Vjena: Rishikoni çmimin, jeni prapa me reformat
Sekretariati i Energjisë
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë e Mjedisin u përfshi dje nga diskutimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kjo për shkak të seancës dëgjimore me delegacionin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për raportin vjetor të zbatimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë 2013-2014. Drejtori i Sekretariatit Ndërkombëtar të Energjisë, Janez Kopaç, i cili prezantoi raportin vjetor, tha se sektori i energjisë është gati i falimentuar, për shkak të çmimeve, ndaj duhet vendosur një treg i qëndrueshëm energjetik.
Çmimi
“Enti Rregullator i Energjisë duhet të jetë i pavarur dhe nuk duhet të ndryshojë sa herë ndryshojnë qeveritë. Nuk ka pasur reforma të përfunduara në vendin tuaj, reformat e energjisë vijojnë të mbahen peng”, deklaroi Kopaç. “Rishikimi i çmimit të energjisë elektrike është domosdoshmëri, duke parë situatën e sistemit energjetik shqiptar. Çmimet janë të fiksuara dhe nuk ndryshojnë prej katër vitesh, ndërkohë që ato duhet të bazohen në kostot operative që kanë operatorët. Niveli i humbjeve në rrjet është tepër i lartë, ndaj qeveria duhet të marrë masa që, të reduktojë në mënyrë drastike vjedhjet dhe të rrisë arkëtimet. Por që të realizohet diçka e tillë, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Shpërndarjes duhet të investojnë në përmirësimin e rrjetit elektrik. Diçka e tillë është e pamundur pa rritur të ardhurat e këtyre operatorëve”, tha Kopaç. Në fjalën e tij në komision, Kopaç u shpreh se në Shqipëri sistemi energjetik paraqet nivel të lartë humbjesh, ndaj u shpreh ai, duhet të reformohet tregu dhe të futen operatorë të tjerë. Aktualisht Operatori i Sistemit të Transmetimit ka dorëzuar kërkesën për rishikim të çmimeve energjetike pranë Entit Rregullator të Energjisë. OST kërkon rritje të çmimit që ajo aplikon për subjektet e treta me 10%, duke e çuar në një vlerë në rreth 0.71 lekë. KESH ka përfunduar hartimin e kërkesës që do të dorëzojë dhe të paktën duke u bazuar në katër vitet e fundit, Korporata ka kërkuar një rritje të çmimit të paktën në vlerën e 4.3 lekëve.
Reformat e munguara
Shqipëria nuk ka arritur të realizojë reformat e vendosura nga Komuniteti i Energjisë që nga viti 2007. Ligji për sektorin e energjisë elektrike, ligji për energjinë e rinovueshme dhe ai për eficiencën energjetike kanë mbetur në letër dhe nuk kanë mbërritur kurrë në dyert e Kuvendit që të diskutohen me palët e interesit. Liberalizimi i pjesshëm i tregut që do të realizohej me miratimin dhe funksionimin e këtyre ligjeve ka qenë prioritet i vendosur i qeverive shqiptare në paketën e dytë energjetike. Paketa e tretë energjetike duhet të hyjë në fuqi në vitin 2015 dhe Shqipëria është ende shumë pas. “Detyra jonë nuk është që të detyrojmë qeverinë, por të këshillojmë dhe të mundësojmë që vende si Shqipëria të bëhen pjesë e tregut energjetik europian. Duhet të kuptoni se, tregu europian funksionon mbi disa rregulla dhe është fitimprurës, në radhë të parë për shoqërinë. Paketa e dytë energjetike, edhe sikur të miratohet sot nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk mund të zbatohet menjëherë në terren. E njëjta gjë vlen edhe për paketën e tretë, ne nuk presim që zbatimi i saj të nisë me fillimin e vitit të ri”, tha Kopaç. Prioritete të paketës së tretë energjetike dhe që sekretariati i komunitetit të energjisë ka kërkuar zbatim të përshpejtuar nga ana e qeverisë janë: një strukturë e re e tregut energjetik në vend, realizimi i reformës energjetike, ulja e humbjeve në rrjet dhe rritja e arkëtimeve, rregullimi i çmimit të energjisë, futja në sistem e operatorëve të tjerë si dhe përcaktimi i qartë i klientëve të cenueshëm. Ndërkaq, Kopaç ka theksuar se bisedimet e Shqipërisë me CEZ për zbatimin e marrëveshjes mund të bëhen me ndërmjetësimin e Komitetit të Energjisë të Austrisë. “Ne kemi sugjeruar kompromisin si zgjidhje”, ka thënë Kopaç.
Reformat
Detyrat e lëna nga Sekretariati i Energjisë:
- Ristrukturim i tregut energjetik
- Reforma në sektorin e energjisë
- Ulja drastike e humbjeve në rrjet
- Rishikim i çmimit të energjisë
- Hapja e tregut ndaj operatorëve të tjerë
- Përcaktim i klientëve të cenueshëm.