Kryeartikull

Xhungla dhe shkretëtira

FATOS BAXHAKU

fatos_baxhakuA i bën natyra njerëzit, apo njerëzit e krijojnë vetë mjedisin që i rrethon? Në kohë të ndryshme, kjo pyetje ka marrë përgjigje të ndryshme. Asnjë prej tyre nuk ka qenë e ngjashme me atë që mund të thuhet për vatanin tonë. Ne edhe e kemi bërë, edhe na ka bërë ky dheu ynë i shkërmoqur. Se në çfarë kuptimi, do të mundohemi ta shpjegojmë ca më poshtë.

Sikurse ndodh rëndom, të tjerë janë ata që dalin në ballë të përmbysjeve të mëdha dhe të tjerë janë ata që vjelin, duke u majmur, frytet e përmbysjeve të mëdha historike. Për këtë nuk ka dhe as që nuk ka pasur dyshim, duke përfshirë edhe vetë protagonistët tanë historikë të ndryshimeve të këtyre dy-tre dekadave të fundit. Mirëpo puna është se mes dy botëve, asaj që ëndërruan protagonistët e ndryshimeve dhe asaj që përjetojmë sot përditë, ka një ndryshim të madh, fondamental, të dukshëm, jetik, frikshëm në rritje… Është njësoj sikur ky vendi ynë të përbëhej nga mjedise dukshëm të ndara, sikurse janë xhungla dhe shkretëtira.

E para, xhungla, është bota e pushtetit dhe e parave. Një botë ku nuk ka besë, njerzillëk, ku aleancat ndërtohen po aq shpesh sa edhe shkoqen. Një minibotë ku vlerat e kamotshme si fjala e dhënë, ndershmëria, puna e ndershme, idealizmi, aftësia, shkollimi, djersa që buron nga puna, etja për dije, madje edhe dëshira për të jetuar, tallen, përbuzen, konsiderohen si rrëfenja të botëve që kanë mbaruar tash e sa mot, njësoj si përrallat e vjetra të gjysheve, të cilave askush nuk ua vë më veshin.

Kjo botë ka protagonistët e vet, zakonisht të ngrefosur me kostume e kravata të shtrenjta, edhe pse nganjëherë ato nuk u shkojnë me shtatin dhe me mënyrën e të ecurit. Në xhunglën tonë alla shqiptarçe, protagonistët shëtisin me makina të shtrenjta, kanë nga dy-tre shtëpi dhe bëjnë pushime të kushtueshme. Mos u mundoni t’i kontaktoni në kohë finalesh ndërkombëtare. Ata janë në tribunat VIP duke mbllaçitur çamçakëz. U kanë thënë se po të tymosin duhan, tashmë quhen si jashtë mode. Kjo është botë e kurtheve, e të shtirurve, e komploteve të qena dhe të paqena, e buzëqeshjeve false që u paraprijnë hijeve të natës, tritolit, kërcënimeve, mesazheve dykuptimëshe. Makinave të blinduara. Rasti i Doshit dhe i Frrokut, për të cilët dje Prokuroria kërkoi arrest, është vetëm një anë fort e hollë e asaj ane të vendit që pa frikë mund ta quajmë xhungla jonë.

Xhungla, e mbushur me lloj-lloj oshtimash e gjallesash të egra, shumë herë është edhe burim jetese. Ajo paguan për votat, fut njerëz në punë, nganjëherë bën edhe bamirësi vetëm e vetëm që t’ia rrisë namin vetes dhe t’ia heqë vetes atë imazhin jo fort të mirë me të cilin e gjykojnë njerëzit që janë jashtë saj. Që nga 1990 e këndej njerëzit xhunglës dhe pjellat e tjera të saj kanë bërë ç’kanë dashur. Për ta fjalët Drejtësi, Prokurori, Polici, Ligj janë vetëm disa terma të largët, të cilët janë shpikur për të tjerët, por assesi për ta. Për ta vetëm një gjë ka vlerë: ligji i xhunglës, të cilin e zbatojnë ata vetë sipas kokës së tyre.

Pamja e dytë e Vatanit është më e shtrirë, më vezulluese, më e dukshme. Ajo i ngjason disi shkretëtirës. Banorët që e popullojnë pjesën tonë të dytë janë njerëz që nuk ëndërrojnë më. E ç’kuptim ka të ëndërrosh përderisa jeta ikën kaq shpejt!? Madje sa më shumë halle të kesh aq më shpejt rrjedhin ditët. Populli i shkretëtirës normalisht duhej të quhej populli i punës, për aq sa një shkretëtirë mund të hapë fronte pune. Shkretëtira, të paktën deri këto kohët e fundit, ka pritur shumë se mos xhungla i hedh ndonjë kovë nga uji i saj i tepërt. Ka ndodhur që njerëzit e xhunglës t’u japin vërtet ujë njerëzve të shkretëtirës, por vetëm aq sa duhet që të mbahen gjallë, aq sa duhet që ndjekin kryeunjët rrjedhën nga vjen uji. Për shkretinorët, ata të xhunglës shpeshherë janë burim frymëzimi, një model i vërtetë suksesi. A nuk është më mirë që, pa u rropatur aspak, të arrish majat e pushtetit? Në këtë rast nuk ka aspak zili. Ka vetëm një admirim të fshehtë që mbulohet me fjalët e çuditshme: Bir kurve i madh paska pa qenë X apo Y! Që të jemi të qartë edhe një herë: me togfjalëshin “bir kurve” njerëzit e shkretëtirës shprehin një lavdërim të madh dhe aspak një të sharë të rëndë, sikurse ka qenë më parë rëndom e udhës.

Në pamje të parë, në atë grafiken, duket sikur xhungla dhe shkretëtira janë dukshëm të ndara nga njëra-tjetra. Në fakt, nuk është aspak kështu. Ato japin e marrin nga njëra-tjetra. Xhungla, pronarja e vetme e ujit, është shumë e ndërkallur në botën e shkretëtirës. Ajo i nxit, i shuan, i komandon aspiratat e njerëzve të shkretëtirës. Ajo i mëson se çfarë është mirë dhe çfarë është keq. Ajo i bën të ëndërrojnë horizonte të afërta dhe po aq edhe i zhgënjen sa herë ia lyp nevoja. Xhungla komandon me dorë të hekurt falë pjellorisë dhe pasurive të saj. Në shumicën e vitit, njerëzit e shkretëtirës rrinë e dëgjojnë me durim pëshpërimat që filtrojnë nga përtej murit të errët të xhunglës dhe më pas mundohen, më kot duhet thënë, që të krijojnë një mendim të vetin.

E kështu, prej dekadash e dekadash të tëra, xhungla dhe shkretëtira jonë janë mësuar të bashkëjetojnë, njëra duke komanduar tjetrën. Të gjitha qeveritë deri në 2013 nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë fuqizuar gjallesat e xhunglës dhe e kanë shtuar hapësirën e shkretëtirës ku jeton pjesa dërrmuese e popullsisë. Themi deri në 2013, sepse dy vjet qeverisje mbase janë pak për të gjykuar qeverinë e sotme. Megjithatë, dy sinjale pozitive kanë mbërritur për popullin e shkretëtirës. Më e para, me gjithë misteret ende të pashpjeguara të çështjes Doshi, ishte se Kryeministri Rama nuk ra pre e shantazheve që vinin nga kufiri i xhunglës. Por, më e rëndësishmja mbase, gjë që kaloi disi si pa u vënë re, është se ai vetë ua hoqi të drejtën militantëve bash edhe në asamblenë e socialistëve në Tiranë, që të pretendonin për vende pune vetëm se ishin marrë me politikë. Më parë xhungla kishte premtuar dhe vepruar ndryshe, duke e shndërruar gjysmën tonë në një shkretëtirë të politizuar, duke ia rritur kështu edhe më vlerat vetes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button