Opinion

Zgjedhjet përtej mbledhjes dhe shumëzimit

NGA DODË PRENGA

Votimet përbëjnë aksionin më të madh e më gjithëpërfshirës social. Logjika e mbledhjes dhe e shumëzimit është e mirë për fotografimin, por nuk funksionon njëlloj për analizën. Po kështu, këndvështrimi politik, ekonomiko-politik dhe politolog ka dimensionin e vet, por gjithashtu nuk mjafton. Është e nevojshme edhe qasja socio-dinamike.

Procesi ka dy aktorë, zgjedhësit dhe kandidatët, që gëzojnë të drejta dhe marrëdhënie të sanksionuara në të drejtën aktive dhe pasive elektorale. Si çdo proces, zgjedhjet kanë edhe rezultatin që nuk konsiston thjesht në përcaktimin e fituesit, por edhe në mënyrën se si ky produkt është realizuar. Besimi i përbotshëm është se një proces i drejtë (d.m.th. ligjor) prodhon rezultat të dobishëm për shoqërinë, por një proces jo i drejtë nuk konkludon në mungesë rezultati. Shprehja më e qartë e kësaj është praktikimi i zgjidhjes gjyqësore të mosmarrëveshjeve zgjedhore, që konkludon në fitues, pavarësisht procesit, duke çmuar një baraspeshë të ndërlikuar dhe që mund të kuptohet vetëm në optikën e gjyqësorit. Prandaj është rregullisht e pëlqyer që çështjet zgjedhore mundësisht të mos konkludohen në tavolinën e gjyqësorit, që mbetet kurdoherë një verdikt për rezultatin dhe një penallti për procesin. Për këto arsye, diskutimi rreth rezultatit në vetvete nuk përbën analizë të qenësishme.

Analiza substanciale konsiston në qëmtimin e elementeve të procesit zgjedhor. Përkatësisht, merr rëndësi analiza e evoluimit të sjelljes së përgjithshme elektorale. Respektimi i procedurave (të mbidetajuara për hir të së vërtetës) përbën një çështje me sensitivitet politik apo administrativo-ligjor, por nuk ka elemente përmbajtjesore elektorale, ndaj diskutimet rreth tyre janë debat, por jo analizë. Nga ana tjetër, evoluimi i sjelljes së faktorëve ka substancë elektorale dhe është mosnjohja e saj që prodhon surpriza të këndshme e të pakëndshme për shumëkënd. Në këtë kontekst, do të vlerësohej progres nëse votuesit gjithmonë e më shumë mbështesin votën e tyre në argumente të dobisë dhe utilitetit e jo prirjes se tyre të brendshme. Nënvizojmë se votimet bazohen në paradigmën e qeverisjes, dhe kjo e fundit nënkupton një maksimizim që nis nga oferta dhe bindja në realizimin konkret nëpërmjet ushtrimit të funksionit të besuar. Atëherë, performanca elektorale do të ishte e lartë nëse krijimi i bindjes së konvertueshme në votë do të mbështetej në një sistem vlerash aktual dhe të pritshëm që mund të maten me indikatorë makroekonomikë dhe socialë, si dhe me tregues të besueshmërisë. Do të rezultonte se fraksioni i votës së forcës (në rastin e subjektit qeverisës është më i saktë), përveç një pjese baze të quajtur konstante militante (V-militant), përmban një term racional (V-racional) që shprehet nëpërmjet indikatorëve që perceptohen materialisht prej votuesve. Si rregull, ndikuesit më me peshë në opinionformimin mbështetës janë rritja ekonomike (GDP), indeksi i çmimeve (CPI), situata e korrupsionit (CI), e krimimalitetit (apo safety index), rendi dhe qetësia publike, punësimi, punësimi elitar, liritë etj., të gjitha të indeksueshme. Po kështu, në votën popullore të grumbulluar kemi një term që nuk varet nga këta parametra dhe përbën nuklin militant. Në fakt, çdo votues ka një pjesë të tij militante dhe një pjesë racionale, që ndryshojnë në kohë dhe në hapësirë në mënyrë shumë komplekse, por të vlerësueshme nëpërmjet shpërndarjeve. Pikërisht në këto aspekte të imta qëndron suksesi i sondazheve profesionale dhe natyrisht mossuksesi i anketave primitive.

Vërejmë se me konsolidimin e demokracisë elektorale, numri i militantëve bie. Analizat sasiore tregojnë se te ne, në periudhën 2000-2005, pjesa militante ka qenë rreth 75% dhe ka ardhur duke rënë. Më 2013-n, e kemi vlerësuar në 65%-68%. Për zgjedhjet lokale vlerësimi është mjaft më i komplikuar dhe me shumë ndryshore lokale, por përafërsisht mund të ruhen parametrat e lexuara në zgjedhjet pararendëse të përgjithshme. Megjithatë, është e mundur të bëhet vlerësim, duke shqyrtuar sistemin nga një perspektivë tjetër, ajo e kandidatit. Në perspektivën e opinionformimit politik që prodhon votë në një rrjet (komunitet, njësi zgjedhore p.sh.) votuesit mund të jenë të ngurtë, që nuk ndryshojnë qëndrim, dhe pragmatikë. Votuesi i ngurtë-militant voton pa argumentuar një profil politik. Gjithashtu ai vepron aktivisht te të tjerët rreth vetes pa u ndikuar prej tyre. Votues militant është vetë kandidati dhe po kështu stafi i tij, d.m.th. gjithmonë kemi votues të tillë në sistem. Ndërkohë nëse kandidatët kanë profil të fortë, ata mund të injektojnë efekte të tilla shtesë në mjedis. Si rezultat i këtyre efekteve (të quajtura zealots), kandidatët me këto lloj votash do të popullojnë një shpërndarje të tipit kambanë. Meqë si rregull në votimet tona janë dy kandidatë kryesorë, dy “kambanat” shkrihen në një të vetme me qendërzim rreth pikës 40%-45%. Ndërkohë, votuesit racionalë gjykojnë dhe balancojnë të mirat që vijnë nga vota e dhënë, por qëndrimi i tyre është i ndryshueshëm, d.m.th. në një diskutim afatgjatë dhe bindës ata mund të ndryshojnë qëndrimin e bashkëbiseduesit ose mund të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Kandidatët që performojnë më mirë (ofrojnë më shumë zgjidhje) do të mbledhin këtë tip votë. Ata aktivizojnë një mekanizëm lidhjesh preferencial nëpërmjet kontaktit elektoral (word of mouth) që transmeton në mënyrë “ortek” mesazhin në sistem dhe mbledh shumë vota racionale, natyrisht nëse të tilla ka (në shoqëritë e prapambetura kjo pjesë është shumë e vogël). Nëse kemi kandidatë që performojnë mirë dhe ambienti elektoral ka shumë votues racionalë, efekti i përbashkët konstatohet menjëherë nga rezultati: votat e racionale grupohen në një funksion fuqi ngjashmërish me shpërndarjen e pasurisë, gjetur një shekull e ca më parë nga ekonomisti italian Pareto (i njohur si ligji 20:80 d.m.th. 20% e popullsisë disponon 80% të pasurisë). Në këtë rast, rreth 20% të kandidatëve do të mbledhin rreth 80% të votave. Rasti ideal i kësaj shpërndarjeje merret në votimet proporcionale rajonale me lista të hapura, që konsiderohen më të relaksuarat e mundshme.

Ka edhe një rast tjetër, sistemet autokratike. Në këtë rast, ndikimet e fuqishëm paralizues të kandidatit të postuluar fitues e ndajnë trupën votuese në dy pjesë, duke mbledhur të gjitha votat pseudo-militante për vete. Opozitarit i mbetën diferencat. Nëse formalisht demokracia lejohet, paketimi krijon raportet 80:20, d.m.th. rreth 80% të votave i marr kandidati i paracaktuar dhe 20% alternative, dhe kjo gjendje nuk ndryshon vetiu.

Konkretisht te ne, kandidatët e pavarur, partitë e vogla etj., i krijojnë lidhjet sipas performancës së kandidatëve (V-militant~0), dhe për pasojë ata radhiten në një shpërndarje fuqi që shtrihet në 12%-15% deri më 2005-n, 15%-18% në 2009 dhe 22% -25% më 2013. Ata nuk mund të mbledhin më shumë, pasi të gjitha votat racionale konsumohen dhe nuk ka më të tilla. Më tej vijon pjesa militante që asimilohet menjëherë nga forcat e mëdha. Kandidatët e forcave të mëdha kanë dy tipa votash, votën e performancës së tyre dhe votën militante. Sa më i fortë karakteri fuqi i shpërndarjes së numrit të kandidatëve që kanë një votim të caktuar, aq më shumë votues racionalë janë aktivizuar. Natyrisht sa më e madhe sasia e votës së mbledhur, aq më i ulët është numri i kandidatëve që e kanë. Fakti se këta nyje-kandidatë popullojnë një funksion fuqi, bën që kandidati fitues dhe ndjekësi të kenë diferenca gjithmonë e më të mëdha nëse njësitë zmadhohen. Prania e dy efekteve bën që shpërndarja të deformohet, megjithatë akoma mbi 68% e votave ndodhen në regjim kambane, d.m.th. votues militantë.

Në zgjedhjet nga viti 2001 deri në 2009-n, karakteri kambanë i shpërndarjes së votave të mëdha ka evoluar duke pësuar një deformim të dukshëm më 2013-n. Pikërisht kjo tregon se në këtë vit, votues racionalë kanë qenë më të shumtë. Duke analizuar zgjedhjet e 2015-s ne shohim se ka një përforcim të shpërndarjes fuqi në rang qarqesh dhe njësish zgjedhore, por rezultati më i saktë do të merret pas analizës së gjithë qendrave të votimit. Arsyeja është se njësitë zgjedhore kanë një numër shumë të ndryshëm votuesish. Duhet shtuar se shpërndarje e përafërt e fuqisë nuk mund të pritet sa kohë zgjedhjet kanë karakter mazhoritar që favorizon grupimin e tipit kambanë, por në masën që trajta kambanë deformohet, mund të vlerësojmë peshën e votës preferenciale për kandidatët e “mëdhenj” dhe kjo indirekt vlerëson sesa është rritur votuesi racional. Në fazën e deritanishme të shqyrtimit, kur disponohen vetëm rezultatet sipas njësive, vërehet se karakteri fuqi është përforcuar në raport me zgjedhjet e tjera që dëshmon për rritjen e peshës së votuesve racionalë.

Vërejmë se gjetjet e këtushme janë paraparë në analiza më të avancuara se paraqitja e këtushme (me karakter kërkimor) ku nisur nga shpërndarjet e votave më 2013-n kemi raportuar një qëndrueshmëri në kampin e majtë dhe zhvillime në kampin e djathtë, por jo ndryshime të dukshme mes dy kampeve, siç edhe rezulton. Rezulton se edhe duke shqyrtuar këto sjellje më 2009-n, dhe 2011-n përfundimet e 2013-n verifikohen dhe janë raportuar gjithashtu. Kësisoj, me posedimin e rezultateve sipas njësive baze (qendrave te votimit) do të mund të performohet një analizë e ngjashme dhe parashikime për 2017-n, larg aritmetikës simpliste me mbledhje dhe shumëzim. Ndërkohë, sikurse duket nga ky substrakt i mbithjeshtuar i analizës, rezulton se është evidentuar edhe një fitues i padiskutueshëm dhe i pakomentueshëm, trupa zgjedhore, që rezulton se më 2015-n e ka më të qenësishme pjesën racionale të saj. Së paku kjo pjesë ka indikacion të jetë më e madhe në fraksion se në 2013-n, që përbën një lajm të rëndësishëm për standardet zgjedhore dhe demokracinë te ne në tërësi.

*Autori, ish-nënkryetar i KQZ

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button