Zelensky: Rusia goditi mbi 15 objekte energjetike gjatë natës, bllokimi amerikan i sanksioneve vetëm e inkurajon Putinin
Presidenti ukrainas tha të shtunën se Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ndaj sistemit energjetik të vendit, ndërsa kritikoi ashpër vendimin e Uashingtonit për të mos zbatuar ligjin e sanksioneve të senatorit Graham.

Rusia goditi gjatë natës mbi 15 objekte kritike të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike në rajone të ndryshme të Ukrainës, njoftoi të shtunën presidenti Volodymyr Zelensky, siç njofton Kyiv Post. Sipas tij, punimet e restaurimit po vazhdojnë me të gjitha shërbimet dhe burimet e kompanive energjetike ukrainase. Edhe sipas Reuters, objektet u goditën në rajonet perëndimore dhe qendrore të vendit.
Ndërprerjet më të rënda të energjisë u regjistruan në Lutsk, Rivne, Zhytomyr, Vinnytsia, Shepetivka, Slavuta dhe Netishyn, ndërsa dëme nga goditjet dhe rrënojat pati edhe në rajonet e Kharkivit, Kievit dhe Dnipropetrovskut. Zelensky tha se rusët e kanë zgjeruar fushatën kundër sistemit energjetik dhe po përpiqen t’i shpërndajnë sa më shumë rezervat dhe kapacitetet e riparimit të Ukrainës në prag të dimrit.
Sipas presidentit ukrainas, nga ora 19:00 e së premtes deri në 07:00 të së shtunës Rusia lëshoi mbi 320 dronë sulmues, së bashku me raketa lundrimi dhe balistike. Ai pranoi se, ndonëse mbrojtja ajrore rrëzon një pjesë të konsiderueshme të tyre, shkalla dhe vazhdimësia e goditjeve ruse, veçanërisht ndaj energjetikës, kanë shumë pasoja negative.
Zelensky tha gjithashtu se partnerët evropianë kanë përgatitur paketa të reja ndihme ushtarake dhe energjetike për Ukrainën dhe i falënderoi ata për solidaritetin pas samiteve në Bruksel. Në të njëjtën deklaratë ai iu drejtua edhe publikut amerikan, duke theksuar se është e rëndësishme që edhe në Amerikë të shihet çfarë po ndodh në të vërtetë.
“Në një kohë kur rusët kryen një sulm kaq masiv kundër energjetikës sonë, në Amerikë u mor fatkeqësisht vendimi për ta injoruar plotësisht ligjin e Lindsey Graham-it, i cili duhej të ushtronte presion vërtet efektiv mbi Rusinë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Zelensky. Siç njofton AFP, ai deklaroi në rrjetet sociale: “Një bllokim amerikan i sanksioneve, lehtësimi i presionit ndaj agresorit, shpërblimet financiare për Putinin — e gjithë kjo vetëm e inkurajon atë të vazhdojë sulmet”, duke u bërë thirrje aleatëve ta mbajnë presionin mbi Rusinë. “Rusia po përpiqet të shkaktojë një blackout në Ukrainë pikërisht para dimrit, të lërë miliona njerëz pa energji elektrike dhe pa ngrohje. Duhet presion për ta ndalur këtë. Nuk duhet të lëshojmë pozicionet; duhet ta përfundojmë luftën, jo t’i japim Putinit arsye për ta zgjatur atë pafundësisht”, shtoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.