IntervistaPolitika

Vlahutin flet për zgjedhjet: Mandati i qeverisë së re Rama, mandat për reformat

Shefja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, e sheh shumicën e votave për PS-në si një mandat të qartë për reforma.

 

DW: Ambasadore Vlahutin, si i vlerësoni zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në raport me afrimin e tyre me vlerat demokratike dhe kulturën politike të BE?

Romana Vlahutin: Duhet të presim raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për të kapur gjithë nuancat e procesit zgjedhor, por në këtë moment thjesht do të përsëris atë çka është thënë nga Përfaqësuesja e lartë/Zëvendës Presidentja Federica Mogherini dhe Komisoneri Johannes Hahn: “Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë më 25 qershor u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Qytetarët përfituan nga një ofertë e gjerë politike në një stad me rëndësi të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas konkluzioneve paraprake të Misionit Vëzhgues të OSCE/ODIHR-it, konkurrentët zgjedhorë bënë fushatë lirisht dhe liritë themelore të grumbullimit dhe shprehjes u respektuan. Sistemi zgjedhor siguroi përgjithësisht bazën e përshtatshme për kryerjen e zgjedhjeve demokratike. Ne u kushtojmë vëmendje rezervave të shprehura nga vëzhguesit lidhur me politizimin e organeve zgjedhore dhe zbatimit jokonstant të ligjit. Ne presim të garantohet vijueshmëria e duhur e gjetjeve paraprake të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve, veçanërisht lidhur me akuzat për blerje vote dhe trysni mbi votuesit, si dhe për ndërhyrjen e aktivistëve të paautorizuar partiakë, çka mund ta minojë besimin publik te zgjedhjet.”

DW: Çfarë mendoni për situatën politike pas zgjedhjeve? 

Romana Vlahutin: Puna jonë si Delegacion i BE-së është të përqendrohemi tek reformat që duhen zbatuar, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt anëtarësisë së plotë në BE. Në këtë kuptim, presim që qeveria e re të rimarrë përgjegjësi të plotë për reformat, meqë kjo votë ishte, në njëfarë mënyre, mbështetje për programin e reformave. Mendoj që shumica e analistëve në Shqipëri e shohin si të tillë dhe kjo është një përgjegjësi shtesë për gjithë ata që janë zgjedhur nga populli shqiptar.

DW:  Ambasadore Vlahutin, pas fitores së PS-së -partisë së Kryeministrit Rama- në zgjedhjet parlamentare, për të cilat po flasim, cilat janë parakushtet themelore për realizimin e premtimit të rëndësishëm të Ramës: spastrimin e gjyqësorit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, modernizimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare? 

Romana Vlahutin: Reforma e drejtësisë ka qenë pjesa qendrore e përpjekjeve tona gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, thjesht ngaqë pa shtetin e duhur ligjor nuk ka mundësi që vendi të përparojë si shoqëri, si ekonomi, por edhe në ambiciet e veta për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Reforma e drejtësisë është një bllok themelor, jashtëzakonisht i rëndësishëm për trajtimin e dy përparësive të tjera kyçe që lidhen me shtetin ligjor – luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit.  Gjatë gjithë kësaj kohe qytetarët e Shqipërisë kanë shprehur një mbështetje shumë të madhe për reformën dhe personalisht, besoj se kjo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë votë. Vullneti i popullit duhet respektuar dhe kjo reformë duhet zbatuar  – komuniteti ndërkombëtar do ta monitorojë nga afër dhe do të asistojë sa më shumë. Janë caktuar komisionet e rivlerësimit, vëzhguesit ndërkombëtarë janë përzgjedhur, ndërtesa, (ku do të kenë selinë institucionet e Vettigut)  po mobilohet dhe po hartohet rregullorja – shkurt, rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve do të nisë shumë shpejt. Si një pjesë kyçe e reformës, ai duhet gjithashtu të dëshmojë, me rezultate, besueshmërinë e përpjekjeve për reforma.

DW: Çfarë do t’i sugjeronit kryeministrit Rama, opozitës së re, qytetarëve, nga këndvështrimi i  BE, lidhur me ushtrimin e një mandati qeverisës kaq të fortë të PS-së, kemi një maxhorancë  prej 74 votash në një parlament me 140 deputetë?

Romana Vlahutin: Një mandat i fortë nënkupton gjithashtu përgjegjësi shumë të madhe. Për ne do të thotë një mandat i qartë për reforma, si dhe një marrëdhënie e drejtpërdrejtë me qeverinë e re në kuptimin e dinamikave dhe cilësisë së zbatimit. Është e rëndësishme për vendin që të ketë një opozitë të pjekur, të konsoliduar, që mund të marrë pjesë në diskutime politike shumë serioze që do të shtohen edhe më shumë në axhendën tonë të përbashkët. Ndërsa qytetarët duhet të vazhdojnë të kërkojnë atë që duan dhe meritojnë: modernizimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

DW: A është situata brenda BE-së e favorshme për përshpejtimin e dinamikave të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe në përgjithësi, vendeve në Ballkanin Perëndimor, që tanimë kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE ?

Romana Vlahutin: Procesi i anëtarësimit është një vendim politik strategjik dhe varet nga BE-ja dhe pjekuria e vendeve kandidate. Besoj se për  momentin kemi kushte më të favorshme, si në BE ashtu dhe në mbarë rajonin, për t’u përqendruar në forcimin e mëtejshëm të procesit që është në dobi të të gjithëve. Kjo dobi është e qartë nëse shikoni hartën e Evropës dhe fuqinë e jashtëzakonshme transformuese që BE-ja ka pasur në shumë vende që janë bërë shtete anëtare.

DW: A është hapja e negociatave të anëtarësimit në fund të këtij vitit një “mision i arritshëm” për qeverinë e re Rama?

Romana Vlahutin: Ju e dini që ne nuk flasim kurrë për një kalendar të saktë, por për atë çka duhet bërë dhe për Shqipërinë është shpjeguar në vendimin e Komisionit Europian rekomandimi për hapjen e negociatave në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës së drejtësisë, në veçanti rivlerësimin e gjyqtarëve si dhe në pesë përparësitë kyçe: lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, forcimi i gjyqësorit, administratës publike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët dhe politikat antidiskriminuese, si dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button