Varfëria dhe kontrata sociale e pazbatuar në Shqipëri
EDUART GJOKUTAJ
Është e kuptueshme që shumë nga diskutimet për luftën ndaj varfërisë janë ndikuar nga profili abuziv i politikës shqiptare. Ata thjesht nuk i kanë dhënë rëndësinë e nevojshme angazhimit ndaj minimizimit dhe zbutjes së varfërisë në vend. Në fakt, studime dhe sensibilizime për përcaktimin e kufirit zyrtar të varfërisë janë bërë. Projekte të Bankës Botërore janë zbatuar. Përkufizime dhe shifra janë publikuar.
Çfarë kanë bërë për shoqërinë dhe njerëzit drejtuesit politikë përpara se kanë kërkuar prej Shqipërisë t’i shpërblente për meritat e tyre?
Shqipëria ashtu si pak vende të tjera nuk ka një kufi zyrtar të varfërisë. Pra një nivel ku të thuhet se poshtë tij konsiderohesh i varfër. Në këtë diskutim nuk përfshihet niveli i ndihmës ekonomike. Ato studime dhe llogaritje që janë bërë ngatërrohen rëndom në publik me kufirin e pagës minimale. Për gjithë sa lidhet me varfërinë, ajo konsiderohet si një mungesë e nevojave më të domosdoshme për të jetuar normalisht. Të jesh i varfër do të thotë të jesh i privuar nga nevojat bazë dhe kënaqësitë elementare të jetesës njerëzore. Shqipëria, si pak vende ish-socialiste trashëgoi një sistem përkrahje shoqërore, që shërbente për jetesën bazike për çdo qytetar të vendit. Për fat të keq, ky sistem nuk ndryshoi për mirë bashkë me ndryshimin e sistemit dhe rendit politik. Nëse ju vlen mund ta përdorni për t’u bindur se sa është zbatuar kontrata sociale në çerekshekullin e fundit.
Por, ku qëndron saktësisht kufiri ndarës në standardin e jetesës për të dalluar varfërinë?
Një mënyrë e propozuar si një alternativë e kohës ka qenë përcaktimi i varfërisë bazuar në shpenzimet jetike më të domosdoshme për të jetuar. Kjo alternativë buron nga perceptimi publik se varfëria është një telash i madh. Një mënyrë tjetër është duke u nisur nga treguesit e të ardhurave dhe konsumit me efekt në përcaktimin e nivelit të varfërisë. Faktet në vendin tonë tregojnë se kjo mënyrë e bazuar mbi të ardhurat është një e dhënë e pabesueshme për të matur realisht të ardhurat individuale, sidomos ata që fitojnë pak të ardhura. Të ardhurat janë vështirë për t’u identifikuar për aq kohë sa gjenerohen në një ekonomi ku informaliteti dhe qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar është në po atë nivel që është formaliteti. Nga ana tjetër, trashëgimia dramatike fiskale e dokumentimit të transaksioneve të individëve për shpenzimet e përditshme të tyre nuk mundëson identifikimin e asnjë gjurme apo dokumenti që ta lidhi me emrin e individit. Megjithëse mund të kërkosh se sa të ardhura janë shpenzuar nga një familje në muaj apo qoftë dhe individ, i cili është pjesë e një sistemi gjurmësh pagesash dhe që punon në administratën publike, prapëseprapë arkivi i shpenzimeve të tij është shumë i mangët dhe nuk nxjerr dot konkluzione të sakta.
Për të kufizuar diskutimin e nivelit të varfërisë në Shqipëri unë jam fokusuar në përqindjen e shqiptarëve, që konsumojnë poshtë kufirit të pagës minimale zyrtare.
Të ardhurat e individëve për 25 vitet e fundit në Shqipëri janë nga burime të ndryshme dhe kjo është e bukura e sistemit që jetojmë. Ajo që nuk perceptohet si e mirë (anormalitet) është shëmtia e mungesës së barazisë na pagimin e detyrimeve në buxhetin e vendit, apo mbizotërimi ende i evazionit dhe mospagimit të detyrimeve buxhetore. Faktet tregojnë se të ardhurat janë përqendruar në grupe të vogla të individëve dhe familjeve, që përbëjnë më pak se 4% të popullsisë së vendit. Niveli i lartë i individëve që nuk i kanë formale burimet e të ardhurave (të ardhura informale), përbën sfidën kryesore të betejës qeveritare, të pafituar nga asnjë qeveri deri më sot. Ndërsa, konsumi i të mirave materiale është rritur gjatë këtyre 25 viteve, ato nuk kanë lidhje, të paktën direkte me treguesin e varfërisë. Arsyeja është te pabarazia në të ardhura, me efekt pabarazinë sociale. Për ta vendosur barazinë sociale nevojitet rishpërndarja e të ardhurave sipas nevojave jetike të shtresave. Përndryshe, efekti përmblidhet në shprehjen: “fukarallëk-maskarallëk”
Elementët bazë për ta nxjerrë nga varfëria një njeri apo familje, i gjen në një listë ushqimesh, aq sa për çdo ditë nuk u stimulojnë ndjenjën e urisë. Gjithashtu, këtij njeriu të vetmuar apo bashkë me familjen e tij duhet t’i ofrohet një vend apo strehë ku të qëndrojë në një mënyrë higjienike dhe të pajisur me mobilim aq sa për të plotësuar nevojat bazë të fjetjes, qëndrimit dhe higjienës. Veshjet dhe gjithë shërbimet e tjera duhet t’i kenë deri në nivelin e të nevojshmes ekzistenciale.
Detajimi i elementeve dhe kushteve specifike të nevojave për jetesën dhe “koston” e të varfrit na ndihmon për të plotësuar idenë mbi kufizimet që përjetojnë sot gjithë moshat. Kostoja e varfërisë duhet të na shërbejë mbi të gjitha si një instrument dallimi midis politikës që kemi duruar si barrë mbi supe me politikën që duam. Na duhet ta mbajmë mend për të kuptuar shtrirjen e sëmundjes sociale. Kostoja e varfërisë është shporta e rezultateve të politikave ekonomike, fiskale dhe sociale të qeverisjes. Na nevojitet të gjithëve ta dimë.
Por, ç’përfaqëson varfëria për shtetin?
Varfëria është kontrata sociale e prishur në mënyrë të njëanshme. Në sytë tanë varfëria paraqitet me imazhet e fëmijëve, të rriturve dhe të moshuarve të uritur dhe të paveshur, pa strehë për të qëndruar dhe të papastër dhe të pamundur për të paguar shërbimet shëndetësore. Këto janë edhe pjesa që quhen nevoja bazë për të jetuar.
Politikat e ndihmës sociale, si dhe objektivat qeveritare për të ndihmuar të varfrit, unë i perceptoj të lidhura me një panoramë që të na tregojë pozitiven rreth nivelit të varfërisë. Përmirësimi i kushteve për të varfrit dhe roli i qeverisjes duhet të rezultojë në ndryshimin e nivelit të varfërisë.
Pyetje:
– Sa e ka ulur nivelin e varfërisë secila prej qeverive në këto 25 vite të fundit?
Përgjigje:
– Nuk e di!