Intervista

Xhevahir Spahiu: Arrestimi në ’97, ditët në ilegalitet nga frika e SHIK

Nga: Fatmira Nikolli*

Kam parë një pyll të tërë me shelgje/ Të gjithë të kërrusur sipas urdhrit të erës së rreptë/ Kam parë edhe majë malit një pishë të vetme/ Të djegur nga rrufeja, por të drejtë!” (“Një pyll me shelgje dhe një pishë e vetme”, shkëputur nga “Zgjimi i thellësive”, Xhevahir Spahiu).

Untitled-119Ai, i ngjan një pishe, mbase të djegur nga zjarret ndër vite, e megjithatë, ende të drejtë. Poeti, i ka shënuar më 1 mars, 7 dekada mbi supe. Prej kohësh, iu ka qëndruar larg mediave, qëkur sëmundja e largoi disi nga poezia dhe gjithë ç’lidhej me të. Tashmë, teksa e ka mposhtur atë, i është rikthyer jetës aktive, por i ka ende të vështira bisedat e gjata. I biri mjek, Orges Spahiu, është ai që së bashku me Arian Lekën, e bëjnë të mundur takimin tonë (për ç’arsye meritojnë gjithë falenderimet e mundshme). Teksa marrim shkallët për në katin e dytë të një pallati pranë Pazarit të ri, Orgesi sqaron se kujtesën e ka të fortë. Poetin e gjejmë të ulur në këndin e sallonit. Është një shtëpi plot dritë! Një pjesë e bisedës bëhet aty, e një pjesë në dhomën ngjitur, që është në fakt një bibliotekë e lartë, mbushur me libra, që nga ato me kopertina të zverdhura deri tek ato me kopertina të ndritshme të viteve të fundit.

Herë-herë, bisedat plotësohen nga i biri, nga bashkëshortja, ose nga e motra. Sillen ndërmend, ngjarje e kohë, që rrokin dy epoka, e shumë vargje. Kaq shumë vargje. Na është dashur që disa rrëfime të poetit, të mos jenë në vetë të parë, por në atë të tretën, porse gjithçka sillet rreth tij, edhe kur nuk është ai që rrëfen, është i biri. E gjithë kjo, që frazat të jenë të qarta. Sigurisht, shumëçka mund të ketë mbetur pa u thënë, veçse është e vështirë, të përmblidhet në vetëm dy faqe gazete, një jetë e tërë dhe mijëra vargje.

Xhevahir Spahiu e nis rrëfimin e tij për “GAZETA SHQIPTARE”, në kohën kur hodhi mbi letër vargjet e para.

Një rrëfim për poezitë e para, për kritikat e para. një rrëfim për poezitë e ndaluara, për shakatë e marra seriozisht, për vargjet që godisnin tiranët, për ndikimet nga Sartri, për dënimin me punë në minierë, për dhunën mbi poetin dhe për të qenit ende në këmbë, si një pishë majë malit…

Kur i shkruani poezitë tuaja?

Shkruaj vazhdimisht. Kam nisur të shkruaj në vitet 1961-1962. E shkruaj me stilolaps dhe nuk rri një orë me një poezi. Më vjen ideja dhe e hedh në letër për një minutë. Sapo më vjen. Më duhet vetëm një moment.

(E shoqja Marjeta, na rrëfen se poeti i hedh vargjet në letër në një minutë. “Ndonjëherë e punon poezinë para se ta botojë. Shkruan në udhëtime, në traget, në tren. Shkruan në copa letrash. Poezitë e shkurtra i pëlqejnë më shumë. Edhe tekstet e këngëve kështu i shkruante, shpejt e shpejt. Madje i shkruante në këmbë”, – tregon ajo).

ÇËSHTJA “SARTRI”

Keni shkruar poezinë “Jetë”. Dy prej vargjeve të tij, shkaktuan furtunë: “Jam ai që s’kam qenë, do jem ai që s’jam”. Ju quajtën ekzistencialist, ndërkohë që ju thoshit se nuk e njihnit Sartrin.

“Ka qenë gushti i vitit 1972 dhe kam qenë në Përmet. Sapo kisha ngrënë mëngjes atje, kur më erdhën ato vargje në mendje dhe i shkrova menjëherë në një copë letër. Isha me Vasil Vreton dhe ai më tha që i pëlqeu shumë.

Ju nuk e njihnit Sartrin dhe nuk u ndikuat nga ai.

Më thanë që isha ndikuar nga Sartri, por nuk ishte e vërtetë. Unë nuk dija frëngjisht dhe nuk e kisha lexuar. U thashë të gjithëve që, në poezi kam thënë mendimin tim, idetë e mia dhe origjinalitetin tim. Këmbëngulën se isha ndikuar nga ai.

Më 9 janar 1973 u bë kritika për mua. M’u tha që ka ndikime të ideve ekzistencialiste nga Sartri. U bë kritikë në gazetën “Zëri i Popullit”, pastaj më lart. U thashë që s’e kam njohur dhe s’e kam lexuar dhe se nuk dija frëngjisht. E pranova se diçka dija për Zhan Pol Satrin, se kush ishte, por nuk e njihja aq thellë sa të ndikohesha. Më bënë vërejtje, u bënë mbledhje.

Ç’masa u morën për ju për shkak të poezisë?

Më 1973-shin unë qëndrova 8 muaj brenda mbyllur në “Zërin e Popullit”, pa shkruar asgjë, pa nxjerrë asnjë artikull.

Si e përmirësuat “biografinë”?

Më vonë, bëra një poezi për dëshmorët dhe e botova në gazetën “Drita”. Më thanë “shumë mirë”. U kënaqën me të.

(Spahiu kujton se ato kohë, nuk foli për këtë çështje. Ndërsa miqtë e të njohurit vinin dhe e pyesnin për “Sartrin”, ai u shpjegonte se poezia ishte thjesht një mendim i tij si poet, se nuk qe shkruar për t’i dalë kundër Enver Hoxhës e as që të dilte si kundërshtar i regjimit. “Ishte diçka që thjesht doli nga unë, jo se qeshë ndikuar nga Sartri”, – ngulmon sërish poeti.

Sot e rrëfen me të qeshur, por ato kohë, problemi për Spahiun qe tepër serioz. Enver Hoxha në Presidiumin e Kuvendit Popullor kishte thënë: “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra sesi i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore…”. Udhëheqësi mendonte se Spahiu, në atë vjershë kishte rënë nën ndikimin e filozofit e shkrimtarit francez.

Poezia “Jetë”, ende sot, mund të cilësohet si një prej poezive më të bukura të tij. “Le të vijnë druvarët, trungun le ta presin, / Nën tokë/ për rilindje rrënjët le të mbesin,/ me drurin tim le të bëjnë gjithçka, por jo arkivole;/ mbi krye të kem qiellin me mall,/ nën këmbë as hije/ mbi tryezat e sajuara prej eshtrave të mia/ mbështesni bërrylat,/ bini në mendime./ Jam ai që

s’kam qenë,/ Do të jem ai që nuk jam” – janë disa prej vargjeve të saj.

SIMPOZIUMI I RAKISË DHE MINIERA E VALIASIT

Ndodh që t’i mendojmë poetët në vetminë e tyre, para fletësh të bardha, me një gotë përpara e një cigare ngjeshur gishtave.

Spahiu, si pijedashës, dikur vendosi të bënte një shaka me rakinë, një shaka që do t’i kushtonte jo pak. Në krye të një flete ai shkroi: SIMPOZIUM dhe në vijim, ‘lajmëronte’ se në Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri” organizohej një simpozium për rakipirjen, ku do të diskutoheshin: Vlerat ideologjike të rakisë, çfarë thotë marksizëm-leninizmi për rakinë, çfarë thotë legjislacioni ynë për rakinë, si është pasqyruar ajo në letërsinë tonë, si duheshin prodhuar gotat e rakisë nga Fabrika e Qelqit në Kavajë, çmime për të dalluarit në punët e rakisë etj.

Letra ra në dorën e sekretares së partisë, Arziko Ismaili. Më 1977-ën, kur ajo do dënohej, u pyet në gjyq për këtë letër. Pranoi se materiali qe shkruar nga Xhevahir Spahiu dhe qe dërguar në zyrën e saj, kur ajo ishte sekretare partie.

Grupi hetimor i Arziko Ismailit shënoi se “duke u mbështetur në materialet e mësipërme, arrijmë në konkluzionin: “Për Xhevahir Spahiun të informohet partia dhe materiali të ruhet”.

Pas kësaj, Xhevahirin e çuan në minierën e Valiasit.

Poeti e kujton ende këtë ngjarje.

Më 1977-ën Arziko Ismailin e arrestuan. E futën brenda dhe u dënua 10 vjet. Gjetën edhe letrën time. Ishte vetëm një shaka. Pas kësaj, më dërguan në minierën e Valiasit. Qëndrova 8 muaj atje.

Më 1978-ën botuat librin me poezi “Zgjimi i thellësive”. Edhe me këtë patët jo pak telashe. Përmendnit ‘vijat e bardha që ju nxinë jetën’, mesazhet e Migjenit. Si e mbani mend këtë libër?

Kisha punuar një vit e gjysmë në revistën “Nëntori” dhe më pas botova “Zgjimi i thellësive”, me kopertinë të Safo Markos. Unë kisha shkruar: “Nga ky mjerim dhe gurët do të qanin,/ s‘mund të mos çahej zemra si me plor,/ këndoni për mustaqet e sovranit,/ poetë të oborrit mbretëror./ Kur gishti nis t‘i hakërrohet Zotit/ më lind një shpresë… Dridhuni, tiranë!/ Ma shkulni, shokë, atë shigjetë prej gjoksit/ me të u bini atyre që më ranë!”. Ishte blloku i poezive “Migjeni flet”. Erdhën më thanë “ç’është kjo poezi ‘Migjeni flet’? Pse e shihni veten si Migjeni ju?” Ishte pak e fortë për kohën. Më kritikonin se e vija veten si një Migjen dhe iu drejtohesha tiranëve.

Kush ishin tiranët?

Unë e thosha si tërthorazi këtë të tiranëve (qesh). Duke e thënë përmes Migjenit. Ia lashë Migjenit fajin, por Ramiz Alia e kishte kuptuar nëntekstin.

(Nëse nuk doje të bëje një sy qorr, nuk qe fort e vështirë të kuptoje as kush ishin tiranët, kujt i drejtohej poezia, dhe se Migjeni këtë herë ishte Spahiu. Në të njëjtin botim lexojmë: “Më veshët raso, rason ua grisa./ Më lypët këngë,/ këngët s’jua dhashë./ Ju prisnit trëndafila, iu hodha hithra,/ me thikat e sarkazmave iu rashë./ Kur patë se goditja, keq iu theri, iu shpikët heshtën si një mur të ftohtë,/ një ditë gjithçka mund të ma merrni, por penën kurrë nuk ma merrni dot”.

Spahiu kujton se këto vargje u kritikuan fort.

Si e pritët ndalimin e librit?

Ky libër u hoq nga qarkullimi. Para se të merrej vendimi, një ditë vajta me vëllanë tim Besnikun (piktor) në Vlorë. Ai u fut në një librari dhe i tha shitësit se ishte mësues letërsie e se i duheshin 20 kopje të librit “Zgjimi i thellësive”, dhe i mori. Një nga këta libra e kam ende në shtëpi. Ndërkohë, Feride Papleka kishte blerë në Tropojë dhe m’i solli 10 kopje të librit. Të tjerat u bënë karton.

Ju hoq e drejta e botimit?

Po, por mua më është hequr pesë herë e drejta e botimit. Kur u mor vendimi, pjesa më e madhe e librit ishte shitur, në fakt kishte pasur shumë sukses. Një pjesë që kishte mbetur, e mblodhën dhe e bënë karton.

(Derisa censura kapi mesazhet e poezive të Spahiut, vëllimi qe përpirë. Kur u ndalua, libri filloi të shpërndahej si trakt në Qytetin Studenti. Të rinjtë e lexonin fshehurazi. Nga një poezi në tjetrën, revolta nxirrte krye, herë hapur e herë përmes metaforash. “Vija të bardha para/ Vija të bardha prapa/ Vija të bardha majtas/ Vija të bardha djathtas/ Vija të bardha, Ma nxitë jetën!” – shkruante ai. Po, çfarë janë vijat e bardha, në mos përndjekjet, ndalimet, përgjimet, kritikat e frika?

Si u bëtë mësues në shkollën e natës “Kostandin Kristoforidhi”?

Botova një novelë të Koço Kostës “Ata të dy dhe të tjerë” te revista “Nëntori”. Ishte viti 1986. Pati kritika për të dhe më hoqën si redaktor nga revista “Nëntori”.

M’u tha se Nexhmije Hoxha kishte kërkuar që unë të ikja. Kishte thënë “Xhevahirit të mos i jepet post me rëndësi”. U bëra mësues i thjeshtë Letërsie, në shkollë nate, 3 vjet. Punova aty nga 1986-a deri në vitin 1988. Më 1988-ën më thanë “shko si libretist në Opera”, por kur shkova atje, më thanë që, “jo, s’do punosh aty”. Ndaj punova sërish si mësues nate edhe një vit. Më pas, më çuan në “TVSH” kur ishte drejtor Marash Hajati. Kishte ankesa se pse shkruaja vetëm për dashurinë. Më thanë se do ankohen për mua te Ramiz Alia. Ika sërish edhe nga “TVSH”-ja.

Në vitin 1992 ju shkruani se nata është pus i thellë. Ka shumë errësirë në poezinë e asaj kohe. Pse kishte kaq shumë dëshpërim?

Unë doja më shumë dritë. Kisha nevojë për më shumë dritë, por ato kohë, mungonte edhe elektriciteti.

1997, POLI-THIKA

Keni një tufë poezish, që janë shkruar më 1997. Ishte një vit i vështirë për ju, dhe ju keni folur pak për të.

Bëra një cikël me poezi dhe i botova te gazeta “Koha Jonë”. Të nesërmen, ajo u dogj. Kisha shkruar edhe disa poezi për studentët që ishin në grevë. Nuk u pritën mirë vargjet e mia.

(I biri, Orges Spahiu, na rrëfen se viti 1997 ka qenë tejet i vështirë për ta. “Kishte botuar disa poezi ato ditë që kritikonin trazirat. Ishte mbrëmje, dhe ne ishim diku tek godina e sh-të Përndjekurve. Ma morën tim atë nga duart. I kishin përgjuar telefonatat. “Unë dal në rrugë/ me tufa mimozash në duar/ ti me shkopinj dhe me plumba,/ ti me qen/ unë me pëllumba. Unë kam fytyrë/ ti skafandër/ ti dhëmbët/ unë fjalën./ Unë kërkoj një grusht jete,/ ti më kërkon edhe vdekjen./ Të dy/ sy ndër sy,/ sy ndër sy/ të dy” (Ballë për ballë, shkurt 1997).

Përse u arrestua Spahiu më 1997?

I biri përgjigjet: për shkak të poezive dhe të disa telefonatave me njerëz brenda e jashtë vendit. Më tej sqaron vetë poeti:

Kisha folur me Gjermaninë, kisha shkruar poezi. Kërkuan të më merrnin jashtë vendit po nuk shkova. Çudi kjo punë!

(Orges Spahiu, tregon se atë vit, anëtarët e familjes Spahiu jetuan si ilegalë. “Babai shkoi në Vlorë tek e motra. Ikëm nga Tirana derisa u bënë zgjedhjet. Kërkoheshim nga SHIK-u, u kthyem mbasi u rrëzua regjimi i kohës. Kanë qenë kohë të vështira”.

Teksa kthehej në shtëpi, disa të panjohur i dolën para në rrugë, e goditën dhe e morën me vete. Poeti do të qëndronte një natë në qeli, natë në të cilën shkroi vargjet: “Një popull i vrarë do ish më fatzi, po qe se nuk vriteshin edhe poetët e tij” – qeli, ora 20:00, mars 1997.”

Në të njëjtën kohë, ai shkruante “As”: “As lum, as breg, as tokë, as qiell, as mal, as urrejtje, as jetë as vdekje, as dritë, as terr, tmerr”.

I keni tejkaluar brenda vetes ndodhitë e 1997-ës?

Unë e kam tejkaluar atë kohë. Është çudi! Më dhemb kur shoh kundër socialistë e demokratë. Kur sheh njerëz kundër njëri-tjetrit, si dy kokat e shqiponjës që janë kthyer kundër njëra-tjetrës.

A ju ka interesuar ndonjëherë politika?

Aspak! Mua për shembull, socialistë e demokratë nuk më interesojnë. Nuk i dua. As këtej (majtas), as andej (djathtas). Unë dua drejt. Më kërkuan partitë të bëhesha deputet, por nuk pranova. Unë jam poet i popullit!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button