Politika

Vendoret, dështon arritja e një marrëveshjeje mes dy grupimeve në PD

Në Shqipëri, përpjekjet mes dy grupimeve të Partisë Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje për të shkuar me një kandidat të vetëm në zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit, kanë dështuar përfundimisht. Deputetët që njohin si drejtues kryetarin e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, përmes një deklarate, bënë sot përgjegjës palën tjetër, që mbështet ish kryeministrin Sali Berisha, e cila sipas tyre kishte refuzuar çdo propozim duke dëshmuar sipas tyre “mungesë sinqeriteti dhe vullneti për gjetjen e një zgjidhjeje”.

Më 10 tetor, palët shprehën gatishmërinë e tyre për të biseduar mes tyre, në një përpjekje për të kapërcyer ndarjet e thella dhe mos përsëritjen e situatave si ato të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, kur PD u shfaq e dy kandidatë me sigla të ndryshme, që pasoi një humbje të 5 nga 6 bashkive ku po garohej për kryetar. Njëra palë u përfaqësua në takim me zoti Gazmend Bardhi, ndërsa tjetra me zotin Edi Paloka. Të dy u takuan disa herë.

Dje u bë publik një propozim me shkrim që zoti Bardhi kishte paraqitur e që konsistonte në ngritjen e një strukture të përbashkët, me përfaqësi të barabartë që do të mbikëqyrte procesin e përzgjedhjes së kandidatëve i cili do të duhej të bëhej mbi bazën e një sistemi pikëzimi ku “përfshihen 50 përqind e pikëve nga votimi sipas parimit “një anëtar / 1 votë” dhe 50 për qind e pikëve nga “vrojtimi i opinionit të gjerë publik” nëpërmjet sondazheve”. Vendimmarrja e kësaj strukture do të duhej të ishte unanime. Një propozim i cili që mbrëmë u komentua me tone refuzuese nga zoti Berisha gjatë një interviste për televizionin Euronews Albania. Sipas zotit Berisha, organizimi i sondazheve ishte shumë i kushtueshëm e për më tepër nuk mund të barazohej me votën e anëtarësisë.

Ndërsa sot në mbrëmje, zoti Paloka bashkwbiseduesi i zotit Bardhi në bisedimet dypalëshe tha se propozimi për vendimmarrje unanime “praktikisht ishte një veto, e cila kërkohet jo kur hyn për të bashkëpunuar. Unë e kuptoj kur kjo i kërkohet Ramës, si palë kundërshtare, por ta kërkosh brenda partisë kur presupozohet që ke hyrë me vullnetin për të bashkëpunuar? Kjo do të thotë se ti mendon se si do që ta bllokosh një proces”

Përmes deklaratës, grupi i mbështetësve të zoti Alibeaj, u shpreh sot i keqardhur që “në kundërshtim me zotimin publik për “bisedime pa kushte”, prevaloi interesi dhe kushti për të njohur “Statutin” e 11 Dhjetorit, duke minuar në këtë mënyrë bisedimet”. Sipas tekstit, pala tjetër akuzohet se ka vepruar me paramendim dhe me logjikën e faktit të kryer, duke vënë në dukje faktin që “ndërsa palët ishin në bisedime mes tyre, njëra palë vijonte me akte të njëanshme apo me deklarata publike të disa përfaqësuesve politik që shkonin në frymën e nxitjes së dështimit të bisedimeve”.

Por sipas zotit Paloka “asnjë kusht nuk kemi vënë, përveç primareve që kanë qenë të padiskutueshme që në fillim, dhe kemi diskutuar për gjetjen e modaliteteve Brenda primareve. Asnjë kusht tjetër nuk pati nga ne”. Ai shtoi se “vullneti ynë ka qenë i plotë deri në momentin e fundit. Pala tjetër paska patur qëllim vetëm zhbërjen e statutit”.

Nga ana e tij dhe zoti Berisha deklaroi se “statuti i 11 dhjetorit është Kushtetuta e pathyeshme e PD-së së Rithemeluar. Statuti është jashtë çdo lloj kompetence për t’u shkelmuar. Zotërinjtë, një grup deputetësh, u ftuan, ose erdhën, pa asnjë lloj paragjykimi dhe prapamendimi që të bashkohen nëse donin, të garonin për çdo post në këto bashki, të paraqisnin kandidatura, ose në përputhje me statutin të krijonin, po të duan fraksionin. Por ata, sa janë nuk e di, por ata nuk duan as statutin as primaret dhe as fraksionin”, deklaroi ai. Partia Demokratike e drejtuar prej tij, ka hapur procesin e primareve brenda saj për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore, dhe javën e shkuar firmosi dhe një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë e Lirisë së drejtuar nga ish presidenti Ilir Meta, për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore me një kandidat të përbashkët.

Përmes deklaratës së sotme, grupi i deputetëve që udhëhiqen nga zoti Alibeaj, bëri të ditur se do të nisë përgatitjet e veta për pjesëmarrjen në zgjedhjet e majit të vitit të ardhshëm. Të dyja palët janë në një betejë juridike me njëra tjetrën. Selia e Partisë u mor nën kontrollin e zotit Berisha në muajin mars, pas dorëheqjes së ish kryetarit Lulzim Basha dhe vendimit të Gjykatës së Tiranës që njihte statutin e miratuar nga Kuvendi i organizuar prej tij dhe mbështetësve të tij në dhjetor të vitit të kaluar. Çështja nuk është mbyllur, dhe ka përfunduar në Gjykatën e Apelit pas ankimimit të zotit Alibeaj. Por zoti Berisha foli në mbrëmje me tone kërcënuese kur u shpreh se “ai që prek flamurin e PD-së, i ka bërë hesapet shumë, shumë keq. Kjo do të thotë që do e shikoni në ditët e ardhshme. Nuk i preket flamuri Partisë Demokratike”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button