Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut mbledh arbëreshët në Tiranë
Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut mblodhi mbrëmjen e së martës, në një pritje gala në Pallatin e Brigadave, 150 përfaqësues të komunitetit arbëresh, komunitet që farkëtoi në shekuj dritën e kujtesës së dheut mëmë, duke mos e lënë të tretej kujtimi i “Motit të madh” dhe i Heroit të tyre Gjergj Kastrioti.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, duke cituar poetin arbëresh Zef Skiroi tha se “Gjergj Kastriot Skënderbeu është zemra e përjetshme e Shqipërisë, është zemra e zjarrtë e të gjithë shqiptarëve”.
“Historia e një kombi është e pandashme nga historia e kulturës së vetë dhe askund më mirë se sa në botën shqiptare nuk do të gjenim shembullin e përsosur të frymëmarrjes së tyre të përbashkët.
Identiteti jonë qëndron i paprekur, i lashtë dhe modern me rrënjët dhe në zemrën e kombit. Në zemrën e kombit shqiptar Skënderbeu jeton prej më shumë se 5 shekujsh e gjysëm si një gur themeli, pa të cilin ngrehina jonë identitare nuk do të qëndronte dot”, tha Kumbaro.
Skënderbeu, vijoi Kumbaro, formuloi një nga mësimet më të mëdha të historisë se liria vjen së pari nga zemra dhe pastaj nga shpata. “Populli arbëror i mahnitur nga adhurimi i këtij burri e lartësonte kujtimin e princit të dashur dhe këtë e dëshmojnë të gjithë. Kush nuk është prekur nga nostalgjia e tyre arbëreshëve, që të larguar drejt Italisë farkëtuan dritën e kujtesës së dheut mëmë në shekujt e gjatë të errësirës, duke mos e lënë të tretet kujtimi i Gjergj Kastriotit”, vijoi Kumbaro.
Poezia popullore arbëreshe, sipas Kumbaros, është sot pjesë e pasurisë shpirtërore mbarëkombëtare, ndërsa poetët arbëreshë i rikthyen letërsisë shqiptare heroin dhe kombin e përsosur. “Shqiptarët nuk janë të vetmit që e panë Skënderbeun si simbol të lirisë. Kudo ndër studiues ekziston sot bindja se kjo referencë intensive në vepra artistike e Skënderbeut, forcohej pikërisht atëherë kur Evropa e lirë parandiente kanosjet e pushtimit osman”, tha Kumbaro.
Altimari: Figura e Gjergj Kastriotit, pasaporta e parë e arbëreshëve
Ndërsa studiuesi Françesko Altimari u shpreh se arbëreshët gjetën te figura e Gjergj Kastriotit pasaportën e parë me të cilën u përfaqësuan.
“Jehona e bëmave të tij largpamësia e tij politike na siguroi mbijetesën. Ne jemi gjallë sot pas vdekjes së tij, e na ringjalli figura e tij. Duke festuar ditën e vdekjes së tij, ne paradoksialisht festojmë një ringjallje që ai na siguroi ne. Ne kemi ruajtur ndër shekuj kulturën dhe gjuhën, por nëse ne jemi të gjallë sot, jemi sepse nuk kemi ruajtur, por sepse kemi rigjeneruar këtë histori dhe kemi prodhuar histori”, tha ai.
“Rilindasit tanë De Rada, Dara, Skiroi, Serembe e kanë ringjallur Skënderbeun në veprat e tyre, duke e transmetuar si diçka me vlerë. Në emrin e Gjergj Kastriotit kemi besim dhe shpresë se do të rilind një fazë e re për krejt popullin shqiptar”, tha ai.
Mandala: Hera e parë që komuniteti arbëresh merr një ftesë zyrtare nga shteti shqiptar
Ndërsa për studiuesin Mateo Mandala “ky takim është një ngjarje që na prek shumë si arbëreshë, sepse është një datë historike që do të shënohet në kalendarin tonë të përjetshëm. “Kjo është hera e parë, tha ai, që komuniteti arbëresh mori një ftesë zyrtare nga shteti shqiptar dhe që e pranoi jo vetëm me kënaqësi, por edhe me zili.
“Shumë nga ata arbëreshë që morën veshë që do të vinin këtu një grup prej 150 arbëreshësh ngelën pak të zhgënjyer. Kjo do të jetë etapa e parë që ne do të na bashkojë si komunitet dhe ky bashkim ne na vjen në emër të Gjergj Kastriotit, atij personaliteti historik që na dha mundësinë në kohë të vështira të mbijetonim dhe luftonim kundër ngjarjeve të rënda që na kanosën jashtë atdheut tonë”, tha ai.
Studiuesi arbëresh e cilësoi këtë takim si dita e parë e një të ardhme të shëndosh dhe plotë me suksese. “Arbëreshët edhe në emrin e Kastriotit krijuan një atdhe tjetër që është Italia. Në emër të Kastriotit, me flamurin e Kastriotit në shekullin e 19, arbëreshët luftuan për t’i dhënë edhe italianëve një shtet një komb arbëreshët që ikën nga atdheu i tyre që mbetën pa atdhe patën fuqinë të krijonin dy atdhe, atdheun e sotëm ku jetojnë dhe atdheun e përfytyruar të De Radës”, tha ai.