“Vëllazëria” me Katarin është e Ramës, jo e shqiptarëve

Vitet e fundit, Zoti Rama duket se e ka orientuar politikën ekonomike të vendit, por edhe një sërë bashkëpunimesh të tjera, drejt vendeve lindore, veçanërisht drejt vendeve arabe të Gjirit Persik.
Tashmë thuajse të gjitha “investimet e huaja” në Shqipëri e kanë origjinën kryesisht nga këto vende, ndërkohë qeveria shqiptare ka krijuar nisma dhe sipërmarrje të përbashkëta me kompani arabe.
Në mënyrë domethënëse, dy nga “investimet e huaja” më të përfolura, por edhe më të propaganduara në Shqipëri, Durrës Marina dhe zhvillimi i Zvërnecit, e kanë origjinën nga Emiratet e Bashkuara dhe Katari, respektivisht. Ndërkohë, qeveria ka pretenduar se disa skema të dyshimta investimesh janë investime me origjinë nga Izraeli.
Në një takim me qytetarë të moshuar, Kryeministri Rama e justifikoi këtë orientim lindor të Shqipërisë me një teori të tij mbi miqësinë me botën:
“Unë dua një Shqipëri që të jetë një vend në miqësi të ngushtë me Izraelin, me vendet arabe dhe me Turqinë dhe me Greqinë dhe me Europën. Dhe pse na duhen këto miqësi?
[…] Na duhet të përfitojmë dije, të përfitojmë gjithçka që mund të përfitojmë nga vendet e Gjirit. Katari nuk ka marrëdhënie me Izraelin, por ne me Katarin kemi marrëdhënie vëllazërore. Kjo është Shqipëria që na duhet ne. Ne na duhet një Shqipëri me shumë miq.”
Marrëdhëniet mes vendeve bazohen mbi interesa dhe jo mbi miqësi. Ka interesa strategjike dhe afatgjata që i kanë lidhur vende të ndryshme në marrëdhënie të ngushta dhe aleanca afatgjata; ka të tjera që janë interesa kalimtare që çojnë në aleanca të përkohshme.
Le të shohim Katarin, që Kryeministri thotë se me të kemi marrëdhënie vëllazërore.
Së pari, është fakt që me Katarin nuk kemi ndonjë marrëdhënie me peshë: nuk kemi thuajse fare tregti, nuk kemi ndonjë bashkëpunim ekonomik, nuk kemi marrëdhënie në turizëm.
Nuk kemi as shkëmbime kulturore, as shkëmbime njerëzore apo lidhje shpirtërore.
Në mënyrë domethënëse, nga Katari nuk marrim as naftë e as gaz, për të cilat Katari është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, pasi linjat tona të furnizimit janë kryesisht nga rafineritë e vendeve fqinje, ndërkohë që naftë bruto prodhojmë edhe vetë.
Për ata që nuk e dinë, Katari është një vend autokratik, ku mungojnë liritë—partitë politike ndalohen absolutisht, sikurse edhe veprimtaritë politike.
Një nga vendet më të varfra në botë deri në mesin e shekullit të kaluar, Katari njohu zhvillim të shpejtë ekonomik pas zbulimit dhe shfrytëzimit të pasurive të jashtëzakonshme të naftës dhe gazit. I gjithë zhvillimi i vendit i detyrohet eksportit të naftës dhe gazit.
Thuajse 90% e popullsisë që jeton në Katar janë punëtorë të huaj, të cilët shfrytëzohen sistematikisht dhe gëzojnë pak të drejta.
Katari është akuzuar në të shkuarën dhe ka hyrë në konflikte me fqinjët arabë për financim shtetëror të grupeve ekstremiste apo organizatave terroriste në rajon, përfshi Hamasin dhe Al-Kaedën.
Katari vazhdimisht kritikohet për mungesën e mbikëqyrjes ndaj qarkullimit të financimeve të dyshimta.
Një përshkrim i përafërt, me nuanca të ndryshme, vlen edhe për vendet e tjera të Gjirit, përfshi Arabinë Saudite apo Emiratet e Bashkuara.
Sikurse tregojnë faktet e mësipërme, Shqipëria ka lidhje minimale me Katarin dhe nuk ka ndonjë arsye strategjike për marrëdhënie të ngushta me Katarin apo me vendet e tjera të Gjirit.
Po pse, atëherë, Kryeministri Rama po përpiqet ta bindë publikun për domosdoshmërinë e miqësisë apo vëllazërisë me Katarin dhe vendet e tjera të Gjirit?
Pse po përpiqet Kryeministri të orientojë marrëdhëniet me jashtë të Shqipërisë drejt këtyre vendeve?
Mbi të gjitha, pse, kur negocion me BE-në dhe ka shprehur si objektiv absolut anëtarësimin në BE, i ka orientuar thuajse të gjitha marrëdhëniet ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja me këto vende?
Arsyeja nuk shpjegohet nga gjeopolitika apo lidhjet historike apo tradicionale, por nga karakteristikat institucionale të këtyre regjimeve: vendimmarrje e përqendruar autokratike në çdo aspekt, përfshi edhe ato ekonomike, investime që negociohen politikisht, transparencë e ulët dhe lehtësi për të lëvizur kapitale të errëta apo të dyshimta.
Përmendja vëllazërore e Katarit ka të bëjë në radhë të parë me Zvërnecin. Kryeministri pretendon se dy vëllezërit miliarderë sirianë Al-Khayatt, me aktivitet në Katar, kanë interes të investojnë 4 miliardë euro në Shqipëri për të zhvilluar Shqipërinë.
Edhe pse investitorët nuk janë shfaqur kurrë në publik, as kur mbi 120 milionë euro—pretenduar si dërgesë e tyre—u bllokuan nga SPAK me dyshimin se mund të jenë pastrim parash.
Vetë struktura financuese e projektit është e fshehur pas një sërë kompanish zinxhir, disa prej të cilave kompani guackë.
E njëjta situatë jotransparente dhe e dyshimtë është me projektin e Marinës së Durrësit. Mohamed Alabbar, një sipërmarrës nga Emiratet, pretendon se po investon mbi 2 miliardë euro, por struktura e financimit përfshin një zinxhir jotransparent kompanish guackë.
Disa vite pas fillimit të këtij investimi është ende e paqartë se sa kapitale po investohen dhe nga po vijnë ato. Ndërkohë, ndërtimet në Durrës kanë ndeshur një sërë vështirësish inxhinierike, duke vënë në dyshim edhe aftësinë menaxhuese të sipërmarrësit arab.
Të dy këto projekte, dhe një sërë të tjerë të lidhur me investitorë lindorë dhe arabë, janë promovuar agresivisht nga Kryeministri përballë kundërshtive të mëdha të qytetarëve të shqetësuar se ato sjellin më shumë dëme sesa përfitime publike.
Cilët investitorë të huaj do të vazhdonin planet e tyre përballë kundërshtive të mëdha publike?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është një nga arsyet pse marrëdhëniet me vendet e Gjirit kanë marrë rëndësi prioritare për Kryeministrin Rama.
Arsyeja tjetër është fakti se ai po kërkon të mobilizojë dhjetëra miliarda euro për të zbatuar vizionin e tij të debatueshëm të shpalosur në Dosjet Shqiptare.
Investimet në këtë plan nuk justifikohen me arsye ekonomike, prandaj ky vizion personal dhe jotransparent që po i imponohet vendit nuk mund të realizohet në bazë të vendimmarrjes së shëndoshë ekonomike dhe financimeve transparente nga vende me mbikëqyrje të rreptë financiare.
Vendet e Gjirit janë të përshtatshme pikërisht sepse lejojnë vendimmarrje politike dhe lëvizje jotransparente të kapitaleve.
Deklarimet e Kryeministrit për miqësi vëllazërore mes Shqipërisë dhe Katarit janë thjesht propagandë për të mbuluar qëllimin e vërtetë të orientimit të tij drejt këtyre vendeve, veçanërisht kur shqiptarët kërkojnë anëtarësim në BE.
Në këtë pikë ai po imiton një nga paraardhësit e tij, diktatorin Enver Hoxha, i cili përdorte “vëllezërinë” e supozuar me popujt e largët të Kamboxhias e Vietnamit me qëllim që të justifikonte izolimin nga Perëndimi që kishim në prag të derës.
Por shqiptarët e kanë çmontuar këtë lloj propagande me këmbët e tyre: vendet që ata zgjodhën për të emigruar tregojnë më mirë se çdo gjë në cilat vende ata kanë interes dhe ndihen miqësorë apo vëllazërorë.
Së pari, Italinë, ku jetojnë gati 800 mijë shqiptarë, gjysma tashmë të natyralizuar si italianë. Me Italinë na lidh edhe afërsia kulturore, mbështetja reciproke.
Së dyti, Greqinë, ku jetojnë të paktën 500–600 mijë shqiptarë, një pjesë e të cilëve tashmë janë të natyralizuar dhe me të cilët të paktën një pjesë e popullsisë së jugut ndjen afërsi fetare dhe kulturore.
Së treti, SHBA-të dhe Amerika. Natyrisht edhe Austria, Turqia dhe vende të tjera europiane.
Është fakt se shqiptarët nuk kanë zgjedhur asnjëherë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara apo Katarin për të jetuar e punuar.
Të vetmit shqiptarë që kanë pasur interes për këto vende deri tani janë trafikantë të kërkuar ndërkombëtarisht, të cilët kanë gjetur strehë të sigurt dhe jetojnë në këto vende, veçanërisht në Emirate.
Ata dhe… Kryeministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.