Zbulohen në Holandë eshtrat e personazhit të famshëm tek “Tre Musketierët”
Një zbulim i jashtëzakonshëm në Holandë ka rikthyer në qendër të vëmendjes figurën legjendare të D’Artagnan, personazhit të famshëm të romanit “Tre musketierët”.
Gjatë punimeve të zakonshme të mirëmbajtjes në Kishën e Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Uolder, pranë Maastricht, punëtorët zbuluan një skelet njerëzor poshtë dyshemesë së kishës. Zbulimi ndodhi pasi u hap papritur një gropë pranë altarit, duke nxjerrë zbuluar eshtra, që mund të jenë të një prej figurave më të njohura historike franceze.
Menjëherë pas zbulimit, prifti i kishës, Jos Valke, kontaktoi arkeologun tashmë në pension Uin Dijkman, i cili prej më shumë se tridhjetë vitesh kërkon varrin e Charles de Batz de Castelmore, njeriut real që frymëzoi shkrimtarin Alexandre Dumas për krijimin e personazhit të D’Artanjanit. Historianët besojnë se ai ishte kapiten i musketerëve të mbretit francez Louis XIV dhe njëkohësisht spiun ushtarak. Ai u vra më 25 qershor 1673 gjatë rrethimit të Maastrichtit, kur u qëllua nga një plumb në fyt.
Dijkman ka qenë gjithmonë i bindur se trupi i D’Artanjanit u varros pikërisht në këtë kishë në Uolder. Skeleti i zbuluar duket se përforcon këtë teori, pasi në zonën e kraharorit janë gjetur pjesë plumbi, të cilat mund të lidhen me plagët e marra gjatë betejës. Për momentin, mbetjet janë dërguar në Universitetin e Shkencave Ekzakte në Holandë, ku specialistët po kryejnë analiza shkencore të avancuara.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se identifikimi nuk do të jetë i lehtë. Edhe pse ekzistojnë pasardhës të njohur të familjes së D’Artanjanit, lidhjet biologjike mund të jenë të vështira për t’u provuar plotësisht, për shkak të historisë së ndërlikuar familjare të aristokracisë franceze të asaj kohe.
Nëse analizat konfirmojnë se skeleti i përket vërtet D’Artanjanit, ky do të ishte një nga zbulimet historike më të rëndësishme të viteve të fundit. Historiani francez Julien Uilmart e ka cilësuar këtë si një moment unik, ku një hero i famshëm i letërsisë është në të vërtetë një figurë reale historike. Personazhi i D’Artanjanit, i njohur në mbarë botën për moton “Të gjithë për një, një për të gjithë”, konsiderohet simbol i guximit, besnikërisë dhe nderit në kulturën franceze.
Ndërkohë, fshati i vogël Uolder është kthyer në qendër të mediave ndërkombëtare. Gazetarë dhe ekipe televizive nga vende të ndryshme kanë mbërritur për të ndjekur zhvillimet, ndërsa banorët presin me padurim rezultatet e analizave. Prifti i kishës shpreson që zbulimi të sjellë turistë dhe të shndërrojë zonën në një pikë të rëndësishme historike dhe kulturore për vizitorë nga e gjithë bota.
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.