Zelensky takon Rutten në Bruksel: në fokus armëpushimi energjetik, interceptuesit dhe municionet për F-16
Presidenti ukrainas e nisi vizitën në Bruksel me takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ndërsa Kievi kërkon paketa të reja të mbrojtjes ajrore pas valëve të sulmeve ruse me raketa balistike dhe rreth 1.000 dronë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e nisi të enjten vizitën e tij në Bruksel me një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Kryeqyteti belg është ndalesa e parë e një axhende të ngjeshur, në ditën e hapjes së samitit dyditor të liderëve të Bashkimit Evropian, ku Zelensky pritet të takohet edhe me drejtues të tjerë evropianë dhe me mbretin e Belgjikës, ndërsa të premten do të marrë pjesë në seancën e Këshillit Evropian.

Sipas agjencia AFP, Rutte bëri të ditur pas bisedës se në qendër të diskutimit ishte nevoja për ta vënë në jetë armëpushimin energjetik me Rusinë, si dhe mbështetja e pandërprerë e aleatëve të NATO-s për Ukrainën. Pjesë e kësaj mbështetjeje janë edhe dërgesat e armëve amerikane përmes nismës PURL, mekanizëm me të cilin vendet anëtare të Aleancës blejnë armatime dhe municione nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas ia dorëzojnë Kievit.
Zelensky, nga ana e tij, njoftoi në rrjetet sociale se me Rutten po harmonizojnë qëndrimet për t’i dhënë Ukrainës më shumë mbrojtje dhe siguri. Sipas tij, përpjekja e fundit e Uashingtonit për të ulur intensitetin e goditjeve u prit nga Moska me valë të reja sulmesh ndaj sektorit të energjisë, ndërtesave të banimit dhe infrastrukturës kritike. Ditët e fundit, tha ai, janë regjistruar disa valë goditjesh me raketa balistike, ndërsa dronët sulmues ndodhen pothuajse pa ndërprerje në qiellin ukrainas, me rreth 1.000 dronë të lëshuar vetëm nga mesnata e së mërkurës.
Kreu i shtetit ukrainas nënvizoi se vështirësitë shtohen edhe nga kufizimet e operacioneve të Starlink në vendin e tij, ndaj dërgesat mbrojtëse nga partnerët e NATO-s mbeten jetike. Prioritet, sipas tij, janë interceptuesit e raketave balistike dhe municionet për avionët F-16, ndërsa po punohet për paketa të reja të mbrojtjes ajrore, të cilat, siç u shpreh ai, mund të shpëtojnë jetë çdo ditë dhe çdo orë. Zelensky e falënderoi Rutten për mbështetjen dhe për gatishmërinë për të ndihmuar më tej.
Takimi i Brukselit zhvillohet në një ditë të vështirë për mbrojtjen ajrore ukrainase: Kievi njoftoi se i kanë mbaruar interceptuesit Patriot, ndërsa në të njëjtën kohë ka rifilluar goditjet ndaj rafinerive ruse, zhvillime që e bëjnë edhe më urgjente çështjen e furnizimeve të reja nga aleatët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.