Xhafaj: Pritshmëri për më tepër rezultate domethënëse nga SPAK
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj deklaroi sot në Kuvend se “institucionet e reja të drejtësisë gjenden para sfidave të vështira, por plotësisht të arritshme”.
Xhafaj theksoi se “ndërsa flasim për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, mbetet prioritet ndalimi i çdo përpjekje, të jashtme apo të brendshme qofshin, për të ndikuar në çdo lloj forme në pavarësinë vendimmarrëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në procesin e hetimit dhe gjykimit”.
“Ka ardhur koha të ndëshkohet fort politikisht, administrativisht dhe penalisht ndikimi i paligjshëm në drejtësi”, tha Xhafaj.
Deputeti socialist tha se është momenti të kërkohet më shumë përgjegjshmëri dhe llogaridhënie në funksionimin dhe vendimmarrjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Ai e quajti të pafalshme paaftësinë apo mungesën e kurajos për mbajtjen e qëndrimeve të duhura publike për çështje të lidhura me punën e tyre, reagimin institucional ndaj presioneve të politikës dhe akuzave publike apo edhe për çështje konkrete në hetim apo gjykim nga disa segmente të medias, në interes të bizneseve apo edhe grupeve kriminale të caktuara, çka është edhe një ndër shkaqet e perceptimit të ulët të publikut për reformën.
Duke u ndalur te SPAK, Xhafaj tha se bashkohet me të gjithë ata që kanë pritshmëri për më shumë rezultate domethënëse në punën e institucioneve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht të SPAK.
“Pa dyshim në punën e tyre ka shumë tregues pozitivë, të pakrahasueshëm me pak vite më parë për sa i përket goditjes së grupeve kriminale, por edhe korrupsionit. Personalisht jam dakord edhe me kritikat që adresohen ndaj strukturave të reja të drejtësisë penale, që të mos rendin mbas statistikave, por të fokusohen dhe të harxhojnë energjitë kryesore për disa çështje madhore korrupsioni që qytetarët pyesin çdo ditë se deri ku është drejtësia me to. Janë çështje të “vjetra” në kohë dhe të reja, por të gjitha me ndjeshmëri të mëdha publike, të cilat do t’i jepnin realisht goditje fenomenit të pandëshkueshmërisë, do t’i jepnin ligjit forcën e duhur, do fuqizonin institucionet e drejtësisë, çka do të konsolidonte edhe besueshmërinë e qytetarëve”, tha Xhafaj.
“Ne nuk mund të pranojmë të kemi drejtësi të re me dy standarde hetimi e gjykimi. S’mund të jetë ndryshe teksa sheh një ish-gjyqtar të GJykatës Kushtetuese, çështja e të cilit shkon për gjykim në Gjykatën e Posaçme për një shtëpi 60 m2, ndërsa për disa të tjerë të flakur nga sistemi për shkak të pasurive marramendëse, deri miliona euro me letra, çështjet transferohen për efekt juridiksioni në gjykatat e rretheve gjyqësore të Durrësit, Elbasanit e Tiranës, me shpresën se mund të gjendet ndonjë prokuror që të shërbejë si lavatriçe e pastrimit të dosjeve të tilla. E kjo është çështje prokurorësh, por ca më shumë përgjegjësi e drejtuesve të lartë të sistemit, që mekanizmat ligjorë e institucionalë duhet t’i përdorin fort për të parandaluar këto dukuri që vënë shumë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjshmërinë e tyre”, tha Xhafaj.