Vrima e çelësit u bë kullosë makaronash
Nga Ilir Demalia
Ka dy ditë që Shqipëria është mbyllur brenda një dhome gjumi.
Një lajm që në një shoqëri normale do të ishte material për tabloidet rozë, është kthyer në kryelajm kombëtar, në debat televiziv, në moralizim publik, në gjyq kolektiv.
Një kompozitor është filmuar — ose ka filmuar veten — në marrëdhënie intime me disa gra të muzikës dhe showbiz-it.
Dhe Shqipëria ka zbuluar papritur moralin.
Kjo është pjesa më qesharake e historisë.
Sepse, nëse marrëdhënia ka qenë mes të rriturish dhe me konsensus, çfarë dreqin na duhet ne?
Është jeta e tyre.
Trupi i tyre.
Dhoma e tyre.
Zgjedhjet e tyre.
Nëse dikush është i martuar, le ta zgjidhë me burrin apo gruan e vet. Nuk ka nevojë për gjykatën morale të Facebook-ut.
Kush nuk ka bërë Kamasutrën në krevatin e vet?
Dallimi është se dikur dera mbyllej.
Sot dera mbyllet, por telefoni hapet.
Dhe vrima e çelësit është bërë kullesë makaronash.
Personalisht, përveç dy këngëtareve që përmenden, të tjerat as nuk e di kush janë.
Nuk dëgjoj muzikën e tyre.
Nuk shikoj Big Brother.
Nuk shikoj Përputhen, Për’Puthen Përthithen apo gjithë atë industri televizive ku shqiptarët mbyllen në shtëpi për të parë njerëz të tjerë duke jetuar, dashuruar, zënë, puthur, tradhtuar dhe ndarë. Këtu qëndron perversiteti ynë social.
Ne ushqehemi me voyeurizëm dhe pastaj bëhemi puritanë.
I mbyllim njerëzit në kamera 24 orë dhe i shikojmë si përgjues nga vrima e çelësit. Pastaj, kur dikujt i del privatësia jashtë kontrollit, të njëjtët përgjues shndërrohen në gjykatës morali.
Turma kërkon gjahun.
Kur e gjen, fillon ta shqyejë.
Seksi është i vjetër sa bota.
“Mëkatin” e parë, sipas Biblës, e bënë Adami dhe Eva.
Nuk është shpikje e TikTok-ut.
Nuk është shpikje e Big Brother-it.
Nuk është shpikje e showbiz-it.
Ajo që ka ndryshuar është teknologjia e përgjimit.
Dikur duhej të ngjiteshe pas murit për të parë.
Sot mjafton një telefon.
Një kamerë.
Një password i vjedhur.
Një cloud i hakuar.
Një screenshot.
Një grup WhatsApp-i.
Dhe brenda pak minutash, jeta intime e një njeriu mund të bëhet pronë e një turme.
Këtu nuk kemi më thjesht kuriozitet.
Kemi një industri të turpit.
Dhe turpi publik është një armë.
Mund të prodhojë ankth, izolim, shkatërrim marrëdhëniesh, humbje pune, poshtërim, trauma psikologjike.
Një video mund të zgjasë dy minuta.
Por pasojat e saj mund të zgjasin vite.
Ajo mund të fshihet nga një faqe.
Por nuk mund të fshihet nga mijëra telefona që e kanë kopjuar.
Ky është paradoksi brutal i teknologjisë: privatësia mund të shkatërrohet për një sekondë, ndërsa rindërtimi i jetës mund të kërkojë vite.
Dhe ne, në vend që ta kuptojmë këtë, klikojmë.
Shpërndajmë.
Komentojmë.
Tallim.
Gjykojmë.
Dhe pastaj çuditemi pse shoqëria është bërë kaq e pamëshirshme.
Por këtu ka edhe një problem shumë më të madh.
Media.
Jo çdo gjë që mund të publikohet është lajm.
Jo çdo gjë që prodhon klikime është gazetari.
Dhe jo çdo material që njerëzit duan ta shohin duhet t’u jepet.
Pushteti i katërt nuk është pushteti për të hapur çdo derë të mbyllur.
Gazetaria duhet të mbrojë interesin publik, jo epshin publik.
Ka një ndryshim kolosal midis interesit publik dhe kuriozitetit të publikut.
Publiku mund të jetë kurioz për gjithçka.
Kjo nuk do të thotë se gjithçka është në interesin publik.
Sot është një kompozitor dhe disa gra të showbiz-it.
Nesër mund të jetë një politikan.
Pasnesër një biznesmen.
Më vonë një njeri që nuk ka qenë kurrë personazh publik.
Dhe atëherë pyetja nuk do të jetë më:
Çfarë bëri ai në dhomën e gjumit?”
Pyetja do të jetë:
“Kush na dha të drejtën të hyjmë në të?”
Sepse nëse pranojmë parimin se çdo gjë private mund të publikohet vetëm sepse njerëzit janë kuriozë ta shohin, atëherë nesër askush nuk ka më privatësi.
As ti.
As unë.
As familja jote.
As fëmijët e tu.
As kundërshtari yt.
As armiku yt.
As njeriu që nuk e duron dot.
Kjo është ajo që nuk kuptojmë.
Privatësia nuk është privilegj i njerëzve që na pëlqejnë.
Është e drejtë edhe e atij që nuk na pëlqen.
Madje pikërisht aty matet një shoqëri.
Të mbrosh privatësinë e dikujt që e do është e lehtë.
Ta mbrosh privatësinë e dikujt që nuk e pëlqen, ky është civilizim.
Prandaj problemi nuk është çfarë kanë bërë ata në krevat.
Problemi është çfarë po bëjmë ne jashtë tij.
Sepse duke u jargavitur pas jetës intime të tjetrit, duke e filmuar, hakuar, shpërndarë, publikuar dhe pastaj duke e gjykuar, nuk po mbrojmë moralin.
Po ushqejmë një perversitet kolektiv.
Po e kthejmë turpin në argëtim.
Privatësinë në spektakël.
Dhe dhimbjen e individit në klikime.
Dikur shikoje nga vrima e çelësit.
Sot ke kamerën në dorë.
Por problemi nuk është teknologjia.
Problemi është njeriu që e përdor atë për të hyrë aty ku dera është mbyllur.
Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme që duhet t’i bëjmë vetes nuk është:
“Çfarë bënë ata në dhomën e gjumit?”
Por:
“Çfarë po bëhet me ne si shoqëri që kemi kaq shumë nevojë të hyjmë në dhomën e gjumit të tjetrit?”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.