Vilma Hodo, në rolin e një femre pa emër
Aktorja tregon personazhin që çon një çift drejt divorcit
Ajo është thjesht vajza e fotokopjes, ose ndryshe thjesht Ajo. Vilma Hodo, një nga aktoret e reja të talentuara të teatrit është zgjedhur nga regjisori Erion Kame për të interpretuar personazhin pa emër që do të hyjë në jetën e çiftit në komedinë “Një jetë me ty”. Hodo do të jetë vajza sensuale së cilës i pëlqen të luajë me ndjenjat e meshkujve dhe të zbavitet me reagimet e tyre. Një personazh tërheqës, por jo i lehtë për t’u sjellë në skenë nga një aktore. Por Vilma ka gjetur gjuhën e komunikimit me këtë personazh, duke e parë në të gjitha këndvështrimet që ajo shfaqet në skenë, dhe duke e dashur, ashtu si çdo aktor do personazhin që i besohet, me gjithë të metat e tij.
Si ndihesh nën lëkurën e një femre e cila kërkon të hyjë në jetën e një çifti?
Në komedinë e shkruar nga Erion Kame ky personazh është pa emër, ajo quhet thjesht vajza e fotokopjes dhe “ajo” . Mungesa e emrit është e qëllimshme. “Ajo” është kudo në zyra institucionesh, organizata, parti, televizione, korporata. “Ajo” pëlqen “të luajë” me ndjenjat e meshkujve, të zbavitet me reagimet e tyre. Është e mprehtë dhe i kupton shumë mirë pse ata janë ashtu, çfarë u mungon! Joshja është një mënyrë zbavitjeje, dhe një instrument në dorën e saj. Raporti me këtë personazh ka qenë shumë organik. Të jesh në lëkurën e saj është interesante, me sytë e saj shikon sa fuqi ka një femër joshëse të përdor meshkujt dhe nga një kapriçio a tek të vendos në rrezik një martesë. Si aktore më ka dhënë mundësi të ndërtoj tre dimensione të këtij personazhi të cilat e plotësojnë këtë figurë, mënyrën si burri e sheh atë, si ajo e përfytyron veten dhe përfytyrimin e gruas.
Cilin nga tri përfytyrimet të pëlqen më shumë teksa e interpreton?
Te të tria përfytyrimet duhet të jem vepruese, por te përfytyrimi që vajza ka për historinë (versioni i vajzës) më intrigon që skenën e udhëheq vajza, ajo ka sistemin e drejtimit në dorë dhe të frenimit gjithashtu!! Skenikisht është skena që unë udhëheq. Por figura e saj plotësohet nga të tria versionet.
Çfarë do të veçoje te ky personazh?
Te ky personazh më frymëzojnë shumë ngjyrat e saj, në imagjinatën time ajo i ngjan një kameleoni. Merr ngjyrë nga natyra dhe në rast rreziku merr ngjyrat e natyrës. Gjithashtu dhe raporti që ka ky personazh me publikun. Nisur dhe nga koncepti regjisorial i regjisorit, më ka dhënë mundësi të ndërtoj dhe raportin me publikun. Kam qenë shumë komode të punoja me kolegen dhe shoqen time, Suela Bako, dhe bashkëshortin e saj, Romir Zalla
Ju keni interpretuar dhe në dramë, por një rol në një komedi çfarë është për një aktore?
Lakueshmëri, dhe shpejtësi në reagim. Të interpretosh në komedi është profesionalisht shumë e shëndetshme për aktorin, plastikisht duhet të jesh shumë mirë, shpejtësi në reagim, energjia që komedia kërkon të prekë aftësi që ke dhe që zhvillon si profesioniste.
Kur një rol përfundon, çfarë mbetet prej tij te ty?
Ngelet ajo një copëz nga ajo figurë që ti i ke dhënë jetë gjatë provave dhe reprizava, mund të jetë në formën e një kujtese emocionale, një mënyrë reagimi, një batutë, një veprim, apo një gjurmë emocioni …
Nga ky personazh pa emër ç’do marrësh me vete?
Mprehtësinë e saj.