Kosova

Vetëvendosja fituese e zgjedhjeve lokale në Prishtinë dhe Prizren

Lëvizja Vetëvendosje shpalli fitoren në Prishtinë dhe Prizren duke e kremtuar deri natën vonë rezultatin e shpallur pas numërimit të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nëpërmjet postës. Numërimi i këtyre votave u mundësua pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë vendimin e Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), mekanizëm ky që kërkoi që votat e Prishtinës dhe Prizrenit të rinumërohen tërësisht. Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet të udhëheqë edhe për katër vjet në Prishtinë, pas një gare të ngushtë me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Arban Abrashi. Shpend Ahmeti ka 365 vota më shumë.

Edhe komuna e Prizrenit pritet të udhëhiqet nga kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Hasuka, i cili doli në avantazh prej 290 votash përballë kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj. Në Dragash, një komunë e vogël në jug të Kosovës, do të drejtojë PDK-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të këmbëngulë që të ketë rinumërim të tërësishëm të votave në Prishtinë, sikundër edhe Partia Demokratike e Kosovës, kërkon të njejtën gjë për Prizrenin.

Lufti Haziri, nënkryetar i LDK-së, thotë se kjo parti “nuk e pranon rezultatin në Prishtinë, pa rinumërim të kutive të votimit”.

“Kërkojmë rinumërim të tërësishëm deri sa nuk ndodh rinumërimi nuk ka rezultat në Prishtinë”, thotë Lutfi Haziri. Lidhja Demokratike e Kosovës paralajmëroi, se “do të përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjorë në mbrojtje të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet lokale, veçmas në rastet në të cilat janë evidentuar parregullsi, siç janë Prishtina dhe Dragashi”.

“Konsiderojmë se vendimi i Gjykatës Supreme cënon të drejtën kushtetuese të kandidatit të LDK-së, sepse nuk ia jep mundësinë që në mënyrë transparente të vërtetohen rezultatet përmes procesit të rinumërimit. LDK-ja gjithashtu konsideron, se vendimi i Gjykatës Supreme është i pabazuar, i pakuptimtë dhe i paarsyetuar për faktin, se ky vendim në arsyetimin e tij megjithëse pranon parregullsitë e evidentuara gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor në Komunën e Prishtinës, nuk lejon rinumërimin e kutive të votimit si mekanizëm i vetëm për të korrigjuar shkeljet dhe gabimet e evidentuara nga zyrtarët tanë në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së shpejti pritet të dalë me rezultatet finale për zgjedhjet lokale për kryetar komunash dhe me këtë t’i jepet fund procesit të stërzgjatur zgjedhor të zgjedhjeve loakle. Raundi i parë u mbajt më 22 tetor. Në raundin e dytë të zgjedhjeve, që u zhvilluan më 19 nëntor u votua në 19 komuna të Kosovës, pasi në raundin e parë të  22 tetorit, asnjëri nga kandidatët në këto komuna, nuk e mori numrin e mjaftueshëm mbi 50 përqind të votave. Pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve, sipas KQZ-së ishte 38 përqind, pak më e ulët sesa në zgjedhjet në raundin e parë. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve që monitorouan zgjedhjet për kryetar komune ishte rreth 12 mijë. Monitoruesit ishin përfaqësues nga subjektet politike, nga ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat joqeveritare, si dhe monitorues nga Bashkimi Evropian. Vëzhguesit thanë se edhe në raundin e dytë u përsëriten parregullsi të njëjta sikurse në zgjedhjet e fundit, votimet familjare dhe përpjekjet për votim të dyfishtë.

Në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit për kryetar komunash, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garoi në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në 9 komuna, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, Aleanca Kosova e Re në një komunë, Nisma në një komunë dhe Alternativa në një komunë.

Ndërsa në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 19 komuna të tjera e përfunduan procesin e votimit të kryetarit, për asamblistët komunal procesi përfundoi në të 38 komunat e Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button