Intervista

Vendoret 2015, Bledi Çuçi: Ndryshimet teknike të Kodit Zgjedhor i kemi përgatitur

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi deklaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se opozitës i ka rënë alibia e reformës territoriale për bojkotin e zgjedhjeve.

Bleci-Cuci“Duket qartë se ka një vullnet të artikuluar të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por alibia e ndarjes së re territoriale tashmë ka rënë dhe ajo nuk mund t’i referohet më si çështje. Gjithsesi shpresojmë që opozita të reflektojë, sepse nuk është kurrë vonë për të kontribuar në të mirë të shqiptarëve”, tha Çuçi. Ai u shpreh gjithashtu se koalicioni i majtë do të gjejë kandidatët më të mirë për të fituar zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Zoti ministër, sapo kemi hyrë në vitin zgjedhor, ndërkohë që paralelisht po vijon edhe procesi për zbatimin e reformës administrativo-territoriale? A e pengojnë njëri-tjetrin këto dy procese?

Këto dy procese në vetvete janë komplementare dhe absolutisht nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Ajo që e pengon nëse mund të flasim për pengesa është vullneti politik për të miratuar ndryshimet ligjore respektive për t’u përshtatur organizimit të institucioneve të ndryshme me hartën e re territoriale. Duke qenë se kemi inkurajuar gjithmonë gjithëpërfshirjen dhe konsensusin politik midis palëve, ne presim që opozita të bëhet pjesë e këtyre diskutimeve dhe miratimit të ndryshimeve të nevojshme ligjore. Fjala bie, opozita duhet të shprehet qartë nëse sipas saj; a ka nevojë të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor për të organizuar sipas të gjitha standardeve evropiane zgjedhjet vendore në përputhje me hartën e re territoriale, apo jo? Dhe në gjykimin tim, më shumë se askujt, këto standarde i nevojiten opozitës.

A do të shmangen dot mbivendosjet që mund të ndodhin në kompetenca midis bashkive të afërta, për shkak të ndarjes së re territoriale?

Nuk mund të ketë mbivendosje në kompetenca në bashkitë e afërta sepse ato e kanë të mirëpërcaktuar juridiksionin territorial dhe kompetencat përkatëse. Gjithashtu në këtë kontekst ju informoj se do të fillojmë procesin e përcaktimit të saktë me koordinata gjeografike të kufijve administrativë midis 61 bashkive të reja, proces që nuk është kryer ndonjëherë në këta 23 vjet dhe mbivendosjet për të cilat ju i referoni si shqetësim potencial nuk do të ndodhin.

Opozita ka paralajmëruar se me këtë hartë territoriale nuk do të hyjmë në zgjedhjet vendore. A ka menduar qeveria se si do t’i përgjigjet një vendimi të tillë të PD-së, nëse ndodh vërtet? A do të ketë zgjedhje në rast të bojkotit të opozitës?

Pohime të tilla kategorike nga opozita janë një shenjë jo e mirë që tregon nivelin ku ajo ka rënë. Një opozitë e përgjegjshme nuk duhet të artikulojë qëndrime të tilla radikale dhe ekstremiste, por duhet të jetë alternativë ndaj pushtetit. Kjo është ajo që presin qytetarët nga opozita në një demokraci. Dhe alternativa ndaj pushtetit krijohet duke marrë pjesë në garë, jo duke e braktisur atë. Nëse nuk fiton votat e qytetarëve, i ke hequr vetes mundësinë që t’i përfaqësosh ata në nivelet e ndryshme të pushtetit. Fatkeqësisht me këto qëndrime opozita bëhet pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes së tij. Ndërkohë që mazhoranca është treguar bashkëpunuese në të gjitha rastet. Specifikisht në procesin e reformës territoriale, opozitës ju rezervua e drejta e vetos dhe barazia njësoj si vetë mazhoranca. Pra thjesht për arsye politike, duke paragjykuar pa argumente këtë reformë, opozita nuk mori pjesë asnjë ditë të vetme në proces, megjithëse pati disa muaj kohë për ta bërë këtë. Pra nuk ka argumente për të kundërshtuar hartën, aq më tepër që edhe Gjykata Kushtetuese e ka marrë një vendim për këtë çështje. Qëndrimi ynë, por edhe i partnerëve ndërkombëtarë është i qartë për këtë çështje: zgjedhjet lokale do të zhvillohen me hartën e re territoriale.

Opozita që e ka bërë pjesë të retorikës të saj politike zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duhet që edhe ajo vetë t’i zbatojë këto vendime, përkundrazi e gjithë kauza e saj politike për të cilën kërkoi edhe marrëveshjen politike me ndërhyrjen e eurodeputetëve, kthehet në farsë dhe hipokrizi. Duket qartë se ka një vullnet të artikuluar të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por alibia e ndarjes së re territoriale tashmë ka rënë dhe ajo nuk mund t’i referohet më si çështje. Gjithsesi shpresojmë që opozita të reflektojë, sepse nuk është kurrë vonë për të kontribuar në të mirë të shqiptarëve.

Ndarja e re territoriale a pritet të sjellë më shumë fonde për bashkitë e reja që po krijohen, pasi shpesh herë edhe mes deputetëve të PS-së ka patur një lloj diskutimi për zonat e tyre, sa i përket investimeve në infrastrukturë nga ana e qeverisë?

Efekti i përfitimeve financiare si pasojë e reformës territoriale është i shumëfishtë dhe do të ndjehet menjëherë që në vitin e parë të funksionimit pas zgjedhjeve vendore të 2015-ës. Nga përllogaritjet e ekspertëve del se përfitimi do të jetë diku tek 60 milionë dollarë në vit për buxhetet vendore. Ndërkohë që padiskutim bashkitë e reja, me kapacitete të përmirësuara, do të kenë më shumë mundësi të përfitojnë nga programet zhvillimore të financuar nga BE-ja, donatorë apo investitorë vendas dhe të huaj. Ndërkohë, një tjetër përfitim i madh është unifikimi i menaxhimit në nivel vendor, duke shmangur copëzimin dhe anarkinë totale që ekziston në këtë aspekt prej shumë vitesh në vendin tonë.

Presidenti Bujar Nishani ka përcaktuar datën 21 qershor si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Kur pritet të nisin diskutimet për ndryshimin në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që tu hapet rruga zhvillimit të zgjedhjeve?

Ndryshimet teknike të Kodit Zgjedhor duhen bërë për efekt të reformës territoriale. Me ndihmën e ekspertëve ne kemi përgatitur këto ndryshime teknike dhe pritet që me fillimin e punimeve të parlamentit të diskutohet me opozitën për të kryer këto ndryshime të nevojshme. Në këtë aspekt, është për t’u përshëndetur vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili hodhi poshtë përpjekjet e opozitës, për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të 21 qershorit, përmes organizimit të një numri referendumesh lokale. Ky vendim është një vulë tjetër aprovuese, që zgjedhjet marrin mbi vete.

Kur do të nisin konsultimet me aleatët tuaj të koalicionit për të vendosur për strategjinë që do të përdorni në këto zgjedhje?

Për këtë çështje nuk më takon mua të shprehem pasi janë strukturat e partisë që do të merren me organizimin elektoral. Gjithsesi ne do të jemi gati në kohë për të paraqitur kandidatët më të mirë të koalicionit tonë.

Deri më tani janë përfolur disa emra për bashkinë më të madhe të vendit, atë të Tiranës që nga ministrja Mimi Kodheli, deputeti Pandeli Majko apo deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi. A ka mundësi që sfida e Tiranës t’i mbetet LSI-së këtë herë?

Tirana do të ketë padyshim, kandidatin më të mirë të mundshëm që do të garantojë fitoren në bashkinë më të rëndësishme të vendit.

Në pozicionin e Koordinatorit Kombëtar për Korrupsionin, a mendoni se nisma e fundit që ka lançuar kryeministri për të ftuar qytetarët të denoncojnë online do të zgjidhë këtë problem që ekziston prej vitesh?

Po, dhe kjo për dy arsye. E para sepse do të jetë një mjet i njohur nga të gjithë qytetarët, të cilët nuk do të duhet më të mendojnë apo interesohen se cila faqe interneti i përket kujt institucioni dhe se çfarë mënyrash duhet të ndjekin për raportime apo denoncime. E dyta dhe që është më e rëndësishmja, përveç faktit që mënyra e denoncimit do të jetë e përqendruar, e lehtë për t’u përdorur nga qytetari, qytetari do të vihet në dijeni, kurdo nuk dëshiron të mbetet anonim mbi ecurinë e çështjes dhe zgjidhjen e saj.

Gjithashtu, dua të theksoj këtu se informatat të cilat do të japin qytetarët do të jenë të sigurta dhe një zyrë operative në Kryeministri do të punojë për të ndjekur nga afër rast pas rasti në kohë reale denoncimet deri kur të marrin zgjidhje nga institucionet përgjegjëse. Si kryeministri dhe unë në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, do të publikojmë në mënyrë periodike të dhënat dhe rastet e referuara nëpërmjet portalit unik. Kemi dhënë prova në këtë një vit e gjysmë, që dimë të luftojmë korrupsionin dhe që dimë të bëjmë atë që të tjerë para nesh nuk e kanë bërë prej vitesh. Ndërtimet pa leje dhe faturat e papaguara të energjisë janë vetëm dy raste që provojnë konceptin për të cilin po flas.

Rasti më i fundit, që u bë publik është ai i shoqëruesit të ministres së Arsimit që premtonte vende pune kundrejt parave. A besoni se të tilla raste mund të shmangen plotësisht?

Rasti i shoqëruesit të ministres është shembull i qartë i shprehjes së vullnetit të qeverisë tonë për të mos bërë asnjë kompromis me korrupsionin. Koha kur shoferët dhe truprojat, apo të afërm të zyrtarëve të lartë, “punësonin” apo “zgjidhnin” problemet e njerëzve ka mbaruar. Rasti që ju përmendni është demonstrimi më i drejtpërdrejtë i ndryshimit të kësaj qeverisjeje, me ata që kanë drejtuar vendin para nesh. Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që synojmë një shoqëri ku nuk do të ketë më njerëz që do të tentojnë të korruptojnë, apo zyrtarë të pakorruptuar. Është absurde të themi që do të zhduket plotësisht pasi është e ditur se ky fenomen është i pranishëm në të gjithë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara. Ju kujtojmë shifrën e fundit të publikuar në raportin e BE-së, i cili konstaton se korrupsioni prek 28 shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe i kushton ekonomisë së tyre 120 miliardë euro në vit. Ndryshimi i kësaj qeverie qëndron tek qasja që ka ndaj fenomenit të korrupsionit dhe rasti i fundit me shoqëruesin e ministres së Arsimit paraqet qartë këtë qasje. Asnjë kompromis me të!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button