Bota

Xhihadistët përdorin tortura të CIA-s

xhihadist-euml-t-p-euml-rdorin-tortura-t-euml-cia-s_hdSimulimi i mbytjes me ujë është përdorur nga Shteti Islam ndaj së paku 4 pengjeve. Në mesin e tyre edhe gazetari i ekzekutuar amerikan, James Foley. Presidenti amerikan Barack Obama e kishte dënuar këtë praktikë, e përdorur gjerësisht nga CIA ndaj pjesëtarëve të dyshuar të Al-Qaedas.

Së paku katër persona që janë kapur nga xhihadistët e Shtetit Islam e kanë përjetuar torturën e quajtur “waterboarding”, që është simulim i mbytjes me ujë. Në mesin e tyre është edhe James Foley, gazetari amerikan, të cilin grupi e ka ekzekutuar me prerje koke. I rrëmbyer në nëntor 2012 në Siri, ai i është nënshtruar disa herë kësaj torture, thotë një i afërm i gazetarit për “Washington Post”.

“Ata e dinin saktësisht si bëhej kjo torturë”, thotë ai. Katër pengjet po mbaheshin në Rakka (veri të Sirisë), ka treguar i njëjti burim. E ëma e James Foleyt ka thënë për gazetën amerikane se ajo nuk është në dijeni se ndaj të birit janë përdorur praktika të tilla.

Teknika është përdorur nga CIA gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve pas atentateve të 11 Shtatorit. Shtetet e Bashkuara kanë kapur dhjetëra persona të dyshuar për lidhje me “Al-Qaedan” dhe kanë përdorur kundër tyre metoda torture sikur lënia pa gjumë, lënia të zhveshur apo edhe simulim të mbytjes me ujë. Kjo teknika e fundit realizohet kështu: të dyshuarit i lidhen këmbë e duar dhe në fytyrë i vendoset një pëlhurë, mbi të cilën fillon t’i derdhet ujë i ftohtë.

Pëlhura e lagur e pengon personin të marrë frymë, dhe kjo e tremb atë aq shumë se frikohet se do të vdesë dhe në këtë moment ai lëshon pe, pranon të përgjigjet. Presidenti Obama e kishte shpallur “waterboarding”-un si formë të torturës, prandaj kishte kërkuar ndalimin e kësaj praktike.

Ndërkohë vijnë shifra alarmuese për numrin e sirianëve të zhvendosur si pasojë e luftës në Siri. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se tre milionë sirianë kanë ikur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës civile në vendin e tyre dhe janë bërë refugjatë. Një milion prej këtyre sirianëve janë zhvendosur vetëm gjatë vitit 2013.

“Kriza e refugjatëve sirianë po rëndohet. Ajo tashmë ka kaluar shifrën rekorde prej tre milionë personash të zhvendosur”, ka njoftuar Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) nëpërmjet një komunikate, në të cilën theksohet se kjo shifër nuk përfshinë qindra mijëra sirianët e tjerë që kanë ikur nga vendi i tyre, por që nuk janë regjistruar si refugjatë.

Para më pak se një viti, numri i refugjatëve sirianë të regjistruar ishte dy milionë, thekson UNHCR, organizatë që thotë se “kushtet gjithnjë e më të mjera brenda vendit” e shpjegojnë këtë rritje spektakolare të numrit. OKB ka dëshmi të shumta se “qytete të tëra mbahen të rrethuara, ku njerëzit kanë mbetur pa ushqime dhe civilët merren në shënjestër ose vriten pa dallim”.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, në mars 2011, konflikt ky që po bëhet gjithnjë e më kompleks, janë vrarë më shumë se 191.000 persona.

Ndërkohë, kjo është sfida më e madhe për këtë agjenci gjatë 64 viteve të ekzistencës së saj.

“Kriza siriane është bërë urgjenca më e madhe humanitare e epokës tonë. Dhe, bota nuk po arrin t’u përgjigjet nevojave të refugjatëve dhe të vendeve që po i presin ata”, ka deklaruar në një komunikatë, Antonio Guterres, drejtor i UNHCR-së.

“Përgjigjja ndaj krizës siriane ka qenë gjeneroze, por e vërteta e trishtë është se ne jemi ende shumë larg që t’i përgjigjemi kërkesës”, ka shtuar ai.

Donatorët kanë mbledhur 4.1 miliardë dollarë për të ndihmuar ata që janë prekur nga ky konflikt. Sipas UNHCR-së, mungojnë edhe dy miliardë të tjerë për t’iu përgjigjur nevojave urgjente të refugjatëve deri në fund të vitit.

Po ashtu, agjencia e OKB-së vëren se për sirianët po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm largimi nga Siria. Shumë sish janë detyruar t’u japin para njerëzve të armatosur në pikat e kalimit përgjatë kufirit. Ata që kalojnë shkretëtirën për të shkuar në Jordani detyrohen t’u paguajnë shuma tepër të larta trafikuesve nëse dëshirojnë të jenë të sigurt.

Agjencia shpreh shqetësimin edhe për qindra sirianët e ngujuar në kampin e izoluar të Al-Obaidit, në Irak. Përfaqësuesit e OKB-së dhe të organizatave të tjera janë detyruar të largohen nga ky sektor, i cili është nën kontrollin e xhihadistëve të Shtetit Islam, transmeton Zëri.

“Partnerët vendorë vazhdojnë t’i furnizojnë me ushqime dhe produkte të nevojave kryesore, por situata është e paqëndrueshme”, tërheq vërejtjen UNHCR.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button