Zbulohet Dokumenti/ Si e rriti Berisha në dy vjet, dy herë çmimin e ujit të pijshëm me 125% në Tiranë
Rritjen më të madhe të çmimit të ujit të pijshëm do e shënonte gjatë kohës së qeverisë “Berisha” ku çmimi i ujit të pijshëm do të rritej brenda dy viteve dy herë dhe me 125 për qind.
Tentativat për rritjen e ujit të pijshëm do të fillonin që në vitin 2010, kur Drejtori i UKT i emëruar nga Berisha, Seit Dollapi, në atë kohë do të propozonte dyfishin të rritjes së çmimit.
Përmes një shkrese zyrtare, në 5 janar të vitit 2010, Dollapi do të paraqite kërkesën për ndryshim të tarifave të ujit të pijshëm duke propozuar rritje të saj nga 20 lek/ m3 në 40 lek/ m3, pra dyfishim të saj për abonentët familjarë. Kujdesin më të madh në propozimin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm të djathtët e treguan për bizneset. Çmimin e ujit të pijshëm për bizneset të djathtët e propozuan nga 95 lek /m3 në 120 lek. Brenda po këtij viti, me shpejtësi rekord, kërkesa do të miratohej dhe nga Enti Rregullator i Ujit duke miratuar tarifën zyrtare 33 lek/ m3.
Pavarësisht rritjes së çmimit, gjendja e furnizimit me ujë të pijshëm nuk do të ndryshonte, ku orari i furnizimit me ujë në vend që të rritej, do të ulej, kjo si pasojë e mungesës së investimeve dhe vjedhjes së ujit.
Do të kalonin vetëm pak muaj dhe nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë do të përsëritej kërkesa për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Në vitin 2011 do të aplikohej sërish kërkesa në ERRU për rritjen e çmimit. Ky i fundit, do të pranonte kërkesën e UKT-së së drejtuar nga Seit Dollapi duke e çuar çmimin e ujit të pijshëm nga 33 lek /3 në 45 lek/ m3.
Edhe pse brenda dy viteve çmimi i ujit do të rritej dy herë me 125 për qind, ish-drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Seit Dollapi do të shprehej se rritja e miratuar nga Enti Rregullator nuk ishte e mjaftueshme dhe se nuk mbulonte kostot akoma.
“Rritja shkon në rreth 27% të çmimit, pra tarifa e ujit të pijshëm shkon nga 33 lekë në 45 lekë, ujë me shumicë nga 10 lekë në 12 lekë për metër kub, largimi i ujërave të ndotura nga 10 lekë në 11 lekë për metër kub. Janë ngritje jo të mëdha. E konsiderojmë jo të mjaftueshme për ndërmarrjen tonë, por është një rritje e lehtë, e përballueshme nga qytetarët”, – deklaroi Dollapi në vitin 2012.
Edhe pse ai do të premtonte rritje të furnizimit me ujë të pijshëm, efekti ishte krejt i kundërt si pasojë e abuzimit dhe e mungesës së investimeve. Nga 9 orë ujë të pijshëm që kishte atëherë vetëm Tirana e vogël, pra pa komunat që tashmë i janë bashkuar kryeqytetit, furnizimi do të zbriste në vetëm 7 orë.
Aktualisht në vitin 2016, falë riorganizimit të punës për rikonstruksionin e burimeve dhe të linjave të transmetimit si dhe punës së grupeve të punës në terren për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm, banorët e kryeqytetit furnizohen 13 orë në ditë. Kryebashkiaku Veliaj, ka premtuar se rritja e propozuar synon furnizimin me 24 orë ujë të pijshëm në ditë, si dhe rritjen e cilësisë së tij duke ulur në këtë mënyrë edhe kostot shtesë për qytetarët si pasojë e blerjes së tij nëpër markete. “Më duket hipokrizi e jashtëzakonshme që dikush që sa ishte kryetar bashkie rriti ujin dhe uli oraret. Seit Dollapi e kishte 9 orë, ky rriti çmimin dhe e çoi 7 orë. Unë pa e rritur çmimin e bëra 13 orë dhe duke bërë sa Bathorja, do e bëj 24 orë ujë në Tiranë. Njerëzit thonë na bie më lirë, çfarëdo rritje bën Bashkia se sa të blesh ujë nga private, bote. Ti e di që shumica e familjeve, përfshirë edhe tonat e blejnë ujin për të pirë. Jo për shkak të cilësisë, por po s’pati ujë 24 orë e gjithë e ndenjura në rezervuare, dekanton. Ujin e mban të pastër fakti që lëviz gjithë kohën”, u shpreh dje kryebashkiaku Veliaj.