Vendet e rajonit, bashkë kundër krimit dhe terrorizimit
Vendet e rajonit janë pajtuar që të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin në mes të prokurorive dhe agjencive që zbatojnë ligjin, shkëmbimin e informatave, të hartojnë strategji dhe plane operacionale të përbashkëta dhe bashkëpunimin në ofrimin e ndihmës reciproke përmes bashkëpunimit gjyqësor në çështje penale. Ky është përfundimi i nxjerrë nga konferenca rajonale dy ditore “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën Jugindore”.
Konferenca ishte organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ishte mbështetur nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada Amerikane në Kosovë .
U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, ka falënderuar pjesëmarrësit për kontributin e tyre në sjelljen e përvojave nga vendet që vijnë, lidhur me kornizën ligjore të luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Falënderim i veçantë shkon edhe për dy ekspertë nga Qendra Evropiane për studimet e sigurisë, “George C. Marshall”, dhe ekspertin e fushës kundër terrorizmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët me ligjërimet e tyre do të na ndihmojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit,” ka thënë Hoxha.
Përmes një komunikate për medie të Këshillit Prokurorial të Kosovës, pjesëmarrësit e konferencës e vlerësuan mbështetjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Ambasadores Amerikane në Kosovë dhe të akterëve tjerë, që treguan gjatë kësaj konference për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizimit.