Politika

Voltani Ademi: Divjaka, pesë herë më shumë fonde se Shkodra

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, në një interviste për gazetën “Shekulli” tregon konkretisht mbi mungesën e financimit nga ana e qeverise të projekteve të paraqitura, bashkëpunimet me donatorë të huaj për financime të projekteve, ndërsa shton se, pavarësisht qëndrimit të Kryeministrit, ajo është e hapur për bashkëpunim pasi “kur bëhet fjalë për shërbim për njerëzit, politika s’duhet të ketë më vend”.

Rrëfimi i saj i gjatë ndalet pikërisht te mekanizmi që ndiqet për ndarjen e fondeve dhe mënyra se si trajtohen bashkitë e djathta. Sipas saj Shkodra trajtohet njësoj si Belshi, ndërkohë që si të majtët ashtu dhe të djathtët rrinë pas dyerve të ministrave për të tërhequr ndonjë fond.

Bashkia Shkodër të cilën ju e drejtoni nuk ka marrë asnjë financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ne fazën e dytë, ndërsa në të parën mori vetëm 7%. Si e gjykoni ju këtë?

Fondi i zhvillimit të rajoneve është një instrument zhvillimor dhe një mekanizëm financiar konkurrues që mbështet politikën kombëtare të zhvillimit rajonal dhe lokal, për të siguruar zbatimin e objektivave të politikës së kohezionit territorial, për të patur rajone me zhvillim të balancuar, konkurruese dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor. Ky fond, përcaktohet në buxhetin e shtetit dhe miratohet nga parlamenti. Kritere të përcaktuara për vlerësimin e aplikimeve janë të afishuara për komitetin teknik, e cila pritet që të jetë një trupë ekspertësh të cilët sipas një metodologjie duhet të vlerësojnë teknikisht raportet, të përgatisin raportet e vlerësimet, në mënyrë që këto, më pas, të jenë bazë për gjykimin në komitetin e zhvillimit të rajoneve që është vendimmarrëse. Komiteti i zhvillimit të rajoneve përbëhet nga Kryeministrin, anëtarët Këshillit të Ministrave dhe kryetarë të shoqatave të bashkive dhe Agjencive të zhvillimit rajonal. Tentova të përshkruaj shkurtimisht instrumentin me qëllimin e mirë që të gjithë të kuptojmë dhe të dimë mbi procesin teknik dhe atë të vendimmarrjes, në mënyrë që të vlerësojmë më pas këtë vendimmarrje. Gjithmonë ka patur diskutime mbi mënyrën e shpërndarjes së këtyre fondeve, aq më tepër kur bëhet fjalë për fonde, të cilat zënë pjesën më të madhe të fondeve që do të duhet të përfitojnë Bashkitë për investime në fusha të ndryshme, sikurse infrastruktura vendore, arsimi, shëndetë- sia, zhvillimi ekonomik, program inovativ, “Shqipëria dixhitale”, etj.

Qëllimet e përdorimit të këtij fondi sikurse përcaktohet; “për një zhvillim të balancuar”, “konkurrues”, për “zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor”, janë një domosdoshmëri për t’u përmbushur, jo vetëm në kuadrin e kërkesave ligjore, por edhe si domosdoshmëri e përmbushjes së angazhimeve politike që qeveritë, në këtë rast qeveria aktuale ka marrë përsipër. Verifikohet se shpërndarja e fondeve deri më tani nuk bazohet në një raport, apo vlerësim ekspertësh sikurse ligji parashikon. Kjo vërtetohet me faktin se në asnjë nga mbledhjet e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve nuk ka një raport të vlerësimit, nuk ka një paraqitje në radhë të projekteve të paraqitura nga Bashkitë, e për më tepër, asnjë nga anëtarët e komitetit të zhvillimit të rajoneve, përfshirë edhe ministrat nuk kanë asnjë lloj informacioni të radhitur dhe sadopak të argumentuar për vendimmarrjen për projektet për të cilat janë të “ftuar” të ngrenë dorën dhe të votojnë.

Kjo ndodh gjithmonë dhe në çdo mbledhje. Kjo “metodë pune” nuk është profesionale, është jo transparente, është jo reale dhe aspak e bazuar teknikisht. Them kështu, pasi i gjithë procesi nuk ndodh përmes një procesi që ligjërisht do të duhej të respektonte kë- to kërkesa. Projektvendimet u dërgohen anëtarëve, ministrave dhe katër kryetarëve, anëtarëve të komitetit, një natë përpara me e-mail, në formatin e projektvendimeve, projektvendime për të cilat në 100% të rasteve nuk ka vend për diskutim të nesërmen në mbledhjen e kryesuar nga kryeministri apo zv/kryeministri.

Përplasja

Si do t`i përgjigjeshit kryeministrit dhe fyerjeve të tij ndaj jush. A do kërkoni dhe a jeni e gatshme të bashkëpunoni, nëse ai ndryshon qëndrim ndaj Shkodrës?

Kryetare e Bashkisë së Shkodrës, gjatë gjithë periudhës kam qenë aktivisht pjesëmarrëse dhe kontribuese në takimet qeveritare të organizuara për çështjet e trajtuara që kryesisht kanë qenë të lidhura me pushtetin vendor. Duke marrë pjesë aktivisht dhe duke kontribuar në përmirësimin e legjislacionit, akteve normative, pse jo edhe metodologjive për përmirësimin e punës kam dëshmuar vullnetin për bashkëpunim. Bashkëpunimi është i nevojshëm, pavarësisht pozicionimeve politike. Në rastin kur bëhet fjalë për shërbim për njerëzit politika s’duhet të ketë më vend. Do të vazhdoj të punoj e me vullnet pozitiv të kontribuoj, pavarë- sisht debateve, apo qëndrimeve shpesh e në mënyrë të tejskajshme të dominuara nga egoja për gjithëpushtet politik. Njerëzit kanë nevojë për punë, për shërbime, për bukën e përditshme, për shkollën, për kopshtin, për ujin, për të ndërtuar a meremetuar shtëpinë, për shërimin e shëndetin, kanë nevojë…nuk duhet t’i lodhim më shumë me një barrë të tepërt, që në kushtet në të cilat janë rëndon edhe më shumë.

Po përpiqemi të punojmë me komunitetin, me biznesin, me donatorët. Këtë vit kemi parashikuar një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturë, në shkolla, kopshte dhe infrastrukturë vendore. Të gjitha këto po realizohen me fondet e vetë komunitetit të Shkodrës, të qytetarëve dhe biznesit që kontribuon në të ardhurat e Bashkisë Shkodër. Për këtë jemi përpjekur të përdorim më me efiçiencë paratë për personel dhe kosto operacionale, duke mundësuar kështu investime me fondet tona. Nga ana tjetër kemi mundur të marrim fonde. Janë 70 projekte për vitin 2016!

A është e vërtetë që projektet e paraqitura nga ju kanë qenë të dobëta?

Dua t’u paraqes një grafik që përpiqet të paraqesë ndarjen e fondeve sipas bashkive. Grafiku nuk lë vend për interpretim. Çdokush, pavarësisht dijeve, të thelluara apo jo në materie, është në gjendje të bëjë lehtësisht dallimin. Për të gjithë listën e projekteve të aplikuara, komiteti teknik nuk ka kthyer asnjë, për asnjërin projekt të paraqitur nuk ka një raport teknik negativ, dhe, sikurse përmenda më sipër, disa nga projektet janë të porositura për t’u projektuar dhe në fund janë certifikuar sipas standardit të vetë ministrive,. Në këto kushte s’ka vend për më shumë shpjegime. Politika, nuk duhet të gabojë të flasë në emër të ekspertëve, pa bazë, se ashtu i bie përmbarë, sepse ashtu më lehtësisht zmbrapsen komunitetet që kërkojnë të mbështeten në emër të ligjit, të së drejtës, dhe të asaj çfarë u takon. Gjykime të tilla, janë jo profesionale, s’janë të balancuara dhe janë politike.

Donatorë për Shkodrën në mungesë të shteti

Përveç fondeve që siguron nga thithja e taksave sipas ligjit,a ka bashkia Shkodër financime nga donator të tjerë , vendas apo të huaj , të cilët konkretizojnë ose ndihmojnë në realizimin e projekteve të kësaj bashkie?

Po, donatorët na kanë ndihmuar. Dua të përmend projektet që po realizojmë në marrëveshje me programin ‘Decentralisation and Local Development Programme’, financuar nga qeveria zvicerane, me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, financim përmes ‘USA Army’, në kuadër të programit IADSA,financuar nga qeveria italiane, projektet në marrëveshje me ‘Shpresë për Botën’, ‘Gruaja te Gruaja’, CIAS, Malteser, ‘Save the Children’, ‘Terres des homme’, UNDP, SOS, fshatrat e fëmijëve, Fondacioni Vodafone Albania, si dhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për projektimin teknik të projekteve të zhvillimit. Më në detaj, në:

a) Programin e bashkëpunimit Zviceran, që na ka mundësuar shtrirjen e rrjetit të zyrave më një ndalesë në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Shkodër, pra në të gjithë territorin, pajisjen e tyre dhe programin e menaxhimit të sistemit të këtyre zyrave. Stafi i Bashkisë Shkodër gjithashtu do të përfitojë trajnim për të përdorur jo vetëm teknologjinë e re në administrim, por edhe për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.

b) Programin për Strehimin përmes MZHU. Bashkia Shkodër ka përfituar projektin për rikonstruksionin e Konviktit të Shkollës pyjore, projekt që do të ndihmojë për zgjidhjen e problemeve të strehimit të familjeve të jetimëve dhe jetimëve që dalin nga institucionet rezidenciale dhe grave kryefamiljare me shumë fëmijë.

c) Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Po realizohet rikonstruktimi i plote i Qendrës se Zhvillimit me financim te USA Army. Ky projekt do të përmirësojë dukshëm kushtet e shërbimit dhe do të rrisë kapacitetet për shërbimin ditor për familjet e Shkodrës të cilat kanë nevojë të madhe për këtë shërbim për fëmijët me aftësi ndryshe. Përmes ndihmës së USA Army është realizuar Rikonstruksioni i plotë i shkollës speciale 3 Dhjetori , shkollë kjo e fëmijëve me nevoja të veçanta.

d) Programin IADSA i Qeverisë Italiane. Krijimi dhe ndërtimi i Qendrës së parë rinore publike në Shkodër është një project që do të realizohet në qendër të qytetit të Shkodrës, në godinën e galerisë së Arteve. Kjo qendër me infrastrukturën modern do të jetë e hapur për të rinjtë për të shërbyer me informacion, për aktivitete kulturore, TIK, art e teatër.

Cilat janë problematikat më emergjente që kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe si do të mund t`i realizoni ?

Përmbyllja sa më shpejt e procesit të bashkimit të njësive, përfshirë këtu edhe transferimin e plotë të funksioneve që tashmë me ligj u është kaluar Bashkive, transferimi i aseteve dhe i të drejtave për menaxhimin e plotë bashkive është imperative. Është një proces që ka zgjatur shumë, ka konsumuar shumë kohë dhe e përditshmja në punë, ka rezultuar një ecejake e vështirë, duke mos patur hapësirën për të vepruar sidomos për shkak të vakumit ligjor, normative apo rregullues. Megjithatë, problemet janë të shumta sidomos mbas reformës territoriale, për shkak të trashëgimisë së rëndë në menaxhim, apo në vetë infrastrukturën e trashëguar kudo, në atë rrugore, të ujit të pijshëm, të arsimit, shëndetësisë, të mbrojtjes ndaj rreziqeve natyrore, të mbrojtjes së tokave, të ujitjes dhe kullimit, kjo sidomos në njësitë administrative ish-komuna. Mendoj se forcimi dhe rritja e kapaciteteve menaxhuese, rritja e kapaciteteve fiskale, dhe ngritja e fondeve për projektim dhe financim të projekteve strategjike janë prioritet. Uji i pijshëm, mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i ujërave të bardha dhe të zeza, infrastruktura shoqëruese, menaxhimi i mbetjeve, projektet infrastrukturore, projektet e mbështetjes për prodhimin në bujqësi, përdorimin por edhe ruajtjen e pyjeve janë sfida shumë të mëdha me të cilat përballemi. Do të vazhdojmë të punojmë, me besimin se çdo gur përditë mund të përbëjë përmirësimin e dëshiruar. Nuk bëhet vetëm! Shpesh drejtohem për ndihmë, për punë, për vullnet, për dëshirë e pozitivitet, duke besuar gjithmonë se gjithçka mund të bëhet bashkë.

Vetëm 0.8 përqind e fondit i shkon Shkodrës

Nga komunikimi me kryetarë, të majtë dhe të djathtë, ajo çfarë mëson është përpjekja e tyre për të marrë këto fonde në mënyra informale, përmes “trokitjes” në dyert e ministrave, apo të njohurve pranë tyre, për të mundësuar në një mënyrë apo një tjetër financimin, “me shpresë”, të ndonjë projekti, që për disa nga kryetarët, pavarë- sisht përpjekjeve, përgjatë një viti nuk ka ndodhur kurrë! Bashkia Shkodër ka marrë fonde më pak se Bashkitë Vorë, Kolonjë, Malësi e Madhe, Maliq, dhe krahasohet me Bashkitë Ura Vajgurore, Finiq, Belsh. Dhashë shembullin e Bashkisë Shkodër, por e njëjta gjë mund të thuhet për bashkitë Kamëz, Lezhë, Vau i Dejës, Kukës, Tropojë, Pogradec, Mallakastër, Vorë, Selenicë, Përmet, Devoll, Dropull, Mat, Klos, etj. Bashkisë Shkodër i janë akorduar rreth 0.8% të totalit të fondeve Duke e krahasuar me Bashkitë e tjera,

Bashkia Shkodër ka marrë rreth:

• 20 herë më pak se Bashkia Tiranë; • 10 herë më pak se Bashkia Durrës; • 9 herë më pak se Bashkia Korçë; • 8 herë më pak se Bashkia Fier; • 7 herë më pak se Bashkia Elbasan; • 5 herë më pak se Bashkitë Sarandë dhe Divjakë; • 3 herë më pak se Bashkitë Kavajë, Berat dhe Librazhd; • 2.5 herë më pak se Bashkitë Lushnjë e Himarë; • 2 herë më pak se Bashkitë Krujë, Patos, Mirditë; • 1.5 herë më pak se Bashkitë Dibër, Skrapar, Roskovec

Projektet dhe drejtimi i fokusimit

Bashkia Shkodër ka aplikuar te të gjitha thirrjet sipas programeve të shpallura: Më saktësisht po ju paraqes listën e projekteve. Disa nga këto projekte janë hartuar nga vetë ministritë e linjës dhe janë projekte teknikisht të certifikuara nga vetë këto ministri: psh nga Ministria e Shëndetësisë për projektet e rikonstruksionit të Qendrave Shëndetësore, apo Ministria e Arsimit dhe Sportit për Rikonstruksionin e objekteve arsimore.

Bashkia Shkodër ka aplikuar në:

Në Grantin 1: “Infrastruktura vendore dhe Rajonale”, Programi i Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale: • Ndërtimi i rrjetit të Kanalizimeve të Ujërave të Zeza në lagjen “Mar Lula”, • rikonstruksion Rruga “Luguçesme”, • Sistemim i bllokut te pallateve “Xhabije”, • Rikonstruksion godina 1-3 kate dhe sistemim sheshi funksional, • Sistemim asfaltim Rruga “Sheshi Kryesorë-Hidrovor”; • Sistemim asfaltim Rruga “Shirokë-Zogaj”; Në Grantin 2: “Arsimi”, Programi i Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale, • Rikonstruksion Shkolla 9 vjeçare “Azem Hajdari”. • Rikonstruksion Shkolla 9 vjeçare “Mati Logoreci” • Rikonstruksion Shkolla 9 vjeçare “Ismail Qemali”; • Rikonstruksion Shkolla 9 vjeçare“Jordan Misja”; Në Grantin 3: “Shëndetësia (shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor)”, Programi i Zhvillimit të Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale, • Rikonstruksion Qendra Shëndetësore “Plazh”, Nj. A, Velipojë • Rikonstruksion Qendra Shëndetësore “Bërdice e Madhe”, Nj.A Bërdice • Rikonstruksion Qendra Shëndetësore “Grude e Re”, Nj.A Rrethina

Related Articles

Nje koment

  1. Zonja Voltana, si nuke the nje fjale per milonat qe qeveria shqiptare dhe personalisht kryeministri Rama i kane dhene qytetit te shkodres, per ndertimin e stadjumit LORO BORICI, nje nga stadjumet me te bukura ne ballkane, muzeut MARUBI, bibliotekes te qytetetit, fondet ne drejtim te zhvillimit bujqesore, etj. Populli thote , atje ku ka shume fjale, ka pake pune, Ju vetem dini te qaeni, mere shembull nga Erjon Velia qe me taksat e qytetit, po ben mrekullira per komunitetin e bashkise. Epame, se si e kishe katandisure shkodren diten e ndeshjes KROACI, KOSOVE. Prandaje leri qyravitjet dhe pervishu punes vete , juve dhe aparai i bashkise, se me shume mereni me barsaleta se sa te zgjithni problemet e komunitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button