Verifikimi i titujve të pronësisë, fitojnë pronarët e ligjshëm dhe zhvillohet turizmi
Pezullimi i përkohshëm i regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet i shërben pronarëve të ligjshëm dhe zhvillimit të turizmit në vend.
Kështu deklaroi të enjten, në një intervistë për ERTV, drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili shpjegoi vendimin e qeverisë për bllokimin e përkohshëm të regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet dhe pastrimin e vijës bregdetare nga minat e korrupsionit me pronat përgjatë kësaj vije strategjike për zhvillimin ekonomik e mbrojtjen mjedisore të vendit.
Lame tha se “ky vendim është vetëm në të mirën e vendit, pronarëve të ligjshëm dhe të zhvillimeve të mëtejshme”.
“Sikur ta kishim marrë këtë vendim para 10 vitesh, dëmi do të kishte qenë shumë më i vogël, sikur ta kishim marrë para 5 vitesh, dëmi do të ishte po më i vogël, sikur ta marrim pas 5 vitesh, do të jetë e kotë, pasi merr fund çdo gjë”, tha ai.
Duke sqaruar vendimin e qeverisë, Lame tha se “në zonën bregdetare të vendit, nga Buna deri poshtë në kepin e Stillos, do të pezullohet regjistrimi në hipoteka i titujve të pronësisë të dhëna nëpërmjet ligjit 7501 dhe do të bëhet verifikimi i tyre”.
Tjetërsimi i pronës, nuk funksionuan filtrat e shtetit
Shteti ka filtrat e tij që duhet ta verifikonin këtë gjë, por që sipas Lames, “nuk kanë funksionuar asnjëherë, të paktën në 20 vitet e fundit”.
“Them në 20 vjet dhe jo 27 vjet siç thuhet zakonisht, sepse në 5-6 vitet e para ligji për ndarjen e tokës ka funksionuar deri diku mirë. Problematikat e atij ligji kanë filluar diku pas vitit 2000. Pas vitit 2000, kur kishte mbaruar ç’mund të ndahej vërtetë, filluan të ndaheshin ato që nuk duheshin ndarë”, tha Lame.
Sipas tij, ZRPP, që është filtri i fundit në këtë proces, ka disa vjet që jep sinjalin e kuq për probleme.
“Në një moment të caktuar kjo problematikë u bë shumë e dukshme, qoftë nëpërmjet raporteve të ZRPP-së apo auditeve të qeverisë (task forca e nisur nga kryeministri para 2-3 vitesh), apo nga goditjet e organeve ligjzbatuese dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pra u bë aq e madhe problematika, saqë askush nuk mund të mbyllte më sy në një qeveri të përgjegjshme”, tha Lame.
Masakra me pronën, kryesisht në bregdet
Pyetjes se përse bregdeti është në përgjithësi i paregjistruar, Lame iu përgjigj se ‘masakra’ me pronën, joshjen më të madhe e ka në bregdet.
“Arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë pse është lënë bregdeti i paregjistruar. Në çdo km bregdet të Shqipërisë, më tepër se 2/3 janë të paregjistruar dhe arsyeja është shumë e thjeshtë: për të bërë të mundshme masakrën me pronën në bregdet. Natyrisht që masakra me pronën, joshjen më të madhe e ka në bregdet, dhe jo në Tropojë, Malin e Tomorrit apo majën e Nemërçkës”, tha Lame.
Në Shqipëri ligji nuk është më garanci, vijoi Lame, pasi sipas tij, kemi një ligj për kontrollin e verfikimit të titujve të pronësisë në territor, të miratuar nga qeveria paraardhëse në vitin 2008, që nuk është zbatuar.
Nuk mjaftojnë ligjet, duhet vullnet politik
Në rastin konkret, sipas tij, ishte një vullnet politik i qeverisjes që vendosi që përtej avancimit me këtë ligj (sepse ligji vazhdon të jetë në fuqi dhe prefektët janë aktivizuar me këtë situatë), u bë edhe bllokimi në ZRPP i regjistrimeve për t’i kontrolluar përpara se të kalojnë edhe filtrin e fundit.
“Nuk mjaftojnë ligjet, sidomos në vende me sistemin ligjor ende problematik, të paplotësuar, të kundërvënë, të mbivendosur ku nuk kërkon njeri llogari për zbatimin e ligjeve. Nëse nuk është edhe vullneti qeverisës për ta zbatuar, nuk ndodh asnjë gjë. Ishte vullneti i qeverisë që e kërkoi këtë gjë me ngulm”, tha Lame.
Kreu i ALUIZNI-t garantoi njerëzit se fasha bregdetare që është përzgjedhur për t’iu nënshtruar kontrollit është detajuar me saktësi, pikërisht për të ndarë zonën e brendshme të vendit, ku fermerët kanë marrë tokën reale e të ndershme me të cilën punojnë dhe mbajnë familjen, nga fasha bregdetare me të cilën është spekulluar dhe është keqpërdorur.
“Kushdo që e ka marrë me rrugë të ndershme dhe mban familjen me atë tokë, si tokë bujqësore, të rrijë i qetë dhe të vazhdojë punën”, tha Lame.
Nuk është shkelur Kushtetuta, VKM nuk ndryshon ligjin
Lame sqaroi se qeveria nuk ka hequr asnjë titull pronësie. “Vendimi i qeverisë nuk heq asnjë titull pronësie. Kemi një ligj për dhënien e titujve të pronësisë, ky ligj zbatohet procedurialisht nëpërmjet një VKM-je që përcakton se si janë procedurat për të marrë një titull pronësie. VKM që nxorri aktualisht qeveria, thotë që në këtë VKM zbatuese pezullohet përkohësisht zbatimi i saj, sa të bëhet verifikimi”, tha Lame.
Në këtë drejtim, ai i kthen përgjigje pretendimeve të opozitës, sipas së cilës, po ndryshohet në mënyrë antikushtetuese një ligj me VKM.
“Nuk është shkelur Kushtetuta, pra nuk është ndryshuar ligji me VKM. Nuk ka asnjë gjë antikushtetuese, sepse nuk është ndryshuar ligji me VKM, por është pezulluar veprimi i një VKM-je me një tjetër VKM. Askujt nuk i është hequr titulli i pronësisë, thjesht është pezulluar regjistrimi i këtij titulli pronësie në ZRPP, deri sa të bëhet verifikimi”, vijoi Lame.
Sipas tij, “vetë qeveria paraardhëse bëri një ligj për verifikimin e titujve të pronësisë në 2008, por ligji nuk funksionoi për arsye teknike dhe për arsye politike.
“Nuk funksionoi për arsye politike, pasi kur panë se kush i kishte marrë këto toka, nuk ekzistoi vullneti politik për të zbatuar ligjin. Dhe së dyti, ata e bënë ligjin për gjithë Shqipërinë, ne merremi vetëm me bregdetin, ku është i dukshëm problemi i plaçkitjes së pronës”, tha Lame.
Përgjegjësi, kush ka firmosur dhe ka falsifikuar dokumenta
Sipas tij, “kush ka blerë në mirëbesim toka në bregdet, është në gjendje mirëbesimi, pasi ky është term juridik”.
“Nëse ke blerë në mirëbesim sendi i rikthehet të zotit real, ti do të marrësh nga ai që ta ka shitur paratë, ose do të kthehet dëmi i shkaktuar. Por nuk është thjesht kjo zgjidhja, sepse do të komportojmë një numër të madh gjyqesh dhe aktesh të ndërmjetme, sepse ka njerëz që e kanë riblerë, apo kanë ndërtuar mbi këto troje”, shtoi Lame.
Por, sipas tij, “dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe përgjegjësi do të mbajnë ata që e kanë bërë të parët aktin”. “Ne jemi duke parë rrugë të tjera zgjidhje për të penalizuar edhe financiarisht ata që e kanë bërë aktin të parët, pa shqetësuar përfituesin e fundit”, theksoi Lame. I pyetur mbi përfaqësuesit politikë të përfshirë në këtë aferë, Lame tha se “hetimet kanë treguar edhe aktualisht përfshirjen e përfaqësuesve të majtë në këto procese”.
“Krimi nuk ka ngjyrë, është vetëm i zi”, tha Lame duke shtuar se “nuk besoj se ka ndonjë parti në Shqipëri që do të mbronte ata që kanë vjedhur”. “Nga hierarkia e atyre që do të penalizohen, do të penalizohen ata që kanë hedhur firmën, apo kanë bërë dokumenta false. Natyrisht që nuk firmos kryeministri për tokat në bregdet, pra nuk është se do të dali emër kryeministri”, tha Lame.
Sipas tij “ka një nivel të caktuar të administratës deri te kryetarët e bashkive, komunave, zyrtarë qarqesh apo prefekturash, që kanë mbyllur sytë dhe do të mbajnë përgjegjësi për firmën”.
Kompensojmë ish-pronarët dhe zhvillojmë turizmin
Duke sqaruar se si do të vijoj procesi, Lame tha se “pronat e tjetërsuara nuk do të shtetëzohen por do t’i kthehen të zotit, dhe i zoti është shteti shqiptar”.
“Pra nuk është se do të shtetëzohen pronat. Prona i kthehet komunitetit dhe shtetit. Përdorimi i tyre në parim ka dy aktorë të fuqishëm. I pari është përdorimi për kompensimin e ish-pronarëve, i cili vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha në lidhje me një padrejtësi historike dhe një legjislacion që nuk është mbyllur asnjëherë”, tha Lame.
Së dyti, sipas tij, ka të bëjë me investimet në zonat bregdetare. “Flasim për investitorë të fuqishëm, ndërkohë që kemi copëzim në dhjetra mijë parcela me nga 100-200-300-500 metra katrorë, që janë copëzuar pasi janë shitur e rishitur, për të zhdukur gjurmët. Për sa kohë është krijuar kjo fashë, ajo i merr frymën çdo lloj zhvillimi turistik në zonën bregdetare”, tha Lame.