Opinion

Zgjedhjet, prit se… “së pari është Toma”

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaËshtë hapur një proces dhe po fshihet një tjetër më i rëndësishëm dhe i vlefshëm për jetën dhe qeverisjen e mëtejshme të qytetarëve. Procesi skandaloz “Doshi”, i cili mbetet i tillë edhe për shkak të pasimeve dhe reagimeve të kastës politike të vendit, nuk do të jetë një proces. Nuk do të pasojë me një ndarje të drejtësisë nga politika, sikundër nuk do të krijojë një kazus të parë të ngritjes së institucioneve të drejtësisë në lartësinë e dinjitetit të munguar. Sepse është e natyrshme, kur mungon, nuk ka si dëshmohet!

Mirëpo ky mender proces, po ia del të eklipsojë një proces tjetër që është themelor, bazik dhe i lidhur drejtpërsëdrejti me fatin e qeverisjes së qytetarëve në katër vitet e ardhme. Këtë javë skandali “Doshi”, jo vetëm e eklipsoi, por e la krejt në harresë procesin e marrëveshjes PS-LSI për bashkitë e vendit, sikundër nuk ka ende një qëndrim dhe pretendim të shpallur zyrtar edhe prej opozitës. Madje prej anëtarëve të saj shprehen se pritet të mbarojë ndarja dhe shpallja e kandidatëve nga shumica e pastaj të vendosim ne. Kjo e fundit, duke dashur ta përdorë skandalin “Doshi”, po rikthen sërish platformën e keqpërdorur të protestave dhe tensionit populist në kërkim të dorëheqjes së ish-aleatit, tashmë kundërshtar, Kryetarit të Parlamentit, zotit Meta. A do t’ia dalë opozita ta imponojë këtë zhvillim?! Meta ia bëri sfidën politikisht, duke futur në rend të ditës pranimin e mocionit për shkarkimin e tij nga posti në Parlament.

Skenari i alibive dhe i tensionit politik po rishfaqet fuqishëm në skenën politike, duke e zymtësuar edhe më tepër shpresën, por sidomos besimin e rilindjes së institucioneve dhe të shtetit matanë partive. Një sjellje tipike dhe klasike si në praktikat e mafio-politikës.

Në këtë sjellje dhe skenar nuk ka vështirësi leximi e njohjeje. Shumëçka po ngjet si në kohët e Italisë së viteve 1960 dhe po si në atë kohë në Itali, po përdoren të gjitha mjetet e kërcënimit dhe terrorit psikologjik. Politika kryeson klimën e paqetësisë dhe të pasigurisë, sikundër ajo ka vënë në funksion gjithë gjeneratorët e energjisë së keqe. Është një skenë ku dominon protagonizmi i “plakut të palodhur dhe konflikti i ndryshkur i tij”, sikundër djallëzitë e një kaste që kanë myshkosur krejt periudhën e tranzicionit të pambyllshëm. Shqipëria koniciane, sot është në pikun e veseve dhe djallëzive vetëpenguese.

Matanë skandalit “Doshi” është një projekt për rizënien e qeverisjes së qytetarëve me skemë dhe strukturë të vjetër ndarjeje. Ndaj kësaj nuk ka asnjë reagim dhe sidomos mungon shfaqja e organizuar e qëndrimit qytetar. Disa emra të njohur për mendimtarinë dhe sidomos mosikjen prej referencës së sistemit të vlerave të demokracisë dhe europerëndimit, këto ditë në rrjetet sociale dhe në hapësirën e komunikimit virtual, kanë përcjellë me të drejtë apele të nevojës për një refuzim dhe ikje nga imponimi i kastës politike të së keqes. Është një përpjekje disi e dështuar për të përcaktuar për qytetarët dhe nevojën e vlefshme të shoqërisë, një axhendë tjetër nga ajo e politikës. Këta emra të paimplikuar në “gjirize” të politikës së tranzicionit, që mund të njihen e çmohen për mendimtari e kërkesa inteligjente për ikje nga stanjacioni i mafio-politikës, janë më të shumtët të heshtur. Sikundër mund të quhen po aq shumë të shprehur, por shpesh të padëgjuar. Reagimet dhe shprehja e tyre në rrjetet sociale në shqip, bashkohen në një apel për “lindjen e Njeriut” që ikën nga fati i “gropës septike”, në të cilin po mbahet me çdo mjet ky vend e kjo shoqëri. Pedagogu dhe studiuesi Përparim Kabo, një ndër më të shprehurit kohët e fundit në faqen e vet në FB, shpall një qëndrim të tillë: “Unë ju sugjeroj me asnjë parti politike dhe me asnjë kandidat të tyre në zgjedhjet lokale.

Pushteti lokal, si dhe ndodh në SHBA dhe jo vetëm atje, të jetë i qytetarëve.

Kudo ku jeni angazhohuni për kandidatë nga shoqëria civile. Mos lejoni që fëmijët të manipulohen nga zyra partish dhe fletushka, mos lejoni t’u shkojnë pas ca pseudoorganizata të rinjsh që krijojnë partitë politike private që janë prona kryetarësh, e që asgjë s’i lidh me demokracinë dhe me zhvillimin e vendit. Aktiv kudo në media dhe në shoqëri. Si veproi mjeku intelektual Tritan Kalo dhe nuk u dorëzua dhe fitoi… duhet t’ua çjerrim maskat këtyre batakçinjve që të sjellin vetëm neveri… dhe duhet të bashkohemi jo vetëm në FB, kudo në salla në ambiente jashtë kudo….!” Reagime të tilla dinjitare publikojnë shpesh emra të njohur të diasporës dhe emigracionit shqiptar, të cilëve mediat tona nuk u japin aq hapësirë sa meritojnë. Po në këtë linjë sugjerimi alternativ shprehen edhe Shenasi Rama, Grid Roi, Gëzim Basha e shumë përfaqësues të tjerë në emigracion, të cilët janë ndjekës të vëmendshëm e që jetojnë me brengën e keqësisë që zotëron këtë vend. Profesori Shenasi Rama, në një ndër statuset e veta në FB të këtyre ditëve, shprehet: “Ndaj, rrugët e mundshme për shqiptarët janë dy: ose do të vazhdojmë qorrazi në rrugën kriminale ku na ka futur paria dhe do të përfundojmë si Lagjet Spanjolle të Napolit, ose do të ndërmarrim përpjekjen e vështirë por të duhur, për ta futur shtetin në hullinë e duhur. Unë besoj se shqiptarët kanë ditur të mbijetojnë për mijëra vjet dhe do të dinë edhe këtë herë t’ia dalin”.

Janë dy statuse të cilat i marr si thelb të mijëra reagimeve që vlojnë në rrjetet sociale dhe në opinionin publik të pazëshëm të qytetarëve të këtij vendi. Kasta politike ka sajuar një skenar, për të mbytur dijeninë për një proces jetik, atë të qeverisjes vendore. Takimet mes Kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentarit Meta për ndarjen e hisesë së bashkive, u lanë në harresë këto ditë. Por dijenia për brendinë e atyre takimeve është shumë e shumë herë më e rëndësishme për fatet e qytetarëve në zonat e vendit. Mirëpo ky proces i eklipsuar nga “skandali i videos për vrasje të porositur”, vret dhe parathotë vrasje shumë herë më të rënda për fatin e qeverisjes, administrimit dhe përfaqësimit në njësitë administrative të vendit.

Skenari për “Doshin” është i lidhur tashmë me Prokurorinë, kastën politike dhe ndoshta me gjyqësorin. Është në fatin e paracaktuar të të qenët një kujtim dramatik dhe qesharak i politikës në marrëdhënie me krimin. Nuk ka vend për iluzion se kjo marrëdhënie do të ndërpritet apo do të tjetërsohet. Qytetarët janë jashtë këtij skenari. Opozita po rikthen versionin që në pamundësi për të larguar Kryeparlamentarin e akuzuar Meta, të dojë të ripërdorë sërish qytetarët. Mund të ngjasë në njëfarë mase edhe kjo, por kur kujton se kjo ripërdorje e qytetarëve përkon si përherë me qenien protagonist e “kryeplakut të politikës” në krye, atëherë trishtimi për të sotmen, qenka teprues edhe për të nesërmen. Qytetarët nevojiten të ridalin në shesh, kur nuk u thuhet,… “së pari Toma” dhe …pastaj zgjedhjet. Roli i qytetarëve triumfon dhe Shqipëria “bëhet” vetëm kur respektohet deduksioni i Faik Konicës: “Shqipëria, për të rrojtur e për të lulëzuar, duhet të spastrohet nga gjithë qelbësirat e vjetra, duhet të riorganizohet në një bazë të re dhe në një mënyrë që tërë forcat morale dhe materiale të popullit të zhvillohen pa pengim.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button