Bota

Videoja e sulmit me gaz klorin në Siri përlot Këshillin e Sigurimit të OKB-së (Video)

Pamjet filmike të viktimave të një sulmi me gaz klorin në Siri, i kanë përlotur anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Videoja e shfaqur atyre tregon përpjekjet e pasuksesshme të mjekëve për të risjellë në jetë tre fëmijë, të gjithë nën 4 vjeç.

videoja-nga-siria-q-euml-i-b-euml-ri-t-euml-qajn-euml-an-euml-tar-euml-t-e-k-euml-shillit-t-euml-sigurimit-video_hd
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power, e përshkroi takimin si “tepër prekës” e tha se përgjegjësit e këtij krimi do të japin llogari.

“Nëse pati ndonjë sy që nuk lotoi në atë dhomë, unë nuk e pashë. Krahu i gjatë i drejtësisë po kërkon më shumë kohë nga sa dëshirojmë ne të gjithë që të prekë përgjegjësit e kësaj drame, megjithatë, në një moment apo një tjetër, të gjitha të dhënat e grumbulluara do të përdoren në sallën e gjyqit”, tha Power.

Qeveria siriane mohon të ketë gisht në sulmin e Idlibit. Megjithatë, doktorët sirianë, duke konfirmuar raportet e aktivistëve pas ngjarjes së ndodhur në 16 mars, i thanë Këshillit se helikopterë janë dëgjuar të fluturojnë mbi fshatin e Sarminit. Pas kësaj, erdhi një zhurmë e mbytur dhe një erë që të shponte hundët e brenda një kohe shumë të shkurtër, dhjetëra vetë vërshuan nëpër spitalet e zonës me vështirësi të mëdha në frymëmarrje.

Sulmi i Sarminit erdhi vetëm pak ditë pasi Këshilli i Sigurimit aprovoi një rezolutë e cila dënonte përdorimin e kimikateve toksike në Siri si gazi klorin dhe kërcënonte me veprime ushtarake në rast shkeljesh të mëtejshme. Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe anëtarët e Këshillit e kanë fajësuar prej kohësh qeverinë e Bashar al Assadit se qëndron pas një serie sulmesh kimike në vend, me argumentin se ushtria siriane është e vetmja palë në konflikt që disponon helikopterët e dëgjuar në Sarmin e zona të tjera ku janë regjistruar sulme të ngjashme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button