Vota e britanikëve, ndëshkim i ashpër për laburistët
Me votën e tij, elektorati britanik u dërgoi një sinjal të rëndësishëm politikanëve të vendit. Mbrëmja e së enjtes ishte një makth për laburistët në opozitë dhe kapakun, kalvarit të disfatës ia vuri fitorja e një studenteje skoceze 20-vjeçare, e cila u shndërrua në ligjvënësen më të re të Britanisë që prej vitit 1667.
Dhe ç’ është më e keqja, Mhairi Black, përfaqësuese e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) i mori votat njërës prej figurave më të rëndësishme të laburistëve në këto zgjedhje, shefit të fushatës, njëkohësisht ish-ministër kabineti, Douglas Alexander.
Skocia, tradicionalisht simpatizuese e Partisë Laburiste, i ktheu shpinën duke mbështetur SNP-në. Ed Miliband u detyrua të pranonte se ajo e së enjtes kishte qenë një natë tmerrësisht e vështirë dhe zhgënjyese. Ai e justifikoi humbjen e thellë me rritjen e ndjeshme të nacionalizmit skocez.
Por, ndëshkimi nuk erdhi vetëm aty. Nga garë kokë më kokë, që u mendua fillimisht, beteja për votën e britanikëve ravijëzoi shumë shpejt triumfin e qartë të konservatorëve të David Cameron. Por, euforia e tyre jashtë kufijve përkthehet në shqetësim për ardhmërinë e Britanisë së Madhe në BE. Cameron ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore ndër të tjera se, në rast fitoreje, deri në vitin 2017 do të organizojë një referendum mbi qëndrimin ose jo të vendit në Bashkimin Europian dhe ky është një zotim nga i cili nuk tërhiqet dot.
Po kështu, pati deklaruar se nëpërmjet shkurtimeve për shpenzimet sociale, planifikon reduktimin e deficitit buxhetor në 5% të prodhimit të brendshëm bruto në zero deri në 2018/19. Laburistët ishin kundër referendumit për BE-në dhe për një reduktim të ngadalshëm të deficitit buxhetor. Në fakt, kur britanikët hodhën të enjten votën e tyre për Dhomën e Ulët të Parlamentit, bëhej fjalë për shumë më tepër se sa vetëm për politikën e ardhshme për shëndetësinë, taksat apo migracionin në mbretëri.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të lexohet fare qartë edhe si një votim paraprak për Europën. Ndonëse Cameron dëshiron që Anglia të mbetet pjesë e Bllokut, ai është për një BE të reformuar. Me këtë ka parasysh një Bashkimin Europian që të ndërhyjë më pak në problemet kombëtare të vendeve anëtare, të cilat janë më të kursyer dhe me personel më të pakët. Me fjalë të tjera, qendra e Brukselit duhet të humbasë peshë kundrejt vendeve anëtare.