Politika

“Vula“ e PD-së, rikthehen përplasjet brenda demokratëve

Kryesia dhe Bardhi betejë me nenet e Statutit

“Vula“ duket se ende vijon të jetë kryefjala e debateve dhe e përplasjeve brenda PD-së. Pas betejës ligjore mes Berishës dhe Alibeajt për legjitimitetin e drejtimit të PD-së, logos dhe se kush duhet ta kishte në zotërim „vulën“ e PD-së, tashmë beteja duket se është zhvendosur midis Gazment Bardhit dhe kryesisë së PD-së, deri dje pjesë e të njëjtës aleancë kundër „Rithemelimit“ të PD-së.

Pasi Berisha humbi në përballjen ligjore me Alibeajn për legjitimitetin e drejtimit të PD-së, si dhe pas dorëheqjes së Alibeajt si kryetar në detyrë pas humbjes në zgjedhjet vendore të 14 majit, drejtimin e PD-së e mori sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili ka dhe vulën si autoritet ligjor përfaqësues i PD-së.

Por duket se situata është komplikuar tashmë në prag të zgjedhjes së kryetarit të PD-së me 29 korrik 2023.

Vendimi i kryesisë së PD-së

Në këto kushte 1/5 e kryesisë së PD-së, në mbledhjen e sotme ja ka hequr Bardhit të drejtën e përdorimit të „vulës“, duke ia kaluar këtë të drejtë sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa, i cili është urdhëruar nga kryesia e PD-së që të prodhojë një vulë tjetër, duke e bërë të paqenë vulën që ka në zotërim Bardhi.

Kryesia e PD-së pretendon se vendimin e ka marrë në mbështetje të nenit 45 pika 4 e Statutit të PD-së, që lidhet me komptetencat e kryesisë, i cili thotë:  “Të drejtën për të kërkuar thirrjen e mbledhjes dhe për të propozuar vendime Kryesisë së Partisë e kanë Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm ose 1/5 e anëtarëve të Kryesisë.

Vendimet në Kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kryesisë. Në rast se nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, atëherë mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga kuorumi.“

Sefa: Bardhi asnjë kompetencë për thirrjen e Këshillit Kombëtar të PD-së

Sefa, në një deklarim për mediat ka folur edhe për kompetencat e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, i cili, sipas tij, nuk ka asnjë të drejtë të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, pasi këtë të drejtë e ka vetëm kryesia dhe kryetari i PD-së.

“Të interesuarve direkt për t’i shërbyer Sali Berishës dhe interesave të tij, u kujtoj gjithashtu se në bazë të statutit, Sekretari i Përgjithshëm ka kompetenca vetëm për organzimin e brendshëm të Partisë e në asnjë rast për përfaqësimin e saj në raport me të tretët. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e KëshillitKombëtar. Këtë të drejtë e ka vetëm: 1- Kryesia; 2- Kryetari. Në zgjedhjet e brendshme në Parti, Sekretari i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë statutore.“- deklaroi Sefa.

Bardhi: Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bardhit, i cili deklaron se “statuti i PD-së nuk ndryshon me mbledhje kryesie”.

“Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetem dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund t’ju vij këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë”- shkruan Bardhi në reagimin ndaj vendimit të kryesisë.

Sipas tij, vula administrohet sipas nenit 8 të Statutit të PD-së; ndërsa dokumentimi, arkivimi, dhe protokollimi bëhet sipas nenit 21 të Statutit të Partisë dhe rregullave të miratuara me udhëzimin të Sekretarit të Përgjithshëm.

Neni 21 i Statutit të PD-së, në pikën 1 që i referohet Bardhi thotë: “Vendimet e Kuvendit Kombëtar, të Këshillit Kombëtar, të Kryesisë së PDSH-së, si dhe urdhrat dhe udhëzimet e Kryetarit të Partisë apo Sekretarit të Përgjithshëm, dokumentohen, protokollohen dhe arkivohen sipas rregullave të përcaktuara nga Sekretari i Përgjithshëm”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button