kanë ardhur këtu në Augusta në dy anije të ndryshme. Njëra është kroate e tjetra italiane. Ka shumë familje dhe fëmijë. Kryesisht janë nga Iraku po ka edhe nga Libia.”

Këto familje mund të thuhet se ishin me fat, pasi në një operacion shpëtimi të shtunën, të paktën 40 trupa u gjetën të vdekur në një anije që po fundosej.

Emigrantët e mbërritur në Itali thonë se trafikantët nga Libia ku nuk sundon ligji u marrin atyre nga 1,200 deri në 1.800 dollarë për një vend në gomone.

Në një tjetër incident në Mesdhe këtë javë, u shpëtuan rreth 2 mijë njerëz. Ndërsa një javë më parë rreth 50 njerëz u zhdukën pasi gomonia e tyre u fundos në Detin Mesdhe. Në fillim të muajit mendohet se 200 emigrantë humbën jetën pranë brigjeve të Libisë kur anija e tyre u përmbys.

Deti Mesdhe është bërë pika më vdekjeprurëse e kalimit për emigrantët. Më shumë se 2,300 njerëz që po largohen nga lufta dhe varfëria kanë humbur jetën këtë vit në përpjekje për të shkuar në Evropë me anije. Organizata Ndërkombëtare për Migrimin thotë se vitin e kaluar humbën jetën rreth 3200 emigrantë. Organizata me qendër në Gjenevë thotë se numri i emigratëve që kanë kaluar mesdheun këtë vit po shkon deri në çerek milioni krahasuar me mbi 200 mijë vitin e kaluar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button