Kronika

Vrasja e Lamajt, seanca 24 ndaj Frrokut, pritet dëshmitari kyç

Rreth orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure nisi seanca e radhës ndaj procesit gjyqësorë në ngarkim të biznesmenit Arben Frroku, të dyshuarit të drejtësisë për vrasjen e komisarit të Kombinatit, Dritan Lamaj një vit më parë.

Gjykata-466x350

Nën masa të rrepta sigurie në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, zhvillohet pa praninë e mediave seanca e 24, ku ashtu sikurse në 8 seancat paraardhëse pritet deponimi i dëshmitarit të mbrojtur, Fatmir Vladi, emri i të cilit u bë publik për herë të parë nga vetë i pandehuri Frroku.

Më 26 Shtator, nga qelia e paraburgimit 303, i akuzuari për vrasjen e kryepolicit Lamaj do të deklaronte se e njihte dëshmitarin e mbrojtur nga drejtësia. Deri para këtij fakti dhe publikimit real të tij, dëshmitari i cili pretendon se ka parë Frrokun në vendin ku u vra Lamaj në shkurt të 2013-ës, njihej me pseudonimin “Arben Ndoka”.

Fundshkurtin e 2014-ës, kur u mbush një vit nga vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt dhe i dyshuari për krimin e rëndë, biznesmeni Arben Frroku pritej të ulej në kafazin e hekurt për t’u përballur me drejtësinë, “Gazeta Shqiptare” mundi të zbardhë rrëfimin e dëshmitarit të mbrojtur të prokurorisë. Atëkohë, ky dëshmitar njihej me identitetin Arben Ndoka dhe ishte marrë në ruajtje nga zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve. Para prokurorëve, ai kishte deklaruar se kishte identifikuar biznesmenin Frroku në makinën prej nga u qëllua kryekomisar Dritan Lamaj. Pak ditë më parë, biznesmeni Frroku e zbuloi identitetin e dëshmitarit të mbrojtur, që sipas tij quhet Fatmir Vladi. Më poshtë, po botojmë të plotë dëshminë që 43-vjeçari Vladi u dha prokurorëve për Krime të Rënda, e që konsiderohet si prova kyçe në procesin ndaj biznesmenit Frroku, natyrisht nëse gjykata do t’ia dalë për ta administruar.
Rrëfimi i dëshmitarit të mbrojtur

 

Arben Frroku ne gjyq
Arben Frroku ne gjyq

Ditën e ngjarjes, mbaj mend ka qenë data 24.02.2013, ditë e diel. Unë atë ditë rreth orës 18.00 po bëhesha gati për të dalë nga shtëpia për të bërë një xhiro me bashkëshorten time në këmbë, deri tek diga e Liqenit Artificial. Kur isha duke u veshur, mbaj mend që ikën dritat dhe kanë vonuar rreth 5 minuta që kanë ardhur përsëri. Pasi erdhën dritat, unë kam dalë nga shtëpia së bashku me gruan time. Nuk kisha as pesë minuta që isha larguar nga pallati im dhe kisha arritur tek rruga ku ka ndodhur vrasja e Dritan Lamajt. Po tentoja të kaloja nga njëri trotuar i rrugës në tjetrin, kisha kaluar një kabinë elektrike apo interneti që ndodhet në trotuar dhe kisha mbërritur pranë dy shtyllave, karshi me supermarketin që i thonë “Supermarketi i korçarit”, në trotuarin në krah të kundërt të supermarketit. Në këtë kohë kam dëgjuar breshëri krismash arme zjarri. Fillimisht kam dëgjuar 4 a 5 të shtëna breshëri e pas saj një breshëri tjetër më të gjatë. Kam parë zjarrin e armës të dalë nga krahu i shoferit të një makine tip “BMW”, por nuk jam i saktë të them nga dera e shoferit apo pasagjerit të tij. Ndodhesha rreth 15 metra larg autoveturës tip “BMW”, metalizato, ngjyrë gri me targë të Durrësit DR 19 44 F, të cilën e kam të fiksuar nga ajo ditë. Kur përfundoi breshëria, makina “BMW” erdhi në drejtimin tim. Unë u shmanga nga rruga dhe u futa në mes të dy makinave të parkuara. “BMW”-ja startoi me shpejtësi të madhe dhe mori drejtimin për të dalë tek kryqëzimi i Shijaksburgut. Në kthesë pranë vendit ku ndodhesha unë, kam parë që nga shpejtësia e madhe goma e parë e krahut të djathtë të makinës ka goditur trotuarin dhe pastaj ka hyrë përsëri në rrugë dhe ka vazhduar me shpejtësi në atë drejtim lëvizje. Edhe sot dallohet shenja e gomës e lënë në trotuarin e rrugës. Në momentin kur makina ka kaluar pranë meje, unë kam dalluar që në automjet kanë qenë tre persona. Njëri në timon, njëri pasagjer në vendin e parë dhe një tjetër i ulur në sediljen e pasme. Personi që ishte ulur pasagjer në vendin e parë të makinës ishte me maskë të zezë në fytyrë dhe në trup m’u duk shumë i vogël. Edhe personi që ishte ulur në sediljen e pasme të makinës ishte me maskë të zezë në fytyrë. Edhe ky m’u duk i vogël në trup. Shofer ishte një person, i cili fytyrën e kishte të pambuluar me maskë. Në kokë do të ketë pasur një kapuç ose një maskë të ngritur, por di të them që fytyrën e kishte të zbuluar në momentin që e kam parë unë. Ky person ishte i madh në trup dhe i shëndetshëm. Fytyrën e tij e mbaj mend shumë mirë. Unë këtë person e njoh shumë mirë dhe di të them se është Arben Frroku. U habita që ky person të bëjë një veprim të tillë, pasi di që është biznesmen i fuqishëm dhe i shoqërisë.
Veç Arben Frrokut, dy personat e tjerë nuk i kam njohur. Di të them të tre ishin të veshur me ngjyra të errëta. Në krahasim me trupin e Arben Frrokut, ata dy të tjerët, siç thashë, ishin më të vegjël në trup, e sidomos ai që ishte ulur në sediljen e parë të pasagjerit.
Kam shoqëruar në ecje e sipër makinën derisa është larguar nga vendi i ngjarjes, pasi siç thashë, makina erdhi në drejtimin tim dhe ishte gati të më shtypte po të mos shmangesha. Pasi jam kthyer, jam afruar tek automjeti tip “Lancia” që kishte mbetur në rrugë. Atje kam parë që makina ishte e dëmtuar nga shumë plumba dhe prej njerëzve kam marrë vesh se ishte vrarë ish-shefi i komisariatit të Kombinatit, Dritan Lamaj. Unë vetë nuk e kam parë Dritanin, pasi janë mbledhur shumë njerëz.
Keni parë armë në duart e personave që ishin në “BMW”?
Unë kam dëgjuar krismat e armës që kanë dalë nga “BMW”-ja, ndodhesha 15 metra larg saj dhe, siç shpjegova, të shtënat ishin automatike dhe të fuqishme, por kur makina është afruar tek unë, nuk u kam parë armë personave.
Keni pasur njohje të mëparshme me Arben Frrokun dhe çfarë marrëdhëniesh keni pasur me të?
Unë Arben Frrokun e kam njohur si biznesmen dhe di që me vëllain e tij ka një biznes “AML” në autostradë dhe një tjetër pranë ish-kombinatit “Misto Mame”. Nuk kam pasur marrëdhënie apo raporte pune me të.
Keni pasur njohje të mëparshme me Dritan Lamajn, çfarë marrëdhëniesh keni pasur me të apo me njerëzit e tij të afërt?
E kam njohur si fytyrë dhe që ka qenë shefi i komisariatit në Kombinat. Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie me të.
Keni njohur persona të tjerë në vendin e ngjarjes që mund të na japin të dhëna për interesa të hetimit?
Kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë ora rreth 18.30 dhe pranë vendit të ngjarjes ka pasur shumë persona, por unë nuk kam njohur asnjë prej tyre. Edhe gruaja ime në momentin e ngjarjes është trembur dhe nuk ka pasur mundësi të fiksojë rrethana nga ngjarja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button