Politika

Vendimi i Holandës për vizat, Bushati: Efektet në praktikë janë thuajse zero

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PS-së, Ditmir Bushati deklaroi sot se nuk ka vend për panik për vendimin e Holandës në lidhje me qëndrimin e  saj për vizat.

Bushati shpjegon se  vendimi i Parlamentit holandez që i kërkon qeverisë nisjen e procedurave në nivel europian për pezullimin e regjimit pa viza me Shqipërinë është padyshim një lajm i hidhur dhe mekanizmi i përcaktuar, në rast se aktivizohet nga Holanda, është i qartë.

“Komisioni Europian do t’i përgjigjet kërkesës (së supozuar deri tani) të Holandës mbi kriteret e përmbushura nga ana e Shqipërisë dhe çdo vendimmarrje kërkon një shumicë të caktuar votash në Këshill, ku pesha e votave të vendeve anëtare është e ndryshme”, sqaron ai.

Po ashtu, Bushati thekson se vitin e kaluar, raporti i Komisionit Europian për këtë çështje vlerësonte se Shqipëria i përmbushte kriteret.

“Vlen të theksohet gjithashtu se asnjë prej vendeve anëtare të BE, përfshirë Holandën, nuk kundërshtoi gjetjet e Komisionit. Në të tilla rrethana me të drejtë lind pyetja çfarë ndryshoi në pak muaj nga publikimi i raportit të Komisionit Europian vitin e kaluar? Pse një lëvizje e tillë tani kur Shqipëria pret zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, bazuar në kalendarin e miratuar në qershorin e 2018 nga vendet anëtare të BE-së dhe procesin analitik screening?”, tha ai.

Më tej Bushati shton se shanset që një nismë e tillë të prodhojë efekte në praktikë janë thuajse zero.

“Ndaj nuk ka vend për panik. Shqipëria edhe pse ka shumë sfida në betejën me krimin e organizuar dhe korrupsionin i përmbush kriteret e përcaktuara sipas vlerësimeve të Komisionit Europian. Megjithatë, nuk ka vend për neglizhencë e aq më keq për stigmatizim. Përkundrazi duhet të sigurojmë integritetin e debatit publik në lidhje me këtë çështje. Jemi në të drejtën tonë të përbuzim çdo steriotip negativ që tenton të na vizatojë si njerëz e shoqëri që prodhojmë veç krim dhe emigracion të paligjshëm. Por do të ishte gabim fatal që ta vizatonim Hollandën, anëtare themeluese e kontribuese kyçe në BE, mbështetëse e aspiratës europiane të Shqipërisë, si një vend racist ndaj nesh apo si një vend ku gëlon krimi e prostitucioni. Do të ishte mendjelehtësi gjithashtu të injoronim mesazhin që vjen prej kësaj nisme të Parlamentit hollandez, edhe pse e padrejtë dhe në mungesë të kritereve të përcaktuara nga vetë BE-ja”, thekson ai.

Në vijim të argumentimin e tij Bushati shprehet se “të drejtën tonë duhet të vazhdojmë ta demonstrojmë me vendosmëri përmes rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke shtuar angazhimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me organet e specializuara, me Komisionin Europian dhe me vendet anëtare të BE-së. Sepse në asnjë rast nuk duhet të harrojmë që jemi ne që po trokasim në dyert gjithnjë e më vështirë të penetrueshme të BE-së dhe jo e kundërta.Vendimi i Parlamentit holandez, edhe pse i pari për një nga shtetet që janë pjesë e listës së bardhë të Schengen, nuk është rrufe në qiell të kaltër. Vjet, në vigjilje të vendimit të BE-së për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, Parlamenti holandez, përmes një rezolute, i kërkoi qeverisë bllokimin e bisedimeve me Shqipërinë. Është fakt tanimë i njohur se për shkak të kundërshtisë së Francës dhe Holandës, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk i nisën menjëherë bisedimet për anëtarësim në BE. Kjo situatë shtyu vendet anëtare drejt një formule kompromisi me kalendar të përcaktuar për nisjen e këtij procesi pas qershorit të 2019”.

Gjithashtu Bushati pohon se historiku i qëndrimeve holandeze në çështjet që kanë të bëjnë me politikat europiane dhe standardet që lidhen me procesin e zgjerimit nuk fillon e as nuk duket se do të mbarojë me Shqipërinë.

“Në vitin 2016 Holanda ishte vendi i vetëm në BE që organizoi referendum për marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Europian dhe Ukrainës edhe pse u kritikua gjerësisht për pandershmëri dhe mungesë vizioni strategjik, duke pasur parasysh situatën specifike me të cilën përballej Ukraina pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe nevojën dramatike që kishte BE për t’u pozicionuar si lojtar i besueshëm në raport me ambicien e Ukrainës për t’u afruar drejt BE-së. Si rrjedhojë e këtij referendumi, marrëveshja BE-Ukrainë përmban garanci shtesë për tu mos interpretuar në asnjë rrethanë si marrëveshje që shtron rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian” tha ai.

Ne vijim Ai shton se “Holanda gjithashtu bën pjesë në grupin e vendeve që kundërshtojnë zgjerimin e zonës Schengen me Bullgarinë dhe Rumaninë, përkundër vlerësimeve të Komisionit Europian se këto dy vende i kanë përmbushur kriteret për të qenë pjesë e Schengenit. Është i mirënjohur qëndrimi kushtëzues i Holandës ndaj procesit të anëtarësimit të Kroacisë dhe Serbisë në BE për shkak të mosbashkëpunimit të tyre me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë. Gjatë krizës në eurozonë, Holanda spikati si një prej vendeve me qëndrim strikt ndaj vendeve të jugut të Europës duke reflektuar pikëpamjet dhe filozofinë e një vendi që është kontribues kryesor i mekanizmit financiar të BE-së e që kujdeset për çdo qindarkë të shpenzuar. Holanda mbetet një kritike e zëshme ndaj Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë në lidhje me reformat në fushën e sundimit të së drejtës”.

Ndryshe nga qëndrimi kundërshtues për anëtarësimin e Turqisë në BE, Bushati shprehet se Holanda e sheh Ballkanit Perëndimor si pjesë natyrale të BE-së, duke përqafuar qasjen ‘strikt por të ndershëm’ ndaj detyrimeve që kanë vendet aspirante për përmbushjen e reformave.

“Edhe në vitin 2013, pavarësisht miratimit të tre ligjeve të famshme dhe rotacionit të pushtetit dhe rekomandimit të qartë të Komisionit Europian për akordimin e statusit të vendit kandidat, Holanda bënte pjesë në grupin e vendeve që kërkonin më shumë prova bindëse nga ana e Shqipërisë. Më kujtohet fare mirë puna kapilare me vendimmarrës dhe opinion-bërës në Holandë, por jo vetëm, për komunikimin e reformave dhe rezultateve me durim dhe këmbëngulje. Një punë e përbashkët që u materializua me marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, në qershorin e 2014. Ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak javë nga vendimmarrja e vendeve anëtare të BE-së për zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim, historiku i më sipërm na tregon se duhet të demonstrojmë kohezion politik e shoqëror dhe një fokus të ripërtërirë për reforma, duke mos lejuar në të njëjtën kohë cenimin e arritjeve historike. Kjo do të ishte profilaksia e duhur në funksion të vendimmarrjeve të pritshme të cilat do të përcaktojnë kursin e Shqipërisë për një periudhë të paktën 10 vjeçare”, shprehet ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button