Veliaj: Deklaroni pagën reale dhe paguani sigurimet për të përfituar pension më të lartë nesër
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje punëtorëve dhe kompanive që ushtrojnë funksionin e tyre në Shqipëri, të ndërgjegjësohen për të deklaruar pagën reale dhe të paguajnë sigurimet, në mënyrë që të përfitojnë pensione më të larta pas 1 janarit 2015.
Kete deklaratë ministri Veliaj e bëri gjatë aktivitetit te organizuar sot në kompaninë ANTEA Cement “1000 ditë pa aksidente në punë”, ku u shoqërua edhe nga Drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli.
“Sot kemi shumë raste kur punonjësit punojnë ose në të zezë, ose nuk i deklarojnë sigurimet shoqërore, ose deklarojnë vetëm pagën minimale. Kjo është vrastare për jetën e një punëtori, sepse do të thotë se në të ardhmen ai do të marrë një pension qesharak. Nëse dikush punon në të zezë, mund të mbijetojë për pak kohë, por nuk do të ketë se me çfarë të jetojë kur të dalë në pension”, tha Veliaj.
Ai theksoi se sigurimet e papaguara sot, do të rezultojnë në pension më të ulët nesër dhe se skema e re e pensioneve, që do të zbatohet nga janari 2015, vlerëson ato kompani dhe punonjës që paguajnë sigurimet shoqërore. “Sa më shumë vite pune dhe sa më e vërtetë rroga, aq më i lartë del pensioni”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, ministri Veliaj paralajmëroi se Inspektorati i Punës do të tregohet i rreptë me ato kompani që nuk paguajnë sigurimet shoqërore për punëtorët e tyre, si dhe u bëri thirrje punonjësve të raportojnë raste të tilla pranë inspektoratit apo ministrisë. “Detyra e shtetit është që të kemi një legjislacion të fortë. Kjo është arsyeja pse vetëm këtë vit kemi kaluar katër paketa të tjera ligjore që forcojnë legjislacionin, çka do të thotë se kemi instrumenta për të inspektuar edhe aty ku kompanitë nuk kanë sensin e etikës”, tha ai.
Ndërsa Drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli, theksoi se “ajo që ne po mundohemi çdo ditë është të rrisim ndërgjegjësimin e krijimit të një mjedisi të shëndetshëm në punë për punonjësit”.