Zelensky: Rusia lëshoi 21 raketa balistike mbi Kievin në tri valë, të paktën dy të vrarë
Rusia lëshoi 21 raketa balistike mbi Kievin në tri valë sulmesh gjatë natës së të enjtes, duke goditur dhe dëmtuar infrastrukturë, ndërtesa banimi dhe objekte tregtare dhe duke vrarë të paktën dy persona, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, siç njofton Reuters.

«Pothuajse menjëherë pas një raundi tjetër bisedimesh, Rusia nisi një sulm të qëllimshëm. Kjo do të thotë se nuk ka pasur asnjë ndryshim real në qëndrimin e saj ndaj gjithçkaje që po ndodh», tha Zelensky në aplikacionin Telegram, duke iu referuar takimit të presidentit rus Vladimir Putin me të dërguarin amerikan Steve Witkoff në Shën Petersburg. «Është e rëndësishme të vazhdojmë të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet e duhura për t’i dhënë fund kësaj lufte», shtoi ai.
Bilanci i përditësuar i autoriteteve ukrainase flet për një të vrarë dhe 22 të plagosur në kryeqytet, sipas Associated Press. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha se sulmi dëmtoi shtëpi, infrastrukturë transporti dhe objekte të tjera civile në disa lagje të qytetit; në distriktin Dniprovskyi, në bregun lindor të lumit Dnipro, një person u vra dhe gjashtë u plagosën, mes tyre një fëmijë, ndërsa shpërthyen zjarre.
Sulmet erdhën pak orë pasi Kremlini pranoi në parim rifillimin e bisedimeve trepalëshe me Ukrainën dhe SHBA-në pas 10 nëntorit, dhe pas raportimeve të para të natës për 15 të plagosur në Kiev dhe dëme në infrastrukturën e metrosë mbi Urën Jugore. Zelensky e kishte mbështetur me kujdes shtytjen për bisedime të reja: «Do të shohim çfarë ndodh këtë herë», kishte thënë ai pak para se të nisnin alarmet raketore mbi Kiev.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.