Kosova

Vërshimet e lumenjve, probleme edhe në Kosovë

Reshjet e shiut, që filluan të martën në mbrëmje dhe vazhdojnë edhe aktualisht, kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës.

Si pasojë e tyre janë paraqitur probleme në disa qytete, por më e rënduar, gjendja paraqitet në komunën e Malishevës. Zyrtarët e kësaj komune bëjnë të ditur se, rruga Malishevë-Duhël është bllokuar.

“Lumi Mirusha dhe shumë përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke vërshuar në shumë pjesë të Komunës së Malishevës. Është bllokuar edhe rruga për në fshatin Gurbardh, përkatësisht ura në liqenin Mirusha. Sipas drejtorit për Mbrojtjen dhe Shpëtimin, Ahmet Morina, të gjitha ekipet e emergjencës dhe shpëtimit janë në terren, duke i ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Si pasojë e vërshimeve, gjendje e rënduar është paraqitur edhe në Gjakovë, Suharekë, Drenas dhe në disa qytete e vendbanime të tjera. Përmbytje janë shkaktuar edhe në Rrugën e Kombit.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti kryesisht i vranët dhe me reshje shiu do ta shoqërojë Kosovën gjatë të gjithë ditës së sotme si dhe gjatë natës, për sa kohë që në viset malore do të bjerë vetëm borë.

Reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme, kryesisht në pjesën e parë të ditës, ndërkohë që vende-vende do te këtë edhe reshje dëbore. Ndërsa temperaturat minimale pritet të bien nën zero sot dhe nesër gjatë natës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button