Politika

Vlahutin- Presim nga Shqipëria një gjyqësor funksional, të pavarur ku të sundojë ligji dhe jo paraja

Hapja e negociatave e ankoron Shqipërinë në rrugën e pakthyeshme të reformave sistematike. Intervistë ekskluzive për DW e Kreut të Delegacionit të BE në Shqipëri, ambasadores Romana Vlahutin.

DW: Znj. Ambasadore, cili është vizioni i Strategjisë së re të BE për Ballkanin Perëndimor? Si do ta bëjë  kjo strategji të besueshme perspektivën europiane për gjashtë vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë?

Romana Vlahutin: Është një Strategji për rajonin, që rikonfirmon angazhimin e BE-së për të ndihmuar proceset e reformave në BP në një nivel më të lartë, por përcakton gjithashtu, shumë qartë se çfarë duhet bërë për të shfrytëzuar mundësinë dhe përshpejtuar ndryshimet për më mirë. Kjo strategji konfirmon gjithashtu qartë se çdo partner në rajon ka një mundësi për të përmbushur ambiciet e tij, por ka rregulla dhe standarde që duhen zbatuar para se pranimi të jetë i mundur. Ne duhet të pranojmë edhe  përfitimet që vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i sjellin BE, prej një tregu që ka një nivel mjaft të lartë rritjeje apo përfitimet në çështjet e sigurisë, ku vendet e BP janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe këtë e ka treguar qartë sjellja e tyre me përgjegjësi gjatë krizës së migrimit, Nuk është një strategji për vendet të veçanta por për rajonin si një i tërë, është një detyrë e gjeneratës sonë, siç tha Përfaqësuesja e Lartë dhe Zv. Presidentja e KE, Federica Mogherini, jo të zgjerohet por të përqafojë standardet dhe logjikën e BE-së në territore që janë në mes të Evropës dhe midis shteteve anëtare të BE.

Ky vit konsiderohet nga Komisioni Europian si viti që ofron një mundësi unike për vendet e Ballkanit Perëndimor në udhën e tyre drejt hyrjes në BE. Cilat janë hapat, politikat që do të ndërmarrë BE gjatë 2018 për ta bërë të prekshëm, real premtimin për një angazhim të përforcuar të BE ndaj rajonit?. Do të promovojë anëtarësime të reja, do të rifillojë zgjerimin e tij?

Në fakt, procesi i zgjerimit nuk është ndalur kurrë. Por BE përforcon angazhimin e tij me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nxit perspektivën e tij europiane. Natyrisht, kjo është e mundur vetëm nëse vendet e rajonit përmbushin angazhimet e tyre, sidomos në reformat vendimtare. Lidhur me afatet kohore: Komisioni Evropian sapo paraqiti dje, më 6 shkurt, Strategjinë e tij për Ballkanin Perëndimor dhe dërgoi mesazhe shumë të qarta. Në mes të prillit, Komisioni do të paraqesë raportet vjetore për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku do të shqyrtojë në detaje reformat e ndërmarra dhe ato që ende nevojiten. Një muaj më vonë, më 17 maj, është Samiti i Ballkanit Perëndimor në Sofje, i pari pas Samitit të Selanikut, më 2003, që do të vlerësojë të gjitha arritjet në rajon deri tani. Dhe e gjithë kjo do të përcaktojë hapat dhe vendimet e ardhshme. Më lejoni të theksoj që hapja e negociatave të pranimit nuk është një dhuratë; është një detyrim shtesë dhe shumë punë. Por hapja e negociatave ankoron vendin në mënyrë të vendosur në procesin e pakthyeshëm të reformave sistematike.

Progres Raporti  vjetor i Komisionit Europian për Shqipërinë pritet të publikohet në Prill. Në cilat fusha mendoni ju se ka progres dhe në cilat nuk ka?

Raporti vjetor nuk ka përfunduar ende dhe po diskutohet nga shërbime të ndryshme në Komision. Prandaj për  rezultatet e sakta duhet të presim deri në mes të prillit. Ajo që, pa dyshim është e qartë, është që Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme me miratimin konsensual të amendamenteve kushtetuese për reformën e Sistemit të Drejtësisë, miratimin e mëvonshëm të ligjeve të shumta lidhur me këtë reformë dhe fillimin e funksionimit të institucioneve të reja, duke filluar me ato që janë përgjegjëse për vettingun. Është shumë herët për të bërë një vlerësim të duhur, por duke parë ritmin e zakonshëm të reformës, Shqipëria ka bërë për tre vjet, diçka që në rrethana të tjera mund të kishte marrë një dekadë ose më shumë. Tani është shumë e rëndësishme të shohim rezultate të prekshme, produktet e para të rishikimit të plotë të sistemit. Sa për atë se ku ka ende nevojë të shihet progres: ne kemi në axhendën tonë 5 prioritete kyçe që janë një detyrim absolut. Por gjithashtu ka shumë për të bërë kur është fjala për sektorë të rëndësishëm, si mjedisi, bujqësia, transporti, gjithçka që është thelbësore për zhvillimin ekonomik. Diçka që personalisht mendoj se duhet të jetë në krye të agjendës sonë është çështja e pronës. Nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe një burim padrejtësie të tmerrshme. E kuptoj kompleksitetin e çështjes, por është e rëndësishme që kjo çështje të adresohet.

Çfarë pret BE nga Shqipëria që t’i konsiderojë të pakthyeshme rezultatet e Reformës në Drejtësi?

Të njëjtat pritshmëri me ato që kanë qytetarët shqiptarë: të shikojmë  një gjyqësor funksional, të pavarur dhe të përgjegjshëm, ku nuk ka sundim parash, por sundim të ligjit. Procesi i vettingut ka filluar para pak  më shumë se dy muaj, presim që seancat shqyrtuese të mbahen brenda pak javësh dhe kjo do të mundësojë ngritjen e institucioneve të reja.

Në protestën anti-qeveritare të opozitës, në Tiranë, në fund të muajit të kaluar, lideri i opozitës, Basha përdori një narrativë të re, kur e quajti Shqipërinë një “Diktaturë Europiane”. Politikanë të lartë të BE, Federica Mogherini, Johannes Hahn etj. vlerësojnë me këmbëngulje – madje edhe së fundmi- se Shqipëria është në rrugën e duhur, se është afër hapjes së negociatave të anëtarësimit. Çfarë mendoni ju për këtë mospërputhje totale të narrativës së opozitës me vlerësimin e BE për Shqipërinë?

Puna jonë si diplomatë nuk është që të biem në kurthin e  retorikës së politikës së ditës por të shqyrtojmë faktet e konfirmuara dhe vetëm faktet e konfirmuara. Dhe kur them të konfirmuara e kam fjalën për fakte të vërtetuara nga institucione dhe agjenci të shumta të Bashkimit Europian, Shteteve Anëtare dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, në një proces shumë kompleks dhe gjithëpërfshirës të shkëmbimit të informacionit dhe konsultimeve ndërmjet shërbimeve. Kur Përfaqësuesja e Lartë e BE ose Komisioneri flasin për reformat në një vend, të lidhura me BE, vlerësimi i tyre bazohet në shumë burime informacioni dhe nëse ata thonë publikisht se Shqipëria po përparon, kjo do të thotë vetëm një gjë: që  institucionet e BE-së kanë identifikuar se ka në fakt  përparim. Po sjell si shembull problemin e kanabisit: të gjitha të dhënat tregojnë se kultivimi i kanabisit ka qenë për dekada të tëra një problem në Shqipëri. Ne i vumë në dukje qeverisë nevojën për një plan të menjëhershëm, vendimtar dhe të qëndrueshëm për çrrënjosjen e plotë të kanabisit, një herë e përgjithmonë. Ministritë përkatëse, të ndihmuara nga ekspertë ndërkombëtarë, hartuan një strategji që u zbatua që në fillim të vitit  2017. Dhe ja ku janë rezultatet: në vitin 2017 ka një rënie dramatike të numrit të plantacioneve të kanabisit dhe ne po  presim të shohim, këtë pranverë, paketën tjetër të të dhënave nga fluturimet  mbikqyrëse, (të kryera nga Guardia di Finanza).

Por nuk jemi naivë dhe e dimë që rrjetet kriminale nuk  heqin dorë, mbledhin plaҫkat dhe lëvizin në një destinacion tjetër. Prandaj, kemi punuar shumë me institucionet përgjegjëse për të bërë një ristrukturim të fuqishëm të forcës policore, që duhet të jetë e aftë të bëjë punën e saj në zbatim të ligjit, sipas standarteve ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar. Por çelësi i suksesit në luftën kundër tij dhe korrupsionit do të jetë zbatimi i reformës së drejtësisë, që do të përmbysë trendin e mungesës së rezultateve nga prokuroria dhe në shumë raste praktikat gjyqësore te korruptuara. Në muajt e fundit  kemi parë një forcë policore shumë më të angazhuar, kemi parë progres në rritjen e interesit gjyqësor për të identifikuar baronët e drogës. Për një rast ka më në fund një padi ,  një rast tjetër po rishqyrtohet nga gjykatat dhe për një rast i tretë u  morën masa për të sekuestruar fuqinë ekonomike. Po presim gjithashtu të shohim nëse Prokuroria do të bëjë progres të pandërprerë për rastin e ish-Ministrit të Brendshëm.

Ka shumë zhvillime, janë  edhe negociatat për marrëveshjen e vendosjes së oficerëve të FRONTEX  bashkë me kolegët e tyre shqiptarë në kufijtë shqiptarë, shumë mbështetje ekspertësh nga BE, Shtetet Anëtare dhe SHBA – ne shohim progres por ai duhet të forcohet vazhdimisht. Pra, edhe rezultate të tjera, të prekshme që do të provojnë vullnetin politik dhe kapacitetin e institucioneve për të prodhuar rezultate do të jenë shumë të mirëpritura.

Këtë muaj presim të shohim rezultatet e para të Reformës në  Drejtësi, rezultatet e vettingut,  shtyllës së reformës, të mbështetur fuqimisht nga BE. Për Ju, kryetaren e  Delegacionit të BE në Shqipëri, opozita ju ka fajësuar kohët e fundit, si një mbështetëse të fortë të qeverisë dhe kritikuese po kaq të fortë të opozitës. Çfarë mendoni se përfshihet në një supozim të tille për ju?

Ne si BE mbështesin vendin dhe njerëzit e tij. Ne mbështesim reformat që do vendi dhe që i kërkojnë njerëzit. Ajo për të cilën tani ka nevojë Shqipëria është uniteti i qëllimit, Shqipëria ka nevojë që të gjithë politikanët të bashkohen dhe të zbatojnë plotësisht Reformën në Drejtësi, të bien dakord për çështjet kyçe me interes kombëtar që nuk mund të jenë objekt për asnjë mosmarrëveshje. Integrimi në BE  është sigurisht një interes i tillë. Përparimi i Shqipërisë është rezultat i shumë qeverive dhe mijëra njerëzve që punuan për të ndryshuar realitetin e një vendi që doli nga komunizmi si një nga vendet më të varfëra në botë, dhe sot është një vend me të ardhura mesatare në këtë rajon. Kjo është një sipërmarrje gjigande, e jashtëzakonshme e një brezi që luftoi për liri, që duhej të duronte shumë sakrifica dhe gjithashtu zhgënjime gjatë rrugës. Ky është një moment për unitetin kombëtar që qëndron pas qëllimit që ka pasur Shqipëria në shekuj, të jetë pjesë integrale e rrjedhës europiane. Në Shqipëri, për fat të keq, shumë procese ende varen nga individët dhe jo nga institucionet funksionale. Pikërisht, ky është procesi i reformave të BE-së: krijimi i institucioneve funksionale që nuk varen nga interesi politik apo ndonjë interes tjetër privat. Njerëzit në përgjithësi janë shumë të kujdesshëm dhe sy hapur sepse ende presin të shohin që ndryshimi është i mundshëm dhe i qëndrueshëm. Por ajo që  është e rëndësishme është se ekziston një mbështetje e plotë shoqërore qoftë edhe për reformën më të vështirë. Njerëzit kanë nevojë për parashikueshmëri të standarteve dhe institucione funksionale. Kjo është e qartë.

Qytetarët e Shqipërisë renditen ndër më pro-evropianët në Ballkanin Perëndimor. Çfarë mund të bëjë Brukseli, që magjia e BE të mos zbehet për t’i lënë hapësirë një tërheqjeje të mundshme nga faktorë të tjerë në rajon, si Kina, Rusia, Turqia?

Unë ҫdo ditë  i përulem dhe inkurajohem nga demonstrimi i  një identiteti shumë të qartë evropian dhe besnikëria e popullit shqiptar ndaj vlerave euroatlantike. Këto janë vlera strategjike që BE i kupton dhe i përqafon plotësisht. Dhe kjo  është shumë e dukshme në të gjitha zgjedhjet që po bën Shqipëria kur është fjala për politikën e jashtme, të sigurisë dhe bashkimin e saj të plotë me BE. Nuk do të shqetësohesha për rrezikun e tërheqjes së shqiptarëve nga çdo ideologji, që nuk i përmbahet vlerave thelbësore evropiane të kësaj shoqërie. Sepse ky identitet, identiteti europian, është diçka që gjithë shqiptarët e çmojnë, e mbajnë gjallë dhe janë shumë krenarë, si një komb i vjetër evropian që ka lënë shumë gjurmë të paçmuara në historinë tonë të përbashkët. Identiteti nuk mund të blihet.

Por ajo që është e rëndësishme dhe nuk duhet të nënvlerësohet është se njerëzit duhet të shohin përparim. Njerëzit duhet të shohin në jetën e tyre të përditshme që standardet e BE zbatohen dhe jetohen dhe jo vetëm flitet për to. Përndryshe nëse nuk ka progres, nëse nuk ka shpresë, nëse nuk ka qartësi rreth drejtimit për të ardhmen, kjo do të mund të hapte hapësirë ​ër manipulim. Nga shumë aktorë. Kjo duhet parandaluar dhe reduktuar.

A jeni optimiste se Shqipëria do të hapë negociatat e anëtarësimit gjatë Presidencës Bullgare të Këshillit të BE? Cilat do të ishin sugjerimet tuaja të menjëhershme ndaj politikanëve të Shqipërisë dhe qytetarëve deri në qershor, kur përfundon Presidenca Bullgare?

Nuk jam as optimiste, as pesimiste, jam duke punuar shumë, me plot kolegë të tjerë që punojnë ditë dhe natë, me mijëra homologë shqiptarë për të mbajtur vëmendjen tek  përparimi, sepse ka vetëm një përparim të qartë, të pamohueshëm dhe të prekshëm që do të sjellë Shqipërinë në BE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button