Kronika

Vlahutin: Të pashpjegueshme pronat e gjyqtarëve; Euralius: Justifikoni pasurinë

Siç po vërehet, kur vjen fjala te reforma në drejtësi, ambasadorët në Tiranë janë të vendosur të flasin përtej kornizës së diplomacisë. Goditja e korrupsionit brenda radhëve të gjyqtarëve dhe politikanëve ishte mesazhi kryesor i ambasadores së Bashkimit Europian, Romana Vlahutin.

Ajo tha se është e pashpjegueshme sesi në një vend me paga mesatare, gjyqtarët kanë akumuluar pasuri marramendëse.

“Ka disa gjyqtarë në vend, asetet e të cilëve llogariten në disa miliona euro të një pasurie të pashpjeguar qartësisht. Si është e mundur që, në një vend të varfër dhe ku paga më e madhe e një gjyqtari është 1500 euro, disa kanë akumuluar një pasuri prej miliona eurosh. Ndoshta të gjithë janë martuar me partnerë/e shumë të pasur/a, apo vijnë nga familje të pasura? Si është e mundur, që nga 150 referime kriminale për pasuri të pajustifikuara gjatë vitit të fundit, vetëm 4-5 kanë përfunduar në ndjekje penale? A është ky një sistem, që mendohet se do t’i mbrojë qytetarët nga korrupsioni, apo është një sistem për të mbrojtur personat e korruptuar nga përballja me ligjin? Duhet të ketë qartësi. Nëse unë do të isha një prej atyre gjyqtarëve, që thonë se milionat e tyre vijnë prej martesave me njerëz të pasur, unë do të isha mbështetësja kryesore e kësaj reforme. Kjo, sepse unë do të doja, që pasuria ime të kontrollohej deri në detajin më të vogël dhe do të doja të dilja e pastër përpara qytetarëve të mi. Ky proces duhet të qartësojë se, kush janë ata gjyqtarë e prokurorë, që meritojnë respektin dhe mbështetjen sepse punojnë me dinjitet, dhe kush janë ata, që mendojnë se janë mbi të gjitha ligjet dhe mbi moralin”, ka thënë Romana Vlahutin.

Sipas ambasadores së BE-së, mbështetja e ndërkombëtarëve në këtë reformë nuk është bazuar te besimi se, disa gjyqtarë apo prokurorë janë më të korruptuar se disa politikanë apo nëpunës publikë, por në besimin se gjyqtarët janë vektori më i mirë për të kryer ndryshimin.

Tek identifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar e ka vendosur theksin edhe ambasadori francez, ndërkohë që të drejtpërdrejtë ishin edhe ekspertët, që po asistojnë për këtë reformë.

“Nuk duhet të shqetësoheni. Pjesa e parë është se duhet të justifikoni pasuritë, e në qoftë se nuk i justifikoni, atëherë keni një problem dhe këtu nis procedimi disiplinor për shkarkim. Pastaj do të keni kontroll personal. Nëse ju, paradite keni një proces gjyqësor, e pasdite uleni e hani darkë me dikë të dyshimtë nga krimi i organizuar, atëherë edhe këtu ka një problem. Pra, mos u ulni të pini kafe me njerëz të dyshimtë të krimit të organizuar, apo shefin e mafias. Nëse nuk uleni të pini kafe të tilla, atëherë nuk keni përse shqetësoheni. Në qoftë se ju shkruani vendime të pakuptimta, atëherë ju realisht keni një problem. Atëherë ju duhet të largoheni nga puna. Kjo reformë është serioze. Nuk ka më tolerime për këdo, që është përfshirë në korrupsion dhe është mirë të ndalojë”, tha Rainer Deville, ekspert ndërkombëtar i “Euralius”.

Ndërkohë, eksperti i OPDAT shpjegoi sesi parashikohet të ngrihet struktura kundër korrupsionit, e ashtuquajtura “SPAK”.

“Kjo ka ndodhur në Kroaci dhe do të bëhet edhe këtu. Prokurorët e SPAK-ut kanë mandat 10-vjeçar. SPAK mund të ishte edhe me ligj, por Shqipëria ka histori të ndryshme dhe ka pasur shpesh ndryshime ligjesh. Për këtë arsye, për të qenë strukturë e fortë duhet të ngrihet në nivel kushtetues, si organ kushtetues. Kjo e bën më të qëndrueshëm, qoftë edhe ndaj ndryshimeve politike”, tha John Smibert, ekspert ndërkombëtar i “OPDAT”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button