Ekonomia

Vlorë, ankorohet trageti “Red Star”, Ministria e Transportit: Problemet për shkak të mos zbatimit të grafikut për operim, agjencia e udhëtimit do penalizohet

Pas rreth 4 orësh ka përfunduar odiseja e bllokimit në port të tragetit “Red Star”. Trageti i linjës Brindizi-Vlorë me 210 pasagjerë nuk u lejua të ankorohet pasi nuk kishte respektuar grafikun, sipas autoritete portale, ndërsa kjo nuk është hera e parë që lihet në det të hapur.

Mësohet se trageti ka mbërritur në orën 07:30 minuta, ndërkohë që është ankoruar vetëm në orën 11:30. Raportohet se tek pasagjerët është krijuar panik nga moslejimi i tragetit. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka njoftuar se trageti është akustuar në kalatë rreth orës 11:00 dhe se pasagjerët kanë nisur të zbresin. MTI ka konfirmuar të njëjtat deklarata si autoritetet portuale se trageti nuk është lejuar të ankorohet për shkak se nuk ka zbatuar grafikun për operim. Gjithashtu MTI deklaron se Agjencia e udhëtimit do të penalizohet sipas ligjit.

MTI: SITUATA E KRIJUAR NË PORTIN E VLORËS PËR SHKAK TË MOSZBATIMIT TË GRAFIKUT PËR OPERIM

Ora 11:35- Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, deklaron se askush nuk është mbi ligjin dhe operatorët duhet të zbatojnë direktivat e autoriteteve. “Grafiku i lëvizjeve miratuar nga organet kompetente për të garantuar sigurinë e pasagjerëve. Grafiku i operimit në Portin e Vlorës, parakusht kapaciteti. Askush nuk është mbi ligjin. Operatorët të zbatojnë direktivat e autoriteteve. Agjencia e udhëtimit do të penalizohet nga organet kompetente sipas ligjit për këtë rast. Agjencitë të mos shesin bileta jashtë grafikut të miratuar. Qytetarët të informohen për grafikun e miratuar përpara se të udhëtojnë. Grafiku i lëvizjes së trageteve në faqen zyrtare të MTI dhe të Porteve”, thuhet në deklaratën e MTI.

PASAGJERI: KËTU KA PLEQ E FËMIJË, NA KANË THËNË DO ZBRISNI NË ORËN 14:00

Një nga pasagjerët e mbetur në traget, Dëfrim Balili ka folur për News 24, duke ndarë shqetësimin e grave, fëmijëve dhe pleqve, që sipas tij qëndrojnë në traget që prej orës 06:00 të mëngjesit, ndërsa askush nuk iu jep përgjigje se çfarë do bëhet me ta.

“Jemi bllokuar në det që në orën 06:00. Askush nuk na përgjigjet, në traget ka fëmijë e pleq. Nuk po e kuptojmë pse po na lënë në det. Na kanë thënë që do të zbrisni në orën 14:00. Për momentin gjendja e pasagjerëve është e mirë”,-tha ai.

MALAJ: VENDET EUROPIANE NUK PENGOJNË EMIGRANTËT, ADMINISTRATORËT SHQIPTARË LENË NË DET UDHËTARËT

Ish deputeti Arben Malaj ka reaguar sot lidhur me situatën e krijuar në portin e Vlorës. Në një postim në facebook Malaj shkruan se vendet evropiane nuk po pengojnë emigrantët ndërsa administratorët shqiptarë lenë në det udhëtarët.

POSTIMI I PLOTË

Ka disa raste që autoritetet shqiptare portuale pengojnë tragete të ndryshme të futen në portin e Vlorës dhe të Durrësit, duke krijuar situata të vështira për pasagjerët e tyre.

Disa adminstratorë të kompanive publike nuk dallojnë rregullin nga abuzimi me rregullin.

Në asnjë rast nuk pengohet një mjet transporti me 300 veta të futet në port, aq më tepër kur ai është nisur nga një port europian.

Vendet europiane nuk po pengojnë emigrantët dhe nuk po i lenë në det, administratorët shqiptare lenë në mes të detit disa qindra udhëtarë ku ka edhe shumë të moshuar dhe njerëz me probleme shëndetësore.

Autoritetet portuale ndaj tragetit mund të ketë shumë pretendime të drejta ligjore, por ndaj pasagjerëve në këto tragete kanë detyrimin numër një, t’ju eleminojë çdo vonesë, t’ju eleminojë çdo kosto shtesë, tu eleminojë çdo pasiguri, risk potencial edhe shëndetësore.

Rregulli nëpërmjet abuzmit të administratës publike nuk është rregull, por arrogancë që prodhon për qytetarët situata të vështira sociale dhe ekonomike. Në këtë rast jo vetëm duhet dhënë zgjidhje urgjente që njerëzit të mos qëndrojnë në det, por duhet gjetur dhe penalizuar ai që abuzon me detyrën dhe që nuk ndan dot detyrimet primare njerëzore ndaj pasagjerëve me përgjegjësinë për ta parandaluar shkeljen e ligjit nga kushdo. Të shpresojmë që kërkesa e përseritur e qytetarëve të mos bier në vesh të shurdhët,

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button