Bota

Zgjedhjet në Gjermani: Politika e jashtme në fushatën elektorale 

Çfarë thonë partitë kryesore gjatë fushatës elektorale për temat aktuale ndërkombëtare? Një vështrim tek programet e tyre.

Klima  

Partitë e Unionit, kristiandemokratët dhe partia simotër në Bavari, kristiansocialët duan që në temën e mbrojtjes së klimës Gjermania të vazhdojë të mbetet qendër industriale. Përveç kësaj kristiandemokratët ndjekin synimin e arritjes së neutralitetit të klimës në mes të shekullit, duke u mbështetur në „teknologjitë inovative dhe investimet ekonomike”. Kryetari i kristiansocialëve, Markus Söder, kërkon që të ndërpritet përdorimi i qymyrit që në vitin 2030, ndryshe nga kandidati për kancelar Armin Laschet, që mbështet vendimin e marrë për ndërprerjen e qymyrit në vitin 2038.

Socialdemokratët përpiqen të arrijnë neutralitetin klimatik në Gjermani në vitin 2045. Ata kërkojnë që duke filluar nga viti 2040 energjia elektrike në Gjermani të prodhohet vetëm në mënyrë regjenerative. Të gjitha ndërtesat publike duhet të kenë në të ardhmen sisteme fotovoltaike. Gjermania duhet të kthehet në vend kryesues në teknologjinë e hidrogjenit.

Të Gjelbërit duan që vendi të bëhet neutral për klimën që në vitin 2030. Ministria e Mjedisit duhet të ketë në të ardhmen të drejtë vetoje dhe të jetë në gjendje të bllokojë projektligjet, që nuk janë në përshtatje me Marrëveshjen e Parisit për klimën, të vitit 2015. Prodhimin e dioksidit të karbonit, Të Gjelbërit kërkojnë që ta taksojnë shumë në të ardhmen, sipas sistemit europian të tregtimit të emisioneve.

Për liberalët, FDP, edhe në mbrojtjen e klimës çështja është tek tregu dhe konkurrenca. Liberalët nuk i pranojnë teknologjitë e parashtruara nga ligjvënësit, si përshembull përdorimi i automjeteve me energji elektrike. Edhe FDP, kërkon që emetimi i gazrave të dëmshme për klimën, të reduktohet kryesisht me anë të tregtimit të emisioneve.

AfD dyshon në parim për ekzistencën e ndryshimit të klimës të shkaktuar nga njeriu. Ajo kërkon që të dilet nga Marrëveshja e Parisit për klimën. Sipas dëshirës së AfD, energjia elektrike duhet të vazhdohet të prodhohet nga qymyrguri dhe qymyrdruri dhe centralet atomike duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në punë.

Partia E Majta, është për “ndryshim socioekologjik sistemi”, sepse shkatërrimi i ambientit është i lidhur ngushtë me “raportet sociale të kapitalizmit”. Përdorimi i transportit publik të personave duhet të jetë mundësisht falas. Ndërmarrjet e prodhimit të energjisë duhet të jenë publike dhe të detyruara për mirëqënien e përbashkët.

Migracioni 

Partia kristiandemokrate, CDU, ka qenë nën drejtimin e Angela Merkelit dhe të paktën deri më 2015, pro-migracionit, një gjë e re për historinë e kësaj partie. Programi elektoral tani tingëllon në defensivë. Ai thotë se migracioni duhet patjetër të rregullohet dhe të zhvillohet sipas rregullave të qarta. “Ne nuk e pranojmë migracionin në sistemet sociale”. Unioni kërkon që dhunuesit e ligjit të dëbohen në mënyrë konsekuente nga Gjermania. Nga ana tjetër njerëzit me histori migracioni duhet të kenë të gjitha mundësitë e pjesëmarrjes “nëse ata ndajnë të njëjtat vlera me ne, nëse respektojnë ligjet tona dhe flasin gjuhën tonë”.

Socialdemokratët, SPD, tregohen më zemërgjerë. Për shembull ata kërkojnë që të lehtësohet marrja e më shumë se një nënshtetësie. SPD kërkon po ashtu që të zgjerohet më shumë bashkimi familjar. Përshembull motrat dhe vëllezërit mund të vijnë të bashkohen me refugjatët minorenë.

Të Gjelbërit e shohin Gjermaninë si “shoqëri e shumëllojshme migracioni”. Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit të migracionit me hapjen e rrugëve të reja për marrjen e migrantëve për punë dhe arsim. Ndërmarrjet që marrin refugjatë për t’i mësuar ose për t’i punësuar duhet të mbështeten.

Liberalët e shohin Gjermaninë po ashtu si vend emigracioni, por kërkojnë më shumë se partitë e tjera që të mbrohen interesat e ekonomisë gjermane. Kryetari i Partisë, Christian Lindner tha në muajin korrik, për gazetën “Münchener Merkur”: “Ne na duhen duart e shkathëta dhe mendjet e ndritura të migrantëve, që kërkojnë nga ne”. Për këtë FDP ka plane për një ligj migracioni me vendosje kriteresh si niveli i arsimit, njohuritë e gjuhës dhe nevoja për forca të specializuara.

AfD është partia shumë më kritike ndaj migracionit se partitë e tjera të Parlamentit gjerman. Kjo parti kërkon që azili të bëhet sërish në nivel kombëtar dhe jo në nivel europian dhe që kufijtë gjermanë të sigurohen ndaj kalimeve ilegale. Azil duhet të marrin vetëm njerëzit që parlamenti i klasifikon si në nevojë të madhe për mbrojtje dhe ata të cilët kanë sfond kulturor në përputhje me “vlerat dhe rendin shoqëror gjerman”.

Partia E Majta kërkon që njerëzve nga rajonet e luftës t’u ofrohen mundësi legale dhe të sigurta për t’u larguar. Po ashtu kjo parti kërkon të drejtë qëndrimi për të gjithë, duke ia kaluar në këtë pikë edhe politikës pro-migrantëve të Të Gjelbërve.

Europa   

Kristiandemokratët dhe kristiansocialët duan që të hyjnë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur kriteret e stabilitetit për financat dhe ekonominë, që u shfuqizuan për shkak të pandemisë së Coronës. Falja e përbashkët e borxheve duhet të mos përsëritet, por të mbetet vetëm për një herë. “Ajo nuk është dhe nuk do të kthehet në përfshirje në unionin e borxheve”, thuhet në programin elektoral.

Kurse tek SPD thuhet: “Në vend të kthimit në politikën e kursimeve të së kaluarës, ne jemi për një politikë të përbashkët investimesh si ajo që ka filluar gjatë krizës së Coronës”. Synimi është një bashkim i vërtetë fiskal, ekonomik dhe social. Po ashtu duhet të aplikohet paga minimale në nivel europian.

Partitë gjermane gati të gjitha ndjekin një politikë pro-europiane, AfD është e vetmja me qëndrime ekstreme- Merkel me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen

Të Gjelbërit duan që të forcohet më shumë roli i Parlamentit Europian. Qytetarët nga vendet e tjera të BE, që jetojnë në Gjermani duhet të lejohen në të ardhmen të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Me investime publike ata duan që të arrihet riformatimi ekologjik dhe pro-klimës i Bashkimit Europian.

Liberalët i kanë çuar edhe më tej idetë në politikën europiane. Ata kërkojnë një Kushtetutë Europiane. Në këtë mënyrë do të krijohet baza për krijimin e një “shteti europian federal dhe të decentralizuar”, shkruan partia FDP në programin e saj.

Edhe E Majta flet në programin elektoral për një Kushtetutë të BE. Në BE duhet të shpërndahet pasuria nga lart poshtë. Kërkesa konkrete janë vendosja në nivel europian e taksave minimale për ndërmarrjet dhe standardet e përbashkëta për taksimin e pasurive të mëdha.

Edhe në çështjet europiane AfD flet për një rrugë tjetër radikale. Sipas programit të saj, Gjermania duhet të dalë nga BE. Si argumentim kjo parti thotë se BE ka nxitur vitet e fundit “transformimin në një supershtet me ekonomi të planifikuar”. Euroja ka dështuar si monedhë e përbashkët, thotë AfD.

Mbrojtja dhe Aleanca  

Unioni Kristiandemokrat Kristiansocial mbështet synimet e NATO-s, që çdo shtet anëtar të japë për mbrojtjen dy përqind të të ardhurave ekonomike. Gjermania ka dhënë deri tani 1,5 përqind. Kristiandemokratët janë po ashtu pro krijimit të forcave të përbashkëta europiane, dhe kjo jo në kurriz të NATO-s. Numri i ushtarëve të ushtrisë gjermane duhet të rritet nga 184 000 që është tani, në 203 000. Për CDU/CSU miqësia gjermano-franceze është shumë e rëndësishme për Gjermaninë.

Socialdemokratët janë kritikë ndaj dy përqindëshit për NATO-n, por kërkojnë sidoqoftë që ushtria gjermane të armatoset më mirë në mënyrë që të mbajë si duhet përgjegjësinë për të qenë partner i besueshëm në Europë dhe NATO. SPD po ashtu si CDU ka qenë pjesë e planeve të qeverisë së deritanishme gjermane për gazsjellësin Nord Stream 2 nga Rusia për në Gjermani.

Programi i Të Gjelbërve shkon në disa pika në drejtim tjetër nga ai Unionit. Sipas tyre, Gjermania duhet të çarmatoset nga armët bërthamore. Të Gjelbërit nuk e pranojnë 2 përqindshin për NATO-n dhe janë kundër Nord Stream 2.

Bundeswehri si pjesë e misionit të NATO-s në Afganistan, pamje nga largimi i trupave në pranverë 2021

Sipas vullnetit të FDP, Gjermania duhet të luajë një rol më të madh në arenën ndërkombëtare. Për këtë duhet të krijohet një Këshill Kombëtar Sigurie. FDP është për krijimin e një unioni europian për mbrojtjen.

AfD kërkon afrim më të madh me Rusinë dhe përmirësim të marrëdhënieve me Moskën, pavarësisht nga aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë. AfD kërkon një vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB. Sipas vullnetit të tyre, ushtria gjermane duhet të jetë një aleancë e pastër mbrojtjeje, territoret ku janë aktive forcat e armatosura duhet të kufizohen tek shtetet e NATO-s. Kjo parti është kundër misioneve si në Afganistan apo Mali.

Partia E Majta është radikale në çështjet e mbrojtjes. Ajo është për shpërndarjen e NATO-s dhe krijimin e një sistemi kolektiv sigurie me pjesëmarrjen edhe të Rusisë. Ata duan që të gjitha bazat ushtarake në Gjermani të mbyllen.

Tregtia e jashtme 

Unioni kristiandemokrat dhe kristiansocial mbështet shumë multilaterizmin, sepse në Gjermani një në katër vende pune varet nga eksporti. CDU dhe CSU kërkon forcimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, OBT. Bisedimet me SHBA për një marrëveshje të tregtisë së lirë duhet të fillojnë sa më parë të jetë e mundur.

SPD thekson në programin e saj rëndësinë e qëndrueshmërisë në temën e tregtisë. Në tregtinë me prodhime bujqësore socialdemokratët mbështesin partneritetin me fshatarët e vegjël dhe ekologjikë. Eksportimi i armëve gjermane duhet të rregullohet me rregulla më të ashpra, thonë socialdemokratët.

Të Gjelbërit duan ta orientojnë tregtinë më shumë drejt mbrojtjes së klimës dhe qëndrueshmërisë. Për shembull duhet mbështetur më shumë eksporti nga industritë që kanë synime më të mira sa i takon kushteve të mjedisit dhe jetës. Në nivel të BE duhet vënë në jetë ndalja e importimit të prodhimeve agrare që kanë lidhje me shpyllëzimet ilegale dhe me shkeljen e të drejtave të njeriut.

FDP është partia klasike që mbështet tregtinë e lirë. Ajo mbështet po ashtu nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera tregtare me BE. Çështja e gazsjellësit Nord Stream 2, duhet të vendoset në nivel europian, thotë FDP.

AfD mundohet që në politikën tregtare të arrihen marrëdhënie më të ngushta me Rusinë dhe Kinën. AfD është kapur fort pas Nord Stream 2 dhe kërkon që BE t‘i japë fund sanksioneve kundër Rusisë. Për këtë parti është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë me Kinën. Në program thuhet: „Me projektin e Rrugës së re të Mëndafshit, Kina ka filluar një projekt shekullor”, në të cilin duhet të marrë pjesë në mënyrë ofensive edhe Gjermania.

E Majta është kundër marrëveshjeve të tregtisë së lirë të BE me shtetet e treta si TTIP, CETA dhe Mercosur. Ajo është për marrëveshje të barabarta kooperimi. Eksportet e armëve nga Gjermania duhen ndaluar në përgjithësi, thotë partia E Majta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button