Zjarret e gushtit duhen luftuar në shkurt
Ndryshimi i klimës është natyrisht pjesa kryesore e shpjegimit se përse përbalelmi me ngjarje të tilla, por duket se kohët e fundit është kthyer edhe në një lloj justifikimi. Stina e verës sa vjen e bëhet më e nxehtë dhe nis shumë më herët se sa muajt e korrikut dhe gushtit, ndërsa Shqipëria, e vetme, nuk mund të bëjë thuajse asgjë për të sprapsur një proces global të krijuar nga dekada të tëra ndotjeje dhe formash konsumi që në fakt nuk kanë nisur tek ne dhe shtrihen shumë larg kufijve tanë. Megjithatë, ndryshimi i klimës po kthehet gjithashtu edhe në një justifikim mjaft komod për fenomene që nuk lidhen domosdoshmërisht vetëm me natyrën.
Nëse të gjithë vetëdijësohemi se qershorët e çdo viti që vjen do të jenë më të nxehtë se ata të vitit apraardhës dhe se do të përballemi me më tepër thatësira, atëherë nuk mundet ta trajtojmë stinën e zjarreve si një emergjencë sepse nuk është më e tillë. Sot ato janë përgjegjësi administrative rreth diçkaje që e dimë se do të ndodhë dhe nuk janë më ngjarje të papritura.
Por, sigurisht parandalimi është më pak interesant sepse është më pak spektakolar. Nuk ka helikopterë që shuajnë zjarret nga ajri dhe as zjarrfikës të lodhur me të cilët publiku mund të tallet, edhe pse ata praktikisht vënë në rrezik jetën në kushte ekstreme për përfitime minimale. Prandalimi nënkupton pastrimin e bimësisë rreth zonave të banuara dhe përgjatë rrugëve, nënkupton krijimin dhe mirëmbajtjen e brezave të zjarrit dhe rrugëve të aksesit për shërbimet e emergjencave, si edhe identifikimin e burimeve te ujit dhe monitorimin e zonave ku zjarret përsëriten. Parandalimi nënkupton gjithashtu përcaktimin në avancë të zonave më vulnerabël dhe përqëndrimin atje të burimeve para se të zjarri të bjerë dhe jo të zhvendosësh personelin dhe pajisjet përgjatë gjithë territorit në momentin që janë krijuar disa fronte zjarri njëkohësisht.
E njëjta gjë vlen edhe për zjarrvënien. Gati çdo gusht dëgjojmë njoftime për arrestime dhe hetime të personave që ndezin zjarre, por nuk dimë nëse ka një monitorim sistematik gjatë javëve kur të gjithë e dinë se edhe shkëndija më e vogël mund të shkaktojë zjarre me përmasa katastrofike.
Sigurisht që asnjë nga këto masa nuk i eleminon dot zjarret gjatë verës dhe kemi parë se si ato kanë paralizuar edhe shtetet më të mirëpërgatitura, por ka një dallim mes pamundësisë për të parandaluar zjarret në tërësi dhe të sillesh sikur çdo zjarr është i pamundur të parandalohet.
Shqipëria nuk e kontrollon dot ndryshimin e klimës, edhe sikur të ishim shteti më ekologjik i botës, por ka hapa të vegjël që mund të ndërmerren në mënyrë që çdo verë të mos kthehet në stinë ferri për njerëzit.
Për këtë duhet që të mos mendojmë më për zjarret vetëm kur shohim flakët dhe ndërsa stina e rrezikut nis çdo vit më herët se zakonisht, edhe përgatitjet tona duhet të nisin më herët dhe beteja e parë kundër një zjarri gushti duhet të nisë ndoshta qysh në shkurt. Por fatkeqësisht, atëherë jemi të zënë me shirat që shpesh përmbytin pikërisht zonat që do të digjen në gusht.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.