Zbardhen borxhlinjtë e Kurum dhe arsyet e falimentit
Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), Banka e Detit të Zi (BSTDB), Raiffeisen, BKT, NBG Bank, një bankë turke (Odeabank)dhe institucioni holandez FMO, janë të gjitha të ekspozuara ndaj Kurum, kompanisë së pestë më të madhe në vend, që shpalli falimentin së fundmi. “Shopping” në banka deri ditët e fundit. Ja disa nga arsyet e falimentit…
Janë një sërë institucionesh financiare, banka rajonale e vendase që kanë qenë të ekspozuar ndaj kompanisë së prodhimit të çelikut dhe energjisë, që shpalli falimentin për qëllime ristrukturimi së fundmi.
Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore, ka pohuar për “Monitor” se në fund të vitit 2013, IFC ka qenë pjesëmarrëse në një paketë borxhi për Kurum prej 106 milionë eurosh, së bashku me kreditorë të tjerë. “Duke pasur parasysh diskutimet tregtare që po vazhdojnë me kompaninë, IFC nuk mund të japë më shumë informacion në këtë moment”, thanë burimet zyrtare.
Huaja është marrë nga Kurum në kuadër të privatizimit të katër hidrocentraleve Bistrica 1, 2, Ulëz dhe Shkopet, me fuqi totale të instaluar 76.7 MË, që ajo i bleu nga qeveria shqiptare për rreth 109 milionë euro në fillim të vitit 2013. Krahas IFC, borxhi është bashkëfinancuar nga hua paralele nga Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), Banka Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank Albania. Financimi gjithashtu përfshin hua B nga FMO (Netherlands Development Finance Company), IFC, dhe Odeabank (dega turke e bankës Audi-Lebanon).
Sipas raportit “Shqipëria, Partneriteti i Grupit të Bankës Botërore, Vështrim i Programit” të publikuar nga Banka Botërore, pjesa e financuar nga IFC është 30 milionë euro.
Banka për Tregti dhe Zhvillim e Detit të Zi (BSTDB), një bankë rajonale ka gjithashtu një ekspozim mbi 30 milionë euro te Kurum. Ajo, sipas burimeve zyrtare nga faqja e internetit, i ka dhënë kompanisë së prodhimit të çelikut dy hua, të parën prej 20 milionë eurosh në vitin 2011 (dhënë për të rritur prodhimin, ndërkohë që plotësoheshin standardet e BE-së për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë në punë) dhe të dytën prej 18 milionë eurosh në fund të 2013-s, në kuadër të paketës së huave prej 106 milionë eurosh, të përmendur më lart.
Nga bankat vendase mësohet se ekspozimin më të lartë e ka Raiffeisen, me rreth 30 milionë euro.
Në total, sipas bilancit, Kurum ka rreth 300 milionë euro detyrime, gjysma e të cilave ndaj bankave e institucioneve financiare e pjesa tjetër ndaj të tretëve.
“Shopping” në banka deri ditët e fundit
Deri në muajt e fundit të aktivitetit, mësohet se Kurum ka vijuar të kërkojë kredi në disa banka në vend, duke premtuar garanci koorporative (nga kompania mëmë). Disa banka kanë refuzuar të japin hua për kompania. Ndërsa “viktima” e fundit ka qenë NGB Bank që në tetor 2015 ka dhënë një hua nën 5 milionë euro. NBG, disa ditë më parë, përmes shoqërisë përmbarimore TDR Group ka depozituar në QKR kërkesën për vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e zotëruara nga shoqëria Kurum International. Bëhet fjalë për një kontratë kredie bankare të datës 8.10.2015 të lidhur mes NBG dhe Kurum.
Ndaj debitorit Kurum International dhe dorëzanësve Hasmet Debii Kurum dhe Kurum Holding SA duhen kryer në mënyrë të menjëhershme të gjitha veprimet procedurale të cilat bëjnë të mundur ekzekutimin e detyrimit.
TDR ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative për Kurum International, Hasmet Debii Kurum dhe shoqërisë mëmë turke Kurum Holding SA.
Arsyet e falimentit
Një kombinim faktorësh duket se kanë detyruar gjigantin e prodhimit të çelikut Kurum të kërkojë në gjykatë ristrukturim përmes falimentit.
Kompania ka një levë të lartë financiare, me raportin detyrime/kapital i vet që ishte 3.8 në fund të vitit 2014 (çka nënkupton se detyrimet janë gati 4 herë më të larta se mjetet e veta), ndërkohë që një raport maksimal i levës ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm dhe aftësi paguese të detyrimeve, është 1.5.
Blerja e hidrocentraleve tërësisht me kredinë prej 106 milionë eurosh ka shtuar dukshëm barrën e borxheve të Kurum.
Kompania rezulton e zhytur në një krizë likuiditeti, teksa nga njëra anë pret të arkëtojë 19 miliardë lekë nga furnitorët dhe në kahun tjetër ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve.
Rënia e çmimeve të hekurit në tregjet ndërkombëtare dhe tkurrja e kërkesës së brendshme si rrjedhojë e krizës së ndërtimit duket se i ka dhënë goditjen përfundimtare kompanisë. Në bilancin e 2014-s, Kurum konstaton se sektori i ndërtimeve, me të cilin Kurum e ka të lidhur ngushtësisht aktivitetin, ka rënë për dy arsye, se pari shteti ka pezulluar lejet e ndërtimit dhe së dyti ka rënë shitja e apartamenteve.
Efektet e krizës globale financiare kanë vijuar të kenë ndikim të rëndësishëm në likuiditetet e kompanisë. “Kohëzgjatja e krizës dhe rritja e vonuar e industrive dhe sektori bankar mund të shkaktojë një reduktim në para të gatshme nga operacionet, disponueshmërinë e kredisë, një rritje të kostove dhe një vonesë në kohën apo zvogëlimin e shpenzimeve kapitale të planifikuara”, thuhet në bilanc.
Kompania ka qenë ndërkohë në fokusin e autoriteteve për mosrespektim të standardeve mjedisore, që e detyruan Ministrinë e Mjedisit të bllokonte aktivitetin e Kurum në maj të vitit të mëparshëm.
Edhe shoqëria mëmë në Turqi nuk ka qenë në ditët e saj më të mira dhe është dhe ajo në prag falimenti.
Kurum vazhdon eksportin
Ndonëse kompania Kurum ka bërë kërkesën zyrtare për faliment, e ka vijuar eksportin e hekurit në të gjitha pikat doganore të vendit. Agjencitë doganore që operojnë me Kurum pohuan për Monitor se eksporti i hekurit ka vijuar normalisht edhe gjatë javës së kaluar, ndonëse kompania ka ndalur prodhimin qysh në dhjetor të vitit të kaluar. Agjencitë shpjeguan se, aktualisht po eksportohen stoqet e hekurit, ndërsa rivënia në punë e fabrikës do të varet nga vendimi që do të marrin kreditorët pas emërimit të administratorit të ri të falimentit.