Vllasi: Specialja s’u votua për inate të brendshme, e jo për bindje të deputetëve
Pavarësisht kundërshtimit për themelimin e Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës do të marrë vendimin për formimin e këtij institucioni dhe sigurisht se do të merren parasysh këshillat qëllimmira të miqve të Kosovës, në radhë të parë të amerikanëve, gjermanëve dhe britanikëve, vlerëson Azem Vllasi, njohës i mirë i rrethanave në Kosovë.
Ai vlerëson për Anadolu Agency (AA), se ata deputetë të cilët kishin votuar kundër amendamenteve kushtetuese që hapin rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale, kanë dëshmuar papjekuri dhe papërgjegjësi politike ndaj një obligimi ndërkombëtar që e kishte pranuar Kosova në vitin 2014.
“Është në interes të Kosovës dhe në interes të pastërtisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës që të themelohet kjo gjykatë, të procedohen rastet të cilat janë përmendur në raportin e njohur të Dick Martyt dhe për tri vite ishin hetuar nga prokurori special ndërkombëtarë, Clint Williamson. Unë shpresoj se, në fund, edhe ata të cilët në Kuvend ishin kundër, do të kuptojnë se sovranitetit të Kosovës i bëhet më pak dëm nëse Kuvendi e merr një vendim të tillë, se sa këtë vendim ta marr Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, thotë Vllasi për AA.
Vllasi thekson se, arsyeja pse Gjykata Speciale ende nuk është formuar më shumë qëndron në inate të brendshme, se sa për shkak të bindjeve të deputetëve.
“Është e pakuptueshme pse disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës e cila është në fuqi, nuk kanë votuar dhe është e pakuptueshme pse deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë kundër kësaj, kur në opinion mbetet vlerësimi se, po të ishte parti në pushtet dhe Ramush Haradinaj kryeministër, sigurisht se do të votonte pro dhe do të agjitonte tek tjerët që vendimi të pranohet”, thotë Vllasi.
Propozimi më i ri i Haradinajt që Kosova ta themelojë Gjykatën Speciale për krime lufte, sipas Vllasit, është vetëm lojë e fjalëve sepse Kosova ka pasur kohë qe 15 vite për ta bërë këtë punë, së pari me ndihmën e gjyqeve dhe gjykatësve të UNMIK-ut dhe pastaj këta të EULEX-it, mirëpo kjo nuk ka ndodhur.
“Për hir të imazhit dhe besueshmërisë së institucioneve vendore, do të ishte mirë sikur kjo punë të ishte kryer tashmë, për ta ruajtur pastërtinë e luftës tonë çlirimtare, sepse nga 25 apo 26 mijë pjesëtarë të UÇK-së, sa janë vërtetuar sipas listave finale, nëse shqyrtohen 10 apo 20 raste ku për gjysmën e tyre mund të mos vërtetohet fajësia, mospërmbushja e deritashme e këtij obligimi nga ana e institucioneve vendore është joserioze dhe tashmë askush nuk beson se ne do ta formojmë ndonjë gjykatë dhe se, vet do t’i procedojmë këto raste”, thotë Vllasi.
Azem Vllasi, përndryshe avokat me profesion, thekson faktin se prokurorët dhe gjykatësit vendorë nuk i kanë proceduar rastet e vrasjeve të serbëve dhe pakicave tjera në Kosovë, si dhe vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës, “jo pse nuk kanë vullnet por, për arsye se nuk guxojnë”.
“Pavarësinë dhe integritetin e gjykatësve dhe prokurorëve duhet ta mbrojë shteti mirëpo, në Kosovë, ata nuk e kanë këtë mbrojtje”, shton Vllasi.
Ai po ashtu përmendi faktin se, prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë të EULEX-it i kanë proceduar disa raste, sikurse është rasti i Grupit të Drenicës apo i Oliver Ivanoviqit dhe se, Kosova ka mundur t’i shmanget formimit të Gjykatës Speciale sikur të dërgohej përforcimi për misionin e EULEX-it në Kosovë por, në fund kjo do të ishte e njëjtë.
Shqiptarët e Kosovës, përfundon Vllasi, duhet të jenë të interesuar për ta hequr njollën nga lufta çlirimtare dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës prandaj, është më se e nevojshme që të hiqen të gjitha dyshimet në rastet individuale të cilat përmenden në hetimin e prokurorit amerikan Williamson.