Zbardhen diskutimet, PPE: Bojkoti i zgjedhjeve nga opozita, jo standard i BE
Presidenti i PPE-së, Joseph Daul, përmes një deklarate për mediat ka zbardhur të gjithë diskutimet që janë bërë me grupin parlamentar të PD-së përmes një videokonference.
Në këtë njoftim, thuhet se PPE mbështet plotësisht luftën e PD-së kundër drogës, por nuk pajtohet me vendimin që ajo ka marrë për të mos u futur në zgjedhje.
“Për më tepër, unë theksova se kompromisi i propozuar nga nënpresidenti i PPE-së, David McAllister, javën e shkuar përcaktoi prioritetet e duhura për të siguruar që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë drejtim, u bëj thirrje të gjitha palëve të angazhohen sinqerisht në gjetjen e një zgjidhjeje politike.”, -thekson Daul.
NJOFTIMI I PLOTE I PPE
Pas një bisede telefonike me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PDSH), Lulzim BASHA dhe grupin parlamentar të PDSH, Presidenti i PPE Joseph DAUL bëri deklaratën e mëposhtme:
“Kam pasur një shkëmbim të frytshëm dhe të sinqertë të pikëpamjeve me kryetarin e PDSH-së Lulzim Basha dhe grupin parlamentar të PDSH-së. Objektivi i video konferencës së sotme ishte para së gjithash thirrja e partisë anëtare të PPE në Shqipëri që të kontribuojë në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhje që çon në pjesëmarrjen e PDSH- së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe në ruajtjen e qetësisë dhe përmbajtjes nga çdo lloj dhune.
PPE dhe partia e saj anëtare PD ndajnë mendimin se një luftë më e fortë kundër drogës është vendimtare si për Shqipërinë ashtu edhe për BE. Unë përgëzoj partinë tonë anëtare për vënien e luftës kundër drogës në krye të axhendës politike. Në lidhje me këtë, pajtohem dhe do të mbështes, se BE duhet të forcojë monitorimin e zbatimit të planit të veprimit 2017-2020 për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Për më tepër, BE duhet të forcojë mbështetjen e saj financiare për përfundimin e vëzhgimit ajror të të gjithë territorit shqiptar me qëllim identifikimin e plantacioneve të kanabisit dhe monitorimin e shkatërrimit të tyre.
Regjistrimi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme të të gjitha palëve është e domosdoshme. Gjithashtu kam përsëritur se asnjë bojkot i zgjedhjeve apo i Parlamentit nuk janë aspak në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian apo të PPE-së. Në këtë kontekst unë u sigurova nga PDSH se partia do të angazhohet në negociata të mëtejshme konstruktive me shumicën qeverisëse në mënyrë që të gjejë një zgjidhje për këtë qëllim.
Për më tepër, unë theksova se kompromisi i propozuar nga nënpresidenti i PPE-së, David McAllister, javën e shkuar përcaktoi prioritetet e duhura për të siguruar që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë drejtim, u bëj thirrje të gjitha palëve të angazhohen sinqerisht në gjetjen e një zgjidhjeje politike “.