Kronika

Zbulohet skema financiare e një grupi kriminal, sekuestrohen mbi 18 mln euro/ Arrestohen dy persona, në kërkim biznesmeni shqiptar

SPAK dhe autoritetet italiane kanë zbuluar skemën financiare të një grupi kriminal dhe si rezultat i këtij operacioni janë lëshuar tre urdhër arreste për tre persona, por vetëm dy janë arrestuar, ndërsa një është shpallur në kërkim. Ata dyshohen se janë marrë me pastrim parash, vlera e së cilës përllogaritet diku te 18 milionë euro.
Në njoftimin e SPAK bëhet e ditur se skema financiare drejtohej nga dy shtetas italianë, në bashkëpunim me një zviceran dhe një shtetas shqiptar të përfshirë në sektorin e naftës. Raportohet se shqiptari në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo. Këta të fundit janë edhe dy shtetasit e arrestuar.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Njoftimi i plotë: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, ka regjistruar procedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian F.Z. dhe I.Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F.P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D.C., si dhe të shtetasit shqiptar R.T., i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin A.B. dhe shtetasin B. L.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin nr.93, datë 07.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

  • Caktimin ndaj personave nën hetim R.T., A.B. dhe B.L., të masës se sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, si të dyshuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) e (dh), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 12.11.2021 masën e sigurimit personal të vendosur ndaj shtetaseve A.B dhe B.L.

Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button