Vendimi për Ramush Haradinaj shtyhet për në 6 prill
Gjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore, ka shtyrë për në 6 prill, vendimin për kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.
Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Avokatët thonë që nëse gjykata hedh poshtë kërkesën serbe, Haradinaj do të jetë i lirë dhe Serbia nuk ka mundësi apelimi, ndërsa në një rast të kundërt, vendimin përfundimtar për ekstradim apo jo do ta merrte qeveria franceze, përkatësisht ministri francez i drejtësisë.
Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.
Ndalimi i Haradinaj nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij. Ky është rasti i dytë që Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të të Beogradit.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.