Ekonomia

Xhepa: Reformat kaotike dhe mungesa e besimit, rreziqet e këtij viti

bFlet Dr. Selami Xhepa: Gjasat që ekonomia të shënojë ndonjë rritje të konsumit janë të pakta. Arsyet janë të shumta, por më thelbësoret lidhen me politikat e pagave dhe pensioneve, të cilat nuk pritet të kenë ndonjë përmirësim gjatë këtij viti, me perspektivat e zbehta të punësimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës…

Reformat kaotike, mungesa e besimit të agjentëve ekonomikë, oportunitetet e kufizuara ekonomike, klima politike e ashpër, mund të jenë pengesa dhe barriera serioze për ekonominë e vitit 2016, pohon  eksperti i ekonomisë Selami Xhepa. Qeveria duhet të gjejë kurajë dhe të tërhiqet nga disa prej masave tepër represive ndëshkimore, duke dalluar më mirë krimin ekonomik, siç është evazioni dhe fshehja e të ardhurave, me gabimet në regjistra apo kuponin e famshëm tatimor, sugjeron ai.  Xhepa vë në dukje se modeli ekonomik  që synon orientimin e rritjes ekonomike nga konsumi drejt eksporteve dhe investimeve nuk po rezulton i suksesshëm, teksa këshillon rihapjen e debatit mbi strategjitë e zhvillimit industrial të vendit, duke vendosur në zemër të tij parqet industriale.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për situatën ekonomike në vitin 2016? Cilat mund të jenë disa nga shanset dhe rreziqet?

Mendoj se viti 2016 nuk na rezervon ndonjë befasim pozitiv. Ekonomia, me shumë gjasa, do të vazhdojë të ecë në gjendjen e vet të inercisë, ndoshta me një prirje të lehtë rritëse krahasuar me vitin që lamë pas, por pa ndonjë ndikim serioz në jetën e qytetarëve. Zhvillimet e sektorit të jashtëm duket se do të ruajnë të njëjtin trend: norma të ulëta interesi në tregjet globale dhe të brendshme, çmime të dobëta të lëndëve të para, naftës dhe mineraleve, gjë që do të vazhdojë të ruajë të njëjtin ndikim në eksportet e vendit, në të ardhurat e buxhetit dhe në kostot e biznesit në tërësi; monedha europiane do të vazhdojë të mbetet e dobët përkundrejt dollarit, gjë që do të bëjë që edhe monedha jonë të mbetet ndoshta më e vlerësuar në raport me euron. Ndërsa janë shtuar gjasat që ekonomitë e vendeve në zhvillim të bien në një tjetër krizë borxhesh publike, mundësitë që një zhvillim i tillë të prekë ekonominë tonë nëpërmjet kanalit të normës së interesit  janë të pakta. Edhe pse ekonomia e kontinentit tonë vazhdon të jetë e dobët dhe ndoshta ende nuk e ka kaluar ciklin e Recesionit të Madh, të cilin ekonomia amerikane vlerësohet se e kaloi gjatë vitit 2015, pritshmëritë janë për më shumë përmirësime, e prandaj nuk priten ndikime negative të këtyre eksternaliteteve. Mendoj se sfidat kryesore të ekonomisë sonë do të jenë të brendshme, dhe jo aq të natyrës ekonomike se  të natyrës politike. Reformat kaotike, mungesa e besimit të agjentëve ekonomikë, oportunitetet e kufizuara ekonomike, klima politike e ashpër, mund të jenë pengesa dhe barriera serioze për ekonominë e vitit 2016. Mungesa e hapësirave për investime dhe një “tepricë likuiditeti” që po përjetojmë prej disa kohësh, siç e përkufizon Bernanke gjendjen e tanishme në tregjet financiare, po i shtyn qytetarët drejt investimeve me rrezik të lartë, gjë që në kushtet e një rregullimi dhe mbikëqyrjeje të dobët, mund të kenë pasoja negative.

Si e parashikoni mjedisin e të bërit biznes këtë vit dhe prirjen e konsumit?

Për fat të keq, gjatë vitit 2015, vendi humbi shumë pikë – duke e përkeqësuar renditjen e të bërit biznes me 33 vende më poshtë. Të gjitha agjencitë dhe forumet që masin indikatorët e klimës së biznesit dhe të konkurrueshmërisë ekonomike, i dhanë Shqipërisë një notë të fortë negative gjatë vitit që lamë pas. Mendoj se është një nevojë imperative që qeveria të fokusojë gjithë veprimtarinë në ato që kanë qenë dhe drejtimet më të dobëta të punës së saj. Më posaçërisht, lejet e ndërtimit për biznesin, furnizimi me energji elektrike dhe lidhja në rrjet e tyre me kosto të ulëta, lehtësimi i bashkëpunimit të biznesit me shtetin duke i dhënë fund një klime represioni dhe tensioni që kemi përjetuar deri më sot, plotësimi i detyrimeve që vetë shteti i ka subjekteve private, qoftë në rimbursimin e tatimeve apo në përmbushjen e  shërbimeve të saj administrative në kohën dhe cilësinë e duhur, etj., janë disa nga fushat më prioritare të veprimit qeveritar. Mungesa e reformave në këto drejtime do të vazhdojë të ngushtojë hapësirat dhe iniciativat për investime të reja, gjë që do të vazhdojë të vendosë në vështirësi edhe sektorin bankar. Nga ana tjetër, gjasat që ekonomia të shënojë ndonjë rritje të konsumit janë të pakta. Arsyet janë të shumta, por më thelbësoret lidhen me politikat e pagave dhe pensioneve, të cilat nuk pritet të kenë ndonjë përmirësim gjatë këtij viti, me perspektivat e zbehta të punësimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Në planin më strategjik dhe afatgjatë, paaftësia e ekonomisë për të stimuluar kërkesën konsumatore lidhet dhe me atë që Stiglitz e përkufizon si “Sëmundjen e Madhe” dhe që lidhet me shpërndarjen e pasurisë dhe të ardhurave. Që klasat e pasura nuk ndikojnë në rritjen e kërkesës në kohë krizash, ndërsa klasat e mesme dhe me të ardhura të ulëta nuk kanë mundësi të shtuara financiare për të ndikuar në konsum. Për më tepër që pasiguritë vazhdojnë  të dominojnë sjelljen e tyre ekonomike, si kursimtar më shumë se si njësi shpenzuese.

Çfarë efekti prisni që të japin masat antiinformalitet, si dhe ndryshimet fiskale që kanë hyrë në fuqi tashmë?

Gradualisht duket se po formësohet një sjellje e re në treg, një kulturë e re tregtimi në raport me transparencën e raportimit financiar nga subjektet. Kjo është një gjë e mirë dhe që ka nevojë të inkurajohet nga shoqëria. Shpresojmë që qeveria të gjejë kurajë dhe të tërhiqet nga disa prej masave tepër represive në masat ndëshkimore, duke dalluar më mirë krimin ekonomik, siç është evazioni dhe fshehja e të ardhurave, me gabimet në regjistra apo kuponin e famshëm tatimor. Në vend që të vazhdojë me masat e ashpra ndëshkimore, qeveria duhet të angazhohet në një punë serioze të përmirësimit të punës së administratës tatimore të vendit, në rritjen e kulturës së punës nga ana e saj dhe në ndërtimin e një matrice të matjes së performancës së saj që nuk ndalet vetëm tek një tregues i vetëm: plani i të ardhurave. Ndryshimet fiskale krijojnë premisa për më shumë të hyra buxhetore, por që do të ndikojnë në rënien e të ardhurave të individëve dhe familjeve, e për rrjedhojë ky do të jetë një faktor më shumë për pritshmëritë jo optimiste në rritjen e konsumit për vitin 2016. Nga ana tjetër, lufta ndaj informalitetit i ka ulur edhe vetë pritshmëritë e shoqërisë për ndikimet e saj në rritjen e të ardhurave buxhetore. Pavarësisht numrit të madh të kuponëve, bizneseve të regjistruara apo formalizimeve në tregun e punës, statistikat nuk dëshmuan për ndonjë ndikim, qoftë edhe modest, në të hyrat buxhetore. Sidoqoftë, mendoj se lufta ndaj informalitetit sapo ka filluar dhe ajo duhet të vazhdojë me masa ligjore të reja dhe përmirësime institucionale, në mënyrë që efektet e saj të ndihen realisht.

Çfarë pritet të sjellë heqja e taksës mbi biznesin e vogël?

Biznesi i vogël është shtylla më e rëndësishme ekonomike dhe sociale e vendit. Jetesa e më shumë se 80 mijë familjeve është e lidhur me gjendjen dhe ecurinë e këtij sektori, e prandaj edhe heqja e taksës mbi këtë fashë biznesi mendoj se do të jetë një gjë pozitive. Më së shumti për përmirësimet e  gjendjes së tyre sociale dhe me gjasa që në vitet e ardhshme të forcohet dhe zgjerojë më tej sipërmarrjen e vet.

Gjithnjë e më shumë po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik, teksa burimet e deritanishme të rritjes po shterojnë. Cili është rekomandimi juaj, ku dhe si duhet të përqendrohet qeveria?

Ndërtimi i një modeli të ri ekonomik, ose gjetja e burimeve të reja të rritjes ekonomike, sido që ta emërtojmë, janë prej kohësh një imperativë për vendin. Duke i lënë mënjanë retorikat politike, sikur qeverisja e re po ndërton një model të ri ekonomik dhe të ndryshëm nga ai që kemi pasur deri tani, në fakt vendi vazhdon të mbetet në vendnumëro. Rritja e bazuar në eksporte nuk është një gjë që po ndodh; madje po përkeqësohet. Siç edhe e nënvizova më lart, gjendja e dobët e çmimeve të mallrave primare, të cilat zënë peshën më të madhe të eksporteve tona, pas produkteve “fasone”, do të bëjë që rritja e eksporteve të mbetet shumë modeste. Nga ana tjetër, kalimi nga një ekonomi konsumi tek një ekonomi e udhëhequr nga investimet, gjithashtu nuk shfaqet gjëkund. Investimet, qoftë publike apo private, kanë njohur në mos rënie, të paktën një gjendje stanjacioni. E po ashtu, eficienca e investimeve publike, në gjykimin tim, ka rënë. Nga investime publike që ndihmojnë ekonominë dhe rënien e kostove të biznesit, kemi një kanalizim të tyre drejt “make up” të qyteteve dhe “luksit qeveritar” (ndërtesa, kompjuterë, makina,etj.). Në planin sektorial, ndërsa kemi një ngushtim të dukshëm të hapësirave për investime në energjetikë dhe ndërtim, nuk po duket ndonjë sektor tjetër që po zgjeron oportunitetet për investime. Përjashtim bën disi bujqësia, e cila ka shënuar rritje të interesave për investime të mëdha dhe disa projekte janë tashmë në proces realizimi. Kështu që panorama e ekonomisë do të vazhdojë të mbetet e dominuar nga shërbimet, të cilat nuk duhen lexuar si një përfarim strukturor me ekonomitë e zhvilluara, por si  shenjë e mungesës së një zhvillimi dinamik industrial dhe në diversifikimin e manifakturës. Mendoj se është koha të rihapet debati mbi strategjitë e zhvillimit industrial të vendit, duke vendosur në zemër të tij parqet industriale, siç vazhdojnë të mbeten në letër prej më shumë se dy dekadash, por që asnjë progres konkret nuk është shënuar deri më sot. Politikat sektoriale gjithashtu mund të rishqyrtohen sërish dhe të gjenden zgjidhje inovative për problemet tradicionale prej të cilave vuan ekonomia dhe shoqëria jonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button