Ekonomia

Vjedhja në Thesar, Sejko: Përgjegjësi e menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm

Seanca dëgjimore

Kandidati për guvernator: “Këshilli mbikëqyrës, i përbërë nga disa persona që bëjnë çfarë u thotë Guvernatori”.

Nga Zamir Alushi

Genti SejkoMungesa e menaxhimit solli vjedhjen në thesar. Kjo është një nga tezat e mbrojtura dje nga kandidati për guvernator të Bankës së Shqipërisë (BSH), Genti Sejko, në seancën dëgjimore të organizuar nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat. Sejko është propozuar nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, ndërsa dy kandidaturat e tjera për Këshillin Mbikëqyrës, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola janë propozim i vetë Kuvendit.

Kritika për menaxhimin e BSH-s

Megjithëse Sejko ishte thirrur për të folur si anëtar i këshillit mbikëqyrës, në fjalën e tij u përqendrua tek organizimi i brendshëm i bankës, që është më tepër atribut i guvernatorit, post për të cilin ai është dekretuar kandidat nga Presidenti Nishani. Duke shprehur pikëpamjen e tij për drejtimin e BSH, Sejko tha se, “Vizioni im bazohet në katër çështje: Së pari, Menaxhim-Administrim. Do theksoja së nuk ka çështje të vogla. Vëmendja më e madhe vërtet është fokusuar te politika monetare dhe mbikëqyrja, por menaxhimi është i rëndësishëm, pasi mungesa e tij solli ngjarjen në Thesar”. Kjo, -vazhdoi Sejko,- është e lidhur edhe me inspektorin e përgjithshëm. “Burimet njerëzore janë shumë të rëndësishme. Janë një vlerë për BSH-në, por duhen parë politikat e rekrutimit, duhen parë rregullat e promovimit që nga fillimi e deri te rritja në karrierë”, theksoi Sejko. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të funksionojnë gjithë hallkat e sistemit, sidomos kontrolli i brendshëm. “Ajo që unë do thosha është që përgjegjësia kryesore është ajo e strukturave të kontrollit të brendshëm. Pra strukturat e kontrollit të brendshëm kanë nevojë për menaxhim, duke filluar nga burimet njerëzore, nga drejtoritë e departamenteve, nga departamentet e caktuara për të mbajtur nën kontroll vlerat monetare të mëdha siç është thesari i shtetit. Mesa u pa këto departamente kanë qenë jashtë funksionimit, nuk kanë bërë punën e tyre. Por, njëkohësisht Këshilli Mbikëqyrës duhet të ketë një lidhje më të afërt me Bankën e Shqipërisë. Është krijuar edhe komiteti i kontrollit me anëtarë nga Këshilli Mbikëqyrës në mënyrë që të shmanget kjo shkëputje e Këshillit Mbikëqyrës”, tha Sejko.

Këshilli, të mos dominohet nga guvernatori

“Së pari, besoj se e dini që shqetësimi kryesor ka të bëjë me funksionimin e rolin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH dhe gjithë ajo çka ka ndodhur, një analizë të bërë në këtë komision, shqetësimi ynë ka qenë ky: pavarësisht se ligji, të gjithë fuqinë drejtuese, ia ka dhënë bordit drejtues, për fat të keq këtë rol e kanë marrë ose Guvernatori ose ndonjë tjetër. Ka ndodhur që formimi i Këshillit Mbikëqyrës në një nivel politik e klientelist, ka bërë që fuqia drejtuese të jetë në nivele minimale. Cili është vizioni juaj?”, iu drejtua Braçe. Sejko është shprehur se është shumë i rëndësishëm rikthimi i Këshillit Mbikëqyrës në një nivel më proaktiv, për të ushtruar rolin e tij kontrollues. “Vizioni im është që ky Këshill Mbikëqyrës të jetë sa më i përfshirë në çështjet e brendshme të BSH. Nuk duhet të kufizohet vetëm në leximin e rregulloreve, por duhet të jetë më proaktiv. Ky këshill duhet të ketë informacion dhe kontroll dhe duhet të jetë promotor i vendimeve kolegjiale. Nuk duhet të jetë i përbërë nga disa persona që bëjnë çfarë u thotë guvernatori. Nga pikëpamja ligjore i ka të gjitha kushtet të jetë në këtë drejtim. Shumë vendimmarrje bëhen me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, por nuk duhet përdorur si ent prokurues. Kam dëgjuar se para Këshillit Mbikëqyrës janë prezantuar për firmë disa nga vendimmarrjet që kanë të bëjnë me shpenzime. Këshilli Mbikëqyrës duhet të dijë se çfarë ndodh. Jemi para një fakti që ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Megjithatë, BSH ka nevojë për rikthimin dhe rifunskionimin e saj, por edhe të Këshillit Mbikëqyrës. Besoj se pësimi duhet të bëhet mësim”, nënvizoi Sejko.

Shpenzimet e pakontrolluara

Nga ana tjetër, ai ka fajësuar BSH për shpenzimet e pakontrolluara. “Ne e dimë që BSH ka bërë disa investime që kanë lidhje me godinën e re dhe investime të tjera. Për hir të së vërtetës, këto investime duhet të ishin bërë, sigurisht jo në ato përmasa, por nuk mund ta gjykojmë në këtë moment. Banka kishte nevojë për një godinë të rikonstrukturuar, pasi banka ekzistuese ka qenë në kushte të mjerueshme. Unë kam punuar në ato zyra dhe vetëm bankë nuk mund të ishte. A duhet të kishte qenë i kontrolluar ky nivel i shpenzimeve? Unë mendoj se po”, u shpreh ai.

Kreditë e këqija

Duke folur për strategjitë që mund të ndjekë BSH për të ulur sa më shumë kreditë e këqija, të cilat aktualisht shkojnë në shifrën e 25%, Sejko u shpreh se kjo ka ardhur për shkak se huat janë dhënë deri më tani në euro. “Fillimisht duhet që të bëhet vlerësimi i portofolit të cilësimit të kreditimit. Duhen të merren masa për kuadrin rregullativ, si dhe mbulimi i privalenteve nga kolaterali. Deri tani kreditë më të shumta janë dhënë në euro, por kjo duhet të ndryshojë, pasi ka risk për shkak të kursit të këmbimit. Kjo situatë është e mbartur që nga viti 2008, kur në botë filloi kriza ekonomike, ndërkohë që ky është viti i parë që ka rritje të kredive në ekonomi”, vlerësoi Sejko. “Rimodelimi i kredidhënies është i nevojshëm, BSH-ja duhet të ketë bashkëpunim më të thellë me bankat e nivelit të dytë për të përmirësuar kredidhënien. Problemi është te ngërçi biznes-bankë. Duhen lëshuar rregullore të reja nga Banka Qendrore drejt bankave të nivelit të dytë, për të lehtësuar frymëmarrjen e bankave dhe rritur efektivisht procedurat e rregullta të kredisë. Banka Qendrore ka një rol kyç në dhënien e frymëmarrjes së bankave, rritur kredimarrjes për ekonominë, rritjen e stabilitetit”, deklaroi Sejko. Diskutimet në komision nxorën në pah edhe fakte tronditëse se si administratorët e bankave shesin kredi të bizneseve duke marrë njëkohësisht edhe konfirmimin e Bankës Qendrore.

Politika monetare

Lidhur me politikën monetare, Sejko tha se BSH duhet të përdorë lehtësimin sasior.”Pra duhet parë më gjerë, duhen parë edhe mundësi të tjera, forma të ndryshme në konsultim me Bankën Botërore, FMN-në sipas gjykimit tim, në drejtim në të ardhmen të shikimit të injektimit të likuiditeteve në ekonomi ose të krijimit të lehtësimit sasiore, për më tepër cili është instrument konvencional”, tha Sejko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button