Vendoret, LSI propozon administratorët ku është forcë e parë politike
Nga Artemisa Hoxha
Partitë e mëdha që ndajnë pushtetin qendror, PS-ja dhe LSI-ja, pritet që të ndajnë së bashku dhe atë lokal, në nivel drejtuesish të njësive administrative. Po flitet prej kohësh që pas përfundimit të zgjedhjeve të 21 qershorit, ku koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” fitoi 46 bashki, për një marrëveshje mes këtyre dy partive, por duke përfshirë edhe ato të tjerat që i bashkëngjiten para 21 qershorit sesi do të ndahet torta e pushtetit vendor. Mësohet se marrëveshja mes PS-së dhe LSI-së konsiston pikërisht në ndarje në bazë të votave të marra më 21 qershor. Dy partitë në pushtet kanë arritur në një marrëveshje konkrete për propozimin e emrave të administratorëve të njësive administrative në vend, ku radhiten të dytët për nga pushteti që kanë në njësitë vendore, e cila përcakton qartë se në ato bashki ku LSI-ja ka dalë forcë e parë politike, do të ketë të drejtën që të propozojë administratorët në çdo njësi, por nuk përjashtohet mundësia që edhe në këto njësi PS-ja të ketë administratorë. Ndërsa PS-së do t’i mbeten pikërisht ato bashki, ku ka rezultuar forca e parë politike për të ndarë vetë, bazuar edhe në votat e aleatëve, propozimet për administratorët. Administratorët do t’u propozohen krerëve të bashkive, të cilët do të jenë ata që do t’i emërojnë në postin e tyre, por kjo sigurisht mbetet në një moment të dytë pas konstituimit të 61 bashkive në vend.
Rezultatet
Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, koalicioni i majtë me 37 parti ka marrë plotë 46 bashki nga 61 të tilla sipas ndarjes së re territoriale. LSI-ja, si forcë e vetme, ka arritur që në 18 të tilla të dalë forcë e parë politike, përkatësisht në 7 që janë fituar nga kandidatët e propozuar prej opozitës. E drejta e saj për të propozuar administratorët është pikërisht në bashkitë e mëdha, por edhe në komuna, ku nga rezultatet e zgjedhjeve doli e para nw krahasim me PS-në. Kështu, LSI-ja arriti që të dalë e para si forcë politike pikërisht në bashkitë e Skraparit, Delvinës, Dropullit, Mirditës, Klosit, Kurbinit, Bulqizës, Rrogozhinës, Elbasanit, Këlcyrës, Memaliajit, Malësisë së Madhe apo edhe në disa komuna, siç është ajo e Rruzhdies. Pavarësisht se nga 15 bashki që iu dha e drejta për të propozuar kandidatët e saj për kryetarë bashkie, arriti që të fitonte vetëm nëntë, LSI-ja në krahasim me zgjedhjet e kaluara vendore, ka shtuar votat e saj, çka dukshëm është reflektuar edhe në renditjen e saj si forcë e parë politike në votat që janë për anëtarët e këshillave bashkiakë, ose e dyta pas PD-së në ato bashki që u fituan nga e djathta. Gjithsesi, humbja e LSI-së, por edhe e PS-së, ishte ajo e bashkive të majta që ndryshuan ngjyrim politik pas 21 qershorit. Bëhet fjalë për Bashkinë e Lezhës, atë të Përmetit, Kukësit, Mallakastrës, si dhe Pogradecit e Shkodrës.
Mbledhjet
Mësohet se deputetët dhe ministrat e mandatuar për të ndjekur procesin zgjedhor janë duke kryer takimet e para me gjithë këshilltarët e bashkive që kanë dalë fitues në çdo bashki, para konstituimit të tyre. Në të njëjtën kohë mësohet se vetë kreu i PS-së, Edi Rama, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të partisë, Gramoz Ruçi, janë takuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, dhe sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Luan Rama, pikërisht për të dhënë direktivat bashkëpunuese të tyre në çdo këshill. Sot, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, përgjegjës për Qarkun e Gjirokastrës, pritet që të mbledhë të gjithë këshilltarët e majtë të pesë bashkive të Qarkut Gjirokastër, takim i cili vjen pak para konstituimit të tyre.
Bashkitë ku LSI-ja ka dalë forcë e parë politike në krahasim me PS
– Delvinë
– Skrapar
– Këlcyrë
– Krujë
– Mirditë
– Memaliaj
– Malësi e Madhe
– Mallakastër (PD)
– Fushë-Arës
– Dropull (PD)
– Kamzë (PD)
– Vorë (PD)
– Devoll
– Kukës (PD)
– Pukë
– Gramsh
– Klos (PD)
– Përmet (PD)
Nënkryetarët dhe drejtuesit e këshillave bashkiakë
Një tjetër pikë e rëndësishme e marrëveshjes mes PS-së, LSI apo dhe forcave të tjera të cilat kanë rezultuar fituese për kryetar bashkie apo dhe këshilltarësh është ajo për të drejtën e propozimit të nënkryetarit të bashkisë apo kreut të këshillit bashkiak. Në bashkitë ku kryetari është fituar nga PS dhe LSI është forcë e dytë politike, kjo parti do të ketë të drejtën e përfaqësimit në nivel nënkryetari bashkie, si dhe e njëjta praktikë do të ndiqet në ato bashki që janë fituar nga PDIU, ku e drejta për të propozuar nënkryetar të bashkisë do të jetë e Partisë Socialiste apo e LSI, në varësi të mbështetjes së marrë me vota. Ndërkohë që nga sa mësohet për postet e tjera në administratë, numri i vendeve do të përcaktohet në raport me përqindjen që do të rezultojë përkundrejt vendeve në administratë dhe përqindjes së votave ndaj partisë më të madhe. Gjithsesi për vënien në zbatim të kësaj marrëveshjeje pritet më parë konstituimi i bashkive si dhe brenda 5 ditëve të para nga nisja e punës së kryebashkiakëve, të realizohet konstituimi i këshillave bashkiakë. Emrat e krerëve që do të propozohen për kryetarë të këshillave është pikërisht temë e diskutimeve në mbledhjet që po bëhen mes këshilltarëve të partive që kanë dalë fitues në zgjedhjet e 21 qershorit. Partia Socialiste do të marrë për bazë rezultatet e votave edhe për aleatët e tjerë, përveç partive të mëdha, duke u garantuar atyre poste drejtorësh apo dhe sekretarë të këshillave bashkiakë. Gjithsesi muaji shtator pritet që të sjellë edhe 45 bashkitë e fituara nga e majta të kompletuara sipas organikës së ndarjes së re territoriale.
Bashkitë e fituara nga PS-LSI
- Bashkia Tepelenë
- Bashkia Sarandë
- Bashkia Korçë
- Bashkia Maliq
- Bashkia Divjakë
- Bashkia Gramsh
- Bashkia Peqin
- Bashkia Belsh
- Bashkia Urë Vajgurore
- Bashkia Poliçan
- Bashkia Roskovec
- Bashkia Konispol
- Bashkia Mirditë
- Bashkia Himarë
- Bashkia Fushë-Arëz
- Bashkia Libohovë
- Bashkia Kolonjë
- Bashkia Pukë
- Bashkia Delvinë
- Bashkia Skrapar
- Bashkia Has
- Bashkia Pustec
- Bashkia Këlcyrë
- Bashkia Cërrik
- Bashkia Kurbin
- Bashkia Rrogozhinë
- Bashkia Librazhd
- Bashkia Malësia e Madhe
- Bashkia Lushnjë
- Bashkia Memaliaj
- Bashkia Fier
- Bashkia Elbasan
- Bashkia Gjirokastër (LSI)
- Bashkia Patos
- Bashkia Përrenjas
- Bashkia Shijak
- Bashkia Bulqizë (LSI)
- Bashkia Kuçovë
- Bashkia Dibër
- Bashkia Vlorë
- Bashkia Krujë
- Bashkia Kavajë
- Bashkia Durrës
- Bashkia Berat
- Bashkia Tiranë