Zbulohet evazion fiskal prej 6.7 milionë eurosh në një kompani ndërtimi në Vlorë
Administrata Tatimore ka zbuluar një rast të rëndë evazioni fiskal në sektorin e ndërtimit në zonën bregdetare të Vlorës, ku nga verifikimet e kryera janë konstatuar rreth 6.7 milionë euro të ardhura të fshehura.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet u realizuan në kuadër të Planit Operacional të ndërmarrë nga Administrata Tatimore për formalizimin e aktivitetit në sektorët me risk të lartë informaliteti.
Nga analiza e dokumentacionit financiar dhe verifikimet në terren rezultoi se kompania e ndërtimit kishte fshehur të ardhura në vlerë rreth 6.7 milionë euro. Po ashtu u evidentuan edhe shkelje të tjera që lidhen me punonjës të padeklaruar dhe deklarim të pagave jo reale.
Administrata Tatimore bëri të ditur se rasti do të referohet për ndjekje penale pranë organeve kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi për evazionin fiskal.
Sipas DPT-së, kontrollet në sektorin e ndërtimit do të vijojnë edhe në vijim, si pjesë e aksionit për formalizimin e tregut të punës dhe rritjen e transparencës financiare.
Administrata Tatimore thekson se deklarimi i pagave reale dhe i kontributeve shoqërore është një element kyç për garantimin e të drejtave të punonjësve dhe për forcimin e skemës së pensioneve për qytetarët.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.