Ekonomia

Vetingu/ Gjyqtarë dhe prokurorë tentojnë largimin e parave jashtë vendit

Teksa laku i Vetingut po ngushtohet, institucionet ligjzbatuese shqiptare kanë shtuar vigjilencën dhe kontrollet pas sinjalizimeve se disa gjyqtarë dhe prokurorë po tentojnë të nxjerrin jashtë Shqipërisë parë e pajustifikuara, me qëllim për t’i shpëtuar skanerit të trefishtë të kontrollit.

Shqiptarja.com ka mësuar se Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, struktura të posaçme të Policisë së Shtetit dhe segmente të shërbimeve informative po vëzhgojnë gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar, të dyshuar si të përfshirë në praktika korruptive ndër vite, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme, për fshehjen e parave të korrupsionit jashtë vendit.

Gatishmëria e institucioneve në fjalë mësohet se ka ardhur pas sinjalizimeve për disa lëvizje të dyshimta të njerëzve të drejtësisë, të cilët po lëvizin çdo gurë në prapaskenë për shpëtuar paratë e paligjshme nga lupa e Vetingut dhe sekuestrimi.

Informacionet kanë ardhur nga faktorë të brendshëm, por edhe nga shërbimet partnere të vendeve që janë investuar si asnjëherë më parë për shembjen e sistemit aktual të drejtësisë, përmes zbatimit të ligjit të Vetingut, duket larguar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Sipas burimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave është fokusuar tek transaksionet bankare të subjekteve nën vëzhgim, ndërsa policia dhe shërbimet inteligjente, po vëzhgojnë lëvizjet e tyre në terren, për të parandaluar largimin e parave nga Shqipëria në rrugë jo bankare, pra me çanta, me anë të njerëzve të besuar.

Në të njëjtën kohë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur verifikimin e ligjshmërisë së pasurive për njerëzit më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, me të cilët do ta startojë procesi i Vetingut.

Në bazë të konstatimeve, ILDKP do të hartojë një raport për secilin gjyqtar dhe prokuror. Raporti do të vihet në dispozicion të organeve të Vetingut, por edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët kanë kompetenca për të mbledhur fakte dhe prova. Faktori ndërkombëtar ka pritshmëri të mëdha sa i takon efekteve të zbatimit të ligjit të Vetingut në sistemin gjyqësor.

Ndërkombëtarët presin që rreth 400 gjyqtarë dhe prokurorë të mos i shpëtojnë skanerit të trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale.

Related Articles

Comente

    1. Vetingu dhe reforma ne drejtesi ka 4 vjet qe sabotohet nga hajduterite shqipetare.Shqipetaret mendojne se kurre nuk do behet.SHBA,BE ta realizojne reformen ne drejtesi dhe vetingun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button