Vlorë: Trajtimi i mbetjeve urbane, në janar nis investimi 15 milionë euro për landfillin
Në muajin janar të vitit të ardhshëm do të nisë investimi për projektin e landfillit të Vlorës, pjesë e skemës së trajtimit të mbetjeve urbane në këtë qytet dhe më gjerë.
Pas një “odiseje” më shumë se 10 vjeçare, projekti i grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve urbane në Vlorë, po hyn në rrjedhën e procedurave të konkretizimit. Kjo u konfirmua nga Kryetari i Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj, i cili u shpreh se “ky investim është tepër i rëndësishëm për të garantuar standarde mjedisore për qytetin dhe vijën bregdetare”.
Këtij momenti i parapriu një fazë përgatitore disa mujore ku përfshihen takime të përbashkëta me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, Bankës Gjermane KFË, gjatë të cilave u saktësuan elementët e zbatimit të projektit, si edhe vendi i ndërtimit të landfillit, që është zgjedhur një zonë në fshatin Sherishtë, 7 km në verilindje të qytetit, e cila përmbush të gjitha kriteret për projektin në fjalë.
Ky projekt që financohet nga Qeveria Shqiptare, Qeveria Gjermane, Banka Gjermane KFW, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 15 milionë eurosh, është një nga investimet më të mëdha në qytetin dhe qarkun e Vlorës në këto 24 vite dhe zgjidh një nga problemet më të rëndësishme që lidhet me trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet bashkëkohore. Pjesë e financimit është edhe një fond prej 3 milionë eurosh për trajtimin e pikave aktuale të trajtimit të mbetjeve.
Për ta bërë sa më efektiv, projekti i trajtimit të mbetjeve urbane është përshtatur me standardet aktuale.
Grumbullimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane në qytetin e Vlorës është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet komuniteti prej më shumë se dy dekadash Praktika aktuale e trajtimit të tyre është shumë larg standardeve të kërkuara. Vendhedhja aktuale, ndodhet në periferi të qytetit, por shumë pranë kufirit të banesave të fundit. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e popullimit të zonave periferike të Vlorës, nga fluksi i lëvizjeve demografike të pas viteve ’90-të. Nga ana tjetër, përpunimi i mbetjeve të ngurta shoqërohet me ndotje të mjedisit dhe pasoja të tjera të dëmshme. Ky shqetësim shtohet në periudhën e verës kur rriten temperaturat dhe numri i popullsisë, për shkak të ardhjes së pushuesve
-Pak histori-
Në vitin 2004, Banka Botërore akordoi një fond prej 500 mijë USD për studimin e fizibilitetit të zonës ku do të ndërtohej një vendhedhje(landfilld) e re për mbetjet urbane të qytetit të Vlorës dhe më gjerë. Ky studim u realizua nga një kompani e specializuar amerikane, e cila e përfundoi atë në vitin 2009. Ndërkohë, në vijim të zbatimit të procedurave për konkretizimin e këtij investimi, në vitin 2009, Qeveria Shqiptare akordoi 20 milionë lekë për hartimin e projektit, që përfundoi brenda atij viti. Kjo do të thoshte se, pas kësaj duhej të nisnin punimet për zbatimin e tij në terren, gjë që nuk ndodhi, megjithëse ndërkohë Banka Botërore kishte miratuar financimin e këtij investimi. Në realizimin e këtij projekti u përfshi edhe shoqëria civile, që përfaqësohej në një komision të përbashkët lokal, i përbërë edhe nga specialistë të disa institucioneve.
Por, megjithëse kanë kaluar 10 vjet nga nisja e procedurave për ndërtimin e landfilldit, gjithçka ka mbetur “në vendnumëro”.
Ky projekt nuk ka gjetur zbatim për shkak të disa vështirësive ku përfshiheshin konflikti për vendin ku do të ndërtohej. Bashkia e Vlorës ka deklaruar gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij projekti, duke e bashkëfinancuar atë me një fond prej 200 mijë euro nga të ardhurat e saj. Por, për këtë qëllim, sipas drejtuesve të saj, ka qenë e nevojshme një vendimmarrje që i kalon kufijtë lokalë, për shkak të kundërshtimit të projektit nga komuna Qendër, që nuk e ka miratuar atë në territorin që administrohet prej saj.
Projekti në fjalë, është pjesë e planit perspektiv për menaxhimin e mbetjeve urbane në Vlorë, i cili do të zgjidhë përfundimisht edhe shqetësimet aktuale, që evidentohen në këtë drejtim. Mes të tjerash parashikohet që, në hapësirën e landfillit të instalohet teknologjia e përpunimit të mbetjeve në përshtatje me kërkesat bashkëkohore.
Projekti i plotë i “landfilld”-it, që do të mbështetet nga Qeveria Shqiptare, Qeveria Gjermane, Banka Gjermane KFË, parashikohet të zbatohet i ndarë në dy faza, në një perspektivë disa vjeçare.
Në fazën e parë të tij, përfshihet realizimi dhe përmirësimi i standardeve të grumbullimit, transportit dhe hedhjes së mbeturinave, ku veçohet mundësia e riciklimit të kategorive të caktuara të mbetjeve urbane, veçanërisht atyre me material plastik.