Ekonomia

Zgjedhjet nxisin shpenzimet për investime, alokohen 30 % më shumë tremujorin e parë

Shpenzimet për investimet kapitale shënuan një rritje vjetore me 30 për qind në tremujorin e parë duke i shkuar kështu përshtat traditës që në vitet zgjedhore ky zë përformon më mirë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave ne fund të tremujorit u disbursuan 9 miliardë lekë për investimet ose 69 milionë euro, nga 7.2 miliardë lekë (53 mln euro që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifra është më e ulët se para vitit 2013, ku investohej dyfishi i kësaj shume. Gjithsesi shpenzimet për investime arritën në nivelin më të lartë të tre viteve të shkuara.

Për vitin 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.8% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekësh).

Ligji i buxhetit të 2017 ka sanksionuar se një fond prej 3 miliardë lekësh ose më shumë se 22 milionë euro do të qëndrojë i ngrirë si një kontingjencë për të mbrojtur deficitin buxhetor nga një mosrealizim i mundshëm i të ardhurave.

Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.

Por fondet e pakta për investimet duket se janë bërë shkak për rikthimin e detyrimeve të prapambetura karshi kompanive.

Qeveria e ka mbyllur vitin 2016 me një borxh rreth 20 milionë euro të akumuluar ndaj kompanive që kryejnë punime në rrugë. Dashamir Gjika, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, pohoi se aktualisht, detyrimet janë ndaj të gjitha akseve që po kryhen punime. Ka punë që janë bërë dhe nuk janë paguar për segmentin e Unazës së Re për aksin Kamëz – Fushë-Krujë, për urat në Rrugën e Kombit, në Përmet-Këlcyrë etj. Gjika thotë se punimet në rrugë karakterizohen nga disa specifika, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me fondet në dispozicion.

Teksa qeveria ka programuar një financim të caktuar për një segment, kompanitë përfundojnë procesin e investimit me paratë e tyre, pasi nuk mund të lënë punimet në mes, për shkak të kostove të mëdha që mund të krijohen. Në rast se qeveria ka dhënë para vetëm për hapjen e trasesë dhe shtresave të poshtme të rrugës dhe planifikon të vijojë financimin vitin tjetër, kompanitë vijojnë edhe me hedhjen e asfaltit, pasi reshjet mund të dëmtojnë tërësisht investimin fillestar deri në pritje të fondeve të reja.

Kompanitë vendase të ndërtimit, tha Gjika, janë të fuqishme si në aspektin teknik dhe financiar dhe kryejnë punime në avancë në kontratat publike me qeverinë. Gjika tha se një pjesë e detyrimeve që ishin krijuar më 2016 janë planifikuar të shlyhen këtë vit, por është e pamundur të parandalohet krijimi i detyrimeve të reja, pasi në këto momente, kompanitë e rrugëve kanë zhvilluar punime në terren të cilat ezaurojnë 80% të fondeve të planifikuara për këtë vit. Por teksa punimet në rrugë po avancojnë, financimet nga buxheti janë të pamjaftueshme, pohoi zyrtari i lartë i rrugëve.

Sipas të dhënave Ministrisë së Financave mbi monitorimin e detyrimeve të prapambetura, Ministria e Transportit dhe infrastrukturës raportoi që detyrimet për periudhën nga janar – 31 tetor 2016 janë në vlerën 2 533.5 milionë lekë, të krijuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button